TAGS-AT E JAVËS

Editorial25 Qershor 2024, 10:18

Kush është Keir Starmer, kryeministri i ardhshëm i Britanisë së Madhe

Shkruar nga Luigi Ippolito
Kush është Keir Starmer, kryeministri i ardhshëm i Britanisë
Keir Starmer /

Laburistët ri-ngjiten në pushtet pas 14 vitesh...

Një agim i kuq do të lindë më 5 korrik mbi Britaninë e Madhe. Sepse një ditë më parë, nënshtetasit e mbretit Charles III do të kenë votuar masivisht për të rikthyer në pushtet Partinë Laburiste. Udhëheqësi i saj, Sër Keir Starmer do të kalojë portat e Buckingham Palace për të marrë mandatin si kryeministër nga mbreti.

27 vite më parë, në vitin 1997, ishte Tony Blair, ai që u përkul para Mbretëreshës Elizabeth. Do të bëhej udhëheqësi më i suksesshëm laburist në histori, duke arritur të fitonte 3 palë zgjedhje radhazi. Sikurse është vënë re, gjatë 45 viteve të fundit ecuria e zgjedhjeve britanike ka qenë kështu:Konservatorët, Konservatorët, Konservatorët, Konservatorët, Blair, Blair, Blair Konservatorët, Konservatorët, Konservatorët, Konservatorët.

Pra Blair ishte i vetmi që ndërpreu sundimin e gjatë të konservatorëve, të etiketuar me të drejtë si “partia qeverisëse e natyrshme”. Një trashëgimi e rëndë për t’u mbajtur nga Starmer, i cili mbërrin në Downing Street pas 14 vitesh hegjemonie të krahut të djathtë. A do të jetë ai një Tony Blair i ri?

Apo është një udhëheqës rrënjësisht i ndryshëm? Tony Blair është një djalë i borgjezisë britanike. Babai i tij ishte jurist dhe akademik, ndaj ai u arsimua në Fettes, kolegji prestigjioz privat që konsiderohet si Etoni skocez, përpara se të vazhdonte të studionte për drejtësi në Universitetin e Oksfordit.

Ndërkohë Starmer e kujton vazhdimisht origjinën e tij modeste. Babai i tij ishte zejtar, ndërsa nëna vuante nga probleme të rënda shëndetësore. Familja e tij nuk ishte e pasur. Keir ishte i pari (dhe i vetmi) në familjen e tij që arriti të ndiqte universitetin. Dhe falë intelektit dhe vendosmërisë së tij arriti të diplomohej në të Drejtën Civile.

Ky hendek në origjinë, ka pasoja direkte edhe në vizionin e tyre mbi botën. Objektivi i Blair, ishte ta bënte të gjithë shoqërinë britanike një shtresë të mesme të madhe. Ndërsa Starmer synon para së gjithash t’i rikthejë dinjitetin klasës punëtore. Siç është nënvizuar jo pak herë, qeveria e tij do të jetë më proletarja në historinë britanike.

Zëvendësja e tij, Angela Rayner, është një nënë beqare që e braktisi shkollën në moshën 16-vjeçare dhe punoi si kujdestare fëmijësh. Ndërkohë Kancelarja e ardhshme e Thesarit, Rachel Reeves, kënaqej duke mposhtur në shah fëmijët e familjeve të privilegjuara. Nga ana tjetër ylli në rritje në politikën britanike, Wes Streeting, Ministri i ardhshëm i Shëndetësisë, u rrit në një varfëri të tmerrshme.

Pra, nuk është rastësi që Starmer është një tifoz i flaktë i Arsenalit (dhe në Angli futbolli është një pasion që ndiqet nga klasat punëtore, borgjezia ndjek regbin apo kriketin) dhe çlodhet të dielave duke luajtur kalçeto me miqtë. Edhe pse një tip shumë i lezetshëm, Blair nuk ka prekur ndoshta kurrë një top në jetën e tij.

Tony ka qenë gjithmonë një orator i madh, i qetë në çdo situatë, një veti me të cilën synon gjithmonë ta magjepsë bashkëbiseduesin (apo opinionin publik). Nga ana tjetër Starmer është më i ngathët në të folur, me një zë hundor që rrezikon të vërë në gjumë ata që e dëgjojnë.

Në planin personal, ata kanë të përbashkët një lidhje me familjen e tyre:Blair ka qenë i martuar për 44 vjet me Cherie, një avokate e profilit të lartë, ndërsa Starmer u martua me Victoria-n, me origjinë hebreje, e cila gjithashtu i hodhi hapat e saj të parë në këtë profesion, 17 vjet më parë dhe më pas kaloi në sistemin e kujdesit shëndetësor.

Por e tyrja nuk ishte dashuri me shikim të parë. Kontakti i parë ndodhi gjatë një telefonate pune të tensionuar, në fund të së cilës Victoria i tha me ton të lartë një kolegu:“Po kush dreqin mendon se është ky Starmer?”. Por më pas gjërat u ëmbëlsuan.

Blair është një kafshë e vërtetë politike: ai iu bashkua Partisë Laburiste menjëherë pas diplomimit, në moshën 22-vjeçare. Dhe në moshën 30-vjeçare ishte tashmë deputet në parlament. Ndërkohë Starmer, ka hyrë vonë në politikë, dhe u zgjodh për herë të parë në Westminster në moshën 52 vjeçare. Karrierën kryesore e ka si prokuror, duke arritur deri në mbulimin e rolit të Prokurorit të Përgjithshëm të Kurorës.

Blair nxitej në veprimet e tij nga një lloj frymëzimi mesianik, i cili buronte gjithashtu nga besimi i tij fetar (pas largimit nga qeveria u konvertua në besimin katolik); ndërsa Starmer është një ateist pragmatik, besimi i vërtetë i të cilit mbeten një mister i padepërtueshëm.

Ai arriti të zgjidhej në krye të Laburistëve, duke përkrahur platformën e të majtës ekstreme të paraardhësit të tij Jeremy Corbyn, vetëm për të refuzuar më pas gjithçka dhe dëbuar nga partia këtë të fundit. Që të dy kanë qenë gjithmonë të fokusuar në objektivin e marrjes së pushtetit.

Për të e majta nuk është një lëvizje proteste si qëllim në vetvete, por ajo duhet të jetë në gjendje të ngjitet në krye për të ndikuar tek realiteti. Siç thoshte dikur Blair:”Pushteti pa parime është steril, por parimet pa pushtet janë të kota”.

Vështirësia që ka përpara Starmer, është se Blair ka pasur arritje në të gjithë fushat:nga arritja e paqes në Irlandën e Veriut, tek autonomia e Skocisë dhe Uellsit, nga futja e pagës minimale te reformimi i Dhomës së Lordëve. Laburistët e Rinj midis fundit të viteve 1990 dhe fillimit të viteve 2000, arritën t’ia ndryshojnë fytyrën Britanisë së Madhe.

Ndërkohë reformat që premton të ndërmarrë Starmet janë shumë të kufizuara:eliminimi nga skena i Lordëve të fundit të trashëguar nga Dhoma e Lartë e parlamentit britanik, vendosja e taksave ndaj shkollave private, zgjerimi (por pa e ekzagjeruar) i të drejtave të punëtorëve.

Mesazhi i tij i vërtetë, ishte të premtonte se nuk do të ishte si konservatorët. Dhe pas kaosit të viteve të fundit, mes festave të fshehta të Boris Johnson në kulmin e bllokimeve nga pandemia, kolapsit financiar që nxiti qeverisja shumë jetëshkurtër e Liz Truss dhe gafave të Rishi Sunak në shumë fronte, kjo është tashmë diçka.

Pra, ndërsa Blair ishte një udhëheqës transformues, ambicia përfundimtare e Starmer është të menaxhojë atë çka ekziston, pa bërë shumë dëme. Është e vërtetë:ka nga ata në Londër që mendojnë se pasi të hyjë në Downing Street, lideri i ri do të jetë në gjendje të tregohet më ambicioz dhe më i guximshëm sesa gjatë një fushate elektorale të frymëzuar nga një kujdes maksimal, dhe nga parimi për të thënë sa më pak që është e mundur.

Por e vërteta është se hapësira e tij manovruese është shumë e kufizuar. Problemi kryesor për Starmer, është se ai mbërrin në Downing Street në kushte krejtësisht të ndryshme nga ato të Blair. Laburistët e Rinj, e morën pushtetin në vitet 1990 në valën e një ekonomie në rritje.

Blair nisi zbatimin e reformave nën moton “Cool Britannia”, por në një farë mënyre ai ishte një produkt i vetë saj. Optimizmi i tij, mishëroi lëvizjen e Anglisë së vjetër që dilte nga zhgualli i saj dhe shkonte drejt horizonteve të reja. Për këtë arsye, ai ishte avokati i një globalizimi liberal, në një farë kuptimi trashëgimtari më konsekuent i Margaret Thatcher.

Ndërkaq, Starmer e gjen veten me një trashëgimi të rëndë mbi supet e tij:një vend i mbyllur në vetvete, që po përballet ende me dëmet e Brexit, me financat në disbalancë, dhe me shërbimet publike, kryesisht kujdesin shëndetësor, që kanë hyrë në kolaps.

Gjendja e përgjithshme është e zymtë dhe motoja laburiste që nga vitet 1920 është “Securonomy”, ekonomia e sigurisë, që nënkupton ndërhyrjen e shtetit për të mbrojtur grupet më të dobëta. Por mbi të gjitha nuk ka më para në arkë për të shpenzuar për reforma të mëdha. Nga ana tjetër, ka ndryshuar edhe bota përreth.

Epoka e Blair, ishte ajo e botës unipolare dhe e modelit perëndimor triumfues:edhe nëse ai e gjeti armikun e tij në luftën e Irakut të vitit 2003, e cila e dënoi me një mungesë të përhershme të popullaritetit. Ndërkohë Starmer, do të duhet të përballet me mundësinë e një konflikti të armatosur në Evropë, rezultat i agresionit rus kundër Ukrainës dhe i revanshizmit të Vladimir Putin.

Nuk është se prania e liderit laburist në Downing Street ngre dyshime, ai është një atlantist i bindur, dhe i vendosur në mbështetjen e tij për Kievin. Madje në shumë deklarata e ka ripohuar besimin e tij në parandalimin bërthamor që zotëron Britania. Por paqja botërore që synonte dikur Blair, sot nuk shihet gjëkundi në horizont.

Megjithatë, ekziston një fije që e lidh Blair me Starmer:dihet që djemtë dhe vajzat e shkëlqyera që punojnë në TBI, Tony Blair Institute (i përcaktuar si “McKinsey i të fuqishmëve të botës”) do të përbëjnë shtyllën kurrizore të administratës së re laburiste. Kështu arkitekti i New Labour, do të ketë edhe njëherë mundësinë të bëjë të dëgjohet zëri dhe ndikimi i tij. Por në fund Starmer do të jetë vetvetja, një lider laburist i shekullit XXI-të./Përshtati Pamfleti nga “Corriere della Sera”

keir starmer kryeministri i ardhshëm britania e madhe

Lini një Përgjigje

Editorial