Kampi nuk i sjell praktikisht asnjë favor Shqipërisë, përveçse e bën atë një shtet me sovranitet të kufizuar.
Marrëveshja e Edi Ramës me Giorgia Melonin, u bë në një kohë, kur me rastin “Beleri” kryeministri po vihej nën një presion të fuqishëm grek, që mund të përhapej si 'vaji në lakra' në Europë.
Ndaj Rama, i cili kishte marrë sinjale nga Roma për të hapur në Shqipëri një qendër trajtimi për emigrantët e paligjshëm, thirri Giorgia Melonin në Dhërmi për ta mbyllur paktin.
Ky pakt, në thelb favorizon vetëm Edi Ramën, për të mos lejuar izolimi e tij ndërkombëtar, që me ndikimin e Athinës, ai mund të ishte ngushtuar edhe më tej.
Ndërkaq, nga ana politike dhe praktike, kampi i Gjadrit është një grackë e madhe për Shqipërinë, që nuk duhet të kompleksojë asnjë faktor politik në Tiranë për ta kundërshtuar.
Politikisht, kjo marrëveshje e kthen Shqipërinë në një Republikë Bananesh, të cilën nuk e ka miratuar asnjë vend afrikan.
Ka shumë gjasa, që në Parlamentin e ri Europian, kampi i Gjadrit të vihet nën një hetim parlamentar, e ku mund të ketë rezoluta pa fund e komisione hetimore, që mund të shënjestrojnë Shqipërinë.
Pra politikisht, Shqipëria do të jetë nën shënjestër politike të të gjithë establishmentit politik të kontinentit: Partitë Popullore dhe Socialistët Europianë. Që betejën sapo e kanë hapur dhe do ta çojnë deri në fund, sepse përbën një kërcitje me vlerat europiane.
E pikërisht kjo luftë e madhe do të dëmtojë Shqipërinë në rrugën e BE-së, pasi vendimarrësit janë pikërisht socialistët dhe partitë popullore, e nga ana tjetër, kjo do të sjellë si pasoja akuzat që ne i kemi parë nga Report i Rai 3, që në të vërtetë përfaqësojnë një realitet. Fuqinë e mafias dhe krimit të organizuar mbi pushtetin politik në Tiranë.
Ndërsa Ramës mund t’i shtojë ca miq, për çdo faktor tjetër politik në Shqipëri, Gjadri është në rast i madh për të bërë për vete të gjithë faktorin relevant dhe vendimmarrës në Europë.
Madje edhe për politikanë si Berisha e Meta që kanë defiçencë mbështetje në Europë, kundërshtimi i paktit të Gjadrit, mund të ndihmojë fuqinë dhe lobimin politik.
Sepse, ai kamp nuk i sjell praktikisht asnjë favor Shqipërisë, përveçse e bën atë një shtet me sovranitet të kufizuar. Edi Rama nuk e tha kot atë frazën e bashkimit me Italinë, duke e rreshtuar veten në një kolaboracionist par exellance.
E ky është rasti edhe për socialistët e vjetër, që kanë mbështetur tezën e sovranitetit, duke sulmuar elitën e vjetër që i dha kurorën mbretërore Vittore Emanuele, mbretit të Italisë në vitin 1939.
Jemi në një rast, thuajse identik si në vitin 1920, ku Shqipëria e dobët dhe e rrëzuar hodhi imperialistët italianë në det, se donin të mbanin Vlorën dhe Sazanin.
Kjo marrëveshje, pra pakti Rama-Meloni, është një deal i pastër elektoral, por që jo vetëm nuk i sjell asnjë favor Shqipërisë, por edhe e bën shënjestër e një sulmi të dëmshëm.
Mbështetja që merr dhe do të marrë Edi Rama nga Giorgia Meloni dhe mazhoranca e saj, do të jetë e përkohshme, e nuk ka ndikim në të ardhmen. Sikur në Europë të nisë një fushatë politike e mediatike në Parlamentin e ri Europian, edhe fluksi turistik në vend mund të pësojë ulje, pasi vendi nuk do të quhet më i sigurtë, por një terren që ka probleme me Brukselin.
Edi Rama ka provokuar, jo se mund të sulmohej nga mediat apo politika italiane, pasi nuk i intereson, por se e di që nga Tirana nuk do të dalë kush kundër.
Dhe nëse ja del që fiton këtë betejë, ai fiton zgjedhjet e 2025-s. Nëse opozitat shqiptare nisin një luftë të fortë për ta ndaluar hapjen e kampit të Gjadrit, do ta bëjnë Edi Ramën të padobishëm për Giorgia Melonin. E si rrjedhim, mund ta kthejnë Bablokun në një limon të shtrydhur, që në 2025-n rrëzohet si një kështjellë rëre./Pamfleti
Lini një Përgjigje