Argita duhet të dalë e tu thotë troç, pa kompleks se e merr këtë “mision” në emër të të atit dhe e autorizuar nga i ati...
Argita Berisha ka disa kohë që e thotë me spondë që kërkon të marrë në dorë partinë e babait. Në realitet nuk përbën aspak gjë të re, pasi kjo është përfolur prej kohësh. Madje ka shumë mbështetës fanatikë të Sali Berishës që e duan këtë zhvillim.
Argita, pikërisht për këtë nuk duhet të vonojë. Është shumë më mirë Argita se i ati, që nuk ka as moshë, e as fuqi për të mbajtur një aktivitet të përditshëm.
Doktor Berisha është një pensionist me kohë të plotë. Nëse mendjen e ka të kthjellët, le të këshillojë të bijën e të shkruajë kujtime, por mundësinë e një aktiviteti intensiv nuk e ka biologjikisht.
Ama, Argita duhet të dalë e tu thotë troç, pa kompleks se e merr këtë “mision” në emër të të atit dhe e autorizuar nga i ati. Pasi hipokrizia e një akivizimi normal nuk shkon. Argita ka pasur gjithmonë pushtet kundrejt babait, si në qeveri, ashtu edhe në opozitë. E për këtë është shpallur ‘non grata’, dhe po për këtë ka të atin dhe burrin nën hetim.
Nuk është gjë e vogël kjo, pasi të paktën sipas të dhënave të deritanishme nga SPAK, Sali Berisha është nën akuzë, për një favor që i ka bërë të bijës dhe dhëndrit. I bëri me 17 kulla. Publiku në Shqipëri e dallon mirë cirkun nga realiteti. Sa të dëgjojnë njerëz të lidhur me fijet e doktorit e Argitës, më mirë të dëgjojnë e të ndjekin drejtëpërdrejtë të zonjën e punës.
Nuk se përbën ndonjë çudi të madhe, pasi në Greqi, djali i ish-kryeministrit dhe vëllai i ish-ministres së jashtme e kunati i ish-kryebashkiakut të Athinës, është sot kryeministër i vendit.
Njerëzit e dinë se ka familje të fuqishme që qarkullojnë pushtet ekonomik e politik. Sa të dëgjohen përrallat e tellallëve, më mirë të jenë në skenë vetë protagonistët.
Sepse njerëzit janë lodhur me këtë teatër që Edi Rama, Linda e Olsi nuk kanë lidhje me njëri- tjetrin. Që Iliri e Monika janë në armiqësi, e që Zeni e Argita po luftojnë për postin e kryetarit.
Qytetarët e kanë të qartë se këtu kemi të bëjmë me personazhe me pushtet si Edi Rama, që e ka gjithçka në dorën e tij, në qeverisje dhe mazhorancë, së bashku me familjen, klientelën e tarafin e vet, siç e ka Sali Berisha dhe Ilir Meta.
Megjithatë, Argita ka të drejtë të dalë në fushë, bashkë me aktorët e tjerë. Por nëse humb a do të largohet zonja Malltezi? Se kjo është pyetja, që nuk e ka bërë babai i saj./Pamfleti
Lini një Përgjigje