
Sfida, armiqësia dhe dyshimi mbretërojnë midis kundërshtarëve, por edhe midis të ashtuquajturve aleatë, të detyruar nga rrethanat të hyjnë në koalicione të panatyrshme...
Ndërsa rreth 500.000 të majtë marshuan pak ditë më parë në qytetet e Francës, duke bërtitur fort parulla antifashiste, fraza e liderit bolshevik rus Leninit nuk ishte dukur kurrë më e përshtatshme: “Ka dekada ku nuk ndodh asgjë; dhe ka javë ku ndodhin gjëra që zakonisht duan dekada”.
E ndikuar nga vendimi i presidentit Emmanuel Macron javën e kaluar për të thirrur zgjedhjet e parakohshme në fund të muajit, pasi Tubimi Kombëtar i së djathtës ekstreme mori mbi 1/3 e votave në zgjedhjet evropiane, politika franceze ka hyrë aktualisht në një gjendje shumë kaotike.
Macron e zgjodhi qëllimisht afatin më të shkurtër kohor të përputhshëm me kushtetutën. Raundi i parë i zgjedhjeve të parakohshme do të mbahet më 30 qershor, ndërsa balotazhi më 7 korrik. Sfida, armiqësia dhe dyshimi mbretërojnë midis kundërshtarëve, por edhe midis të ashtuquajturve aleatë, të detyruar nga rrethanat të hyjnë në koalicione të panatyrshme.
Partitë që sapo kanë mbaruar garën për votuesit në një sistem përfaqësimi proporcional, përballen tani me sfidën e krijimit të aleancave. Aleanca e Majtë-E Gjelbër, që e quan veten Fronti i Ri Popullor, u bashkua nën udhëheqjen e La France Insoumise (Franca e Papërkulur) e Jean-Luc Mélenchon.
Fushata e tij u fokusua tek Gaza, në një përpjekje të marrë vota nga të rinjtë dhe banorët e harruar të periferive. Mbështetësit e tij valëvitën më shumë flamuj palestinezë se sa ata francezë (dhe shumë nga ato të ish-kolonive franceze si Algjeria dhe Tunizia, me slogane të qarta anti-franceze), teksa disa nga tubimet përfunduan në akte dhune.
Tani, përballë një procesi zgjedhor ku faktorët lokalë kanë rëndësi në çdo zonë elektorale, janë zhdukur parullat dhe shallet tipikë palestineze. NPF pretendon se po lufton “fashizmin në pragun tonë”. Platforma zyrtare e partisë e publikuar të premten, është akoma më ekstremiste.
Ajo synon pezullimin e traktateve që ka nënshkruar Bashkimi Evropian me Izraelin dhe taksat për gjithçka. Do të ketë “taksa kilometrike” për mallrat e importuara në përpjesëtim me distancën e përshkuar, një rivendosje të taksës mbi pasurinë, një kufizim mbi trashëgiminë.
Po ashtu do të ketë një moshë më të ulët të daljes në pension, pagë minimale më të lartë dhe më shumë përfitime të paguara për të gjithë, por mbi të gjitha për emigrantët që duhet të jenë “të mirëpritur siç duhet”. Është një dokument ideal për ta luftuar Tubimin Kombëtar të Marine Le Pen.
Në këtë rrëmujë ndërhyri edhe ish-presidenti socialist François Hollande, i cili në vitin 2017 u mënjanua nga skena nga Ministri i tij i Ekonomisë, Emmanuel Macron. Ai njoftoi së fundmi se po qëndronte në zonën e tij të vjetër elektorale të Francës Qendrore, Corrèze (fqinj me Jacques Chirac), dhe u ofrua si një luftëtar kundër ekstremizmit dhe moderator për platformën ekonomike të NPF.
Ky ishte rasti për të kujtuar se Hollande, ishte më i njohur për një kohë të gjatë në politikën franceze për ndikimin e tij në bashkimin e fraksioneve të kundërta radikale për të fituar zgjedhjet. Nga ana tjetër, Tubimi Kombëtar e ka nisur fushatën e tij me shpresa të mëdha.
Por pak sondazhe i japin kësaj partie një shumicë në Asamblenë Kombëtare. Ajo ka nevojë për aleanca elektorale me të djathtën e moderuar. Presidenti aktual i Les Républicains (Republikanët), partia e vjetër e Nicolas Sarkozy dhe Jacques Chirac, është jugori Eric Ciotti, i cili vendosi që partia e tij të nënshkruajë një marrëveshje mos-konkurrimi me Tubimin Kombëtar.
Sipas paktit, kandidati më pak i mirë në fund të raundit të parë që do të tërhiqet për të favorizuar tjetrin. Kjo çoi në thirrjet për largimin e tij nga udhëheqja, dhe një vendim për ta bërë këtë u rrëzua më pas nga një gjyqtar. Prandaj do të ketë dy kandidatë konkurrues të Republikanëve në disa zona zgjedhore.
Mesditën e të premtes, turma të mëdha u mblodhën në Place de la Nation, duke valëvitur flamujt palestinezë, të bindur se ishin në pragun e marrjes së pushtetit. Thirrjet për të shmangur dhunën deri më tani janë marrë parasysh. Por me rritjen e tensioneve, mjafton edhe një shkëndijë e vetme që Franca të përfshihet nga kaosi./Pamfleti nga “Daily Telegraph”
Lini një Përgjigje