
Shkrimtari dhe gazetari i njohur Italian, Roberto Saviano, ka deklaruar këtu e 10 vjet më parë, se shqiptarët në bashkëpunim me klanet autoktone të zonës bregdetare të Romës- Ostia, po marrin frenat e krimit të organizuar në vend...
Michele Carbone, kreu i Drejtorisë Antimafia të Italisë, ka theksuar në raportin vjetor për parlamentin e vendit të tij, se mafia shqiptare është sot mbretëresha e krimit të organizuar në kryeqytetin Italian- Romë.
Një e dhënë e rëndësishme, e cila nuk se erdhi si një ‘rrufe në qiell të pastër’, por që është paralajmëruar në vite.
Shkrimtari dhe gazetari i njohur Italian, Roberto Saviano, ka deklaruar këtu e 10 vjet më parë, se shqiptarët në bashkëpunim me klanet autoktone të zonës bregdetare të Romës-Ostia, po marrin frenat e krimit të organizuar në vend.
E sot, Carbone tha me shifra dhe statistika se mafia shqiptare është trashëgimtare e klanit të famshëm, piktoresk dhe legjendar të Casamonica-ve. Një klan që prej mbi 30 vite ka qenë më i fuqishmi në kryeqytetin Italian në trafikun e drogës, por edhe në biznesin mjaft të përhapur në qendra të mëdha- fajdet.
Bëhet fjalë për një nga familjet e vjetra Casamonica, një familje sintësh, përkatësisht romësh autokton, që kanë mbërritur në qytetin mijëvjeçarë që në kohën antikitetit. Ku kanë shërbyer si mjeshtra të kuajve.
Të vendosur në një nga kodrat më të mira në periferinë e Romës, Fraschati, ku ndodhen vilat më të bukura të kontëve dhe aristokracisë së Vatikanit, ata u kthyen dalë ngadalë në një grup të fuqishëm kriminal, që mori në dorë çelësat e krimit romak.
Ajo që i karakterizoi Casamonica-t në mbretërinë e tyre ishte se, edhe pse u bënë mjaft të fuqishëm e shumë të pasur, mbetën rrëmujaxhi e zhurmëmëdhenj, bënin shumë bujë, e komandoheshin lehtë nga mbretërit realë të kësaj loje, që siç bën të ditur shpesh Saviano ndodhen në krye të politikës, klerikëve të lartë, apo institucioneve si policia e ente të tjera.
Vdekja e Vittorio Casamonica-s, 8 vite më parë, që u përcoll me një funeral alla Corleone në kuptimin e plotë të fjalës, solli edhe fundin e klanit. I cili sot është i gjithi në burg, i tradhëtuar nga gratë e familjarët, që janë kthyer në bashkëpunëtorë të drejtësisë.

Hyrja e shqiptarëve në lojë, ka ardhur si pasojë e ndërhyrjes së klaneve të zonës bregdetare të Ostias, atje ku zhvilohen trafiqet e kokainës. Ku klani Spada, për të cilin thuhet se ka origjinë të lashtë arbëreshe, kontrollon prej vitesh lidhjet me siçilianët, NDraghetta-n dhe Camorra-n napoletane.
Shqiptarët, hynë sipas DIA-s, me pasaportën e tyre; dhunë dhe bujë. Shefat e vërtetë të krimit të organizuar në Romë, kanë nevojë për një Casamonica të re, e këtë radhë kanë spikatur disa grupe shqiptare. Që sipas të gjitha gjasave do të pësojnë fatin e Casamonica-ve.
Në Romë, gjithçka drejtohet nga lart dhe nuk është lejuar asnjëherë hyrja dhe kontrolli i saj nga Casa Nostra apo Ndraghetta. E kanë bërë në veri si Milano apo Venezia, në Liguria apo Toskanë, por asnjëherë në kryeqytetin Italian. Ku siç thoshte Puzzo te Kumbari, politika italiane është mafia më e fuqishme./Pamfleti
Lini një Përgjigje