Çfarë, përpos etnisë, kanë të përbashkët Aleksandar Vuçiç dhe Edi Rama? Etnia, i dallon, këtë nuk e diskuton kush. Por në politikën ndërkombëtare etnia nuk bën ndonjë dallim për të qenë. Bota e sotme e ka tejkaluar etninë, kombin, fiset. Popujt tash rreshtohen sipas kulturave dhe interesave.
Një bilioner arab për shembull, nuk e ka aspak problem të bashkëpunojë me Edin dhe me Aleksandrin, njëkohësisht. “Beograd na Vodi” (apo “Belgrade Waterfront”) është një mega projekt që kap shumën prej 3.5 bilion dollarë, apo projekti i zhvillimit të Portit të Durrësit, për turizëm elitar, në vlerë prej 2 bilion dollarë, të dyja këto investime vijnë nga një vend, kontinent, kulturë dhe religjion tjetër.
Por, dallimet janë mundësi e jo pengesë për mendësinë globale. Serbia nuk ka det, por e ka Danubin dhe njëri nga më të mëdhenjtë e kontinentit, i cili është edhe i lundrueshëm deri në Detin e Zi. Buzë këtij lumi, është zhvilluar projekti më i madh në Serbinë e sotme.
Shqipëria nuk e ka Danubin, as hidrocentralet e mëdha mbi Danub, por ka detin, Vjosën, malet, fushat, ka edhe Edin, të hapur për biznes me këdo që hap kuletën.
Pra, në botën e biznesit, edhe kulturat ngatërrojnë rrugë. Serbia lë aeroplanët MIG, të vjetruar dhe porositë 12 avion “Rafal” francezë, në vlerë 3 bilion dollarë. Bën projekte për një metro të madhe me kinezët, ku përfshinë edhe bizneset franceze. Shkon për vizitë te Makron, në përvjetorin e ditës “D”, por paraprakisht takon bizneset dhe rrotullon bilionët. Fuqia politike sot ka kuptimin e bilionëve që je në gjendje të qarkullosh.
Por dikush nuk ka as det, as lum të përmasave kontinentale, por ka rol në rrugët e biznesit. Po flasim për Kosovën. E çfarë hyn Albini këtu do të thoni? Mendoni se “trojka” nuk mund të funksionojë, pa ish- vëllain e tretë, politik, të cilët kishin nisur lojën e madhe të kufijve?
E përse të mos funksionojë? Dikush duhet të kontestojë lojën për të rritur interesimin ndërkombëtarë. Po të merreshim vesh, lehtë, do të thoshin “nuk kemi punë ne aty, ndajeni vet tortën”. Natyrisht, edhe pjesa e tyre e tortës do të ndahej, por përse të grindesh... kur nuk ka interes.
Pra, të tjerët krijojnë mega projekte ndërsa Edi dhe Aleksandri, krijojnë dhe mirëmbajnë...humnerën. Humnera është biznes. Në ditët e sotme problemet janë biznes. E ke një problem? E pra, hap tender...shpenzo paratë publike!
Edhe pse me të madhe klithin popujt, sa herë që Edi dhe Aleksandri i afrohen humnerës, ata nuk bien. Kur duan të bien në lindje, mbahen me perëndimin, kur ka rrezik të bien në perëndim, mbahen me lindjen. Çështja është, kush kujt ja mësoi lojën? Edi, Aleksandrit apo ishte e kundërta? Dallimi në mes dinakërisë në politikën serbe dhe në atë shqiptare është vetëm te rezultati. Serbët gjithnjë arrinin të negocionin mirë me ne, për tokat tona. Po kujt i bën sot për tokat? Vjen burri i botës nga fundi dhe të blen “livadhin e gjatë”, të cilin ta jep pastaj me qira për të kullotur delet tua. Epo, politikë i thonë.
Zakonisht, humnera kalohet me një hap, por këta po e kalojnë, pa u ngutur fare, hap pas hapi. Rusia thotë “është me ne”, Makron thotë është me Evropën. Historia, thotë se Serbia nuk është as me Evropën as me Azinë, por përgjatë historisë ka përfituar nga ky rol. Mbi këtë logjikë, mes lindjes dhe perëndimit ndërtoi dikur perandorinë mesjetare. Ende bëjnë pazare me plaçkën e asaj kohe.
Nejse, nëse nuk është kapur ideja, duhet të hidhet metafora. Ndoshta nuk ka humnerë fare. E ndodhur në mes të Evropës dhe Azisë, me mendësi dhe interesa Serbia, i ka vendosur disa kushte për të kaluar dhe qëndruar në njërën apo tjetrën anë. Duke u deklaruar për miqësi me Rusinë, po merr favore nga perëndimi. Ngjashëm pak a shumë si taktikë me orientimin e Ramës, drejt perëndimit. Veçse, favoret i merr nga lindja, jug lindja, më saktë. Gjeopolitika e Ballkanit perëndimor është e qartë sapo të shohësh hartën, rrugët, vijat infrastrukturore, larushinë e ngjyrave nacionale, religjioze, kulturore.
Vuçiç, sidomos pas zgjedhjeve të fundit, po bëhet lider i serbëve, kudo që janë, sikurse që po do të bëhet edhe Rama, me gjasë.
Ka vetëm një problem. A ja VLEN, Edi? VLEN, kështu quhet koalicioni alternativ, shqiptar, në Maqedoninë e Veriut. Ndiqeni pak, ndoshta këtu fshihet lepuri! Dikur Edi e quante vëlla Aleksandrin ndërsa Hashimin e quante mik. Tash mik e quan Aleksandrin, ndërsa Albinin...? Ende nuk i ka vënë emër!/Pamfleti
Lini një Përgjigje