
Tokat janë aty. Pronarët, po. Hajdutët gjithashtu. Kjo është koha për të dhënë llogari dhe Artan Lame duhet të rrijë gjatë në karrigen e SPAK-ut.
Më në fund i erdhi radha. Një prej kriminelëve më të famshëm të tjetërsimit të pronave, në bregdet dhe jo vetëm, Artan Lame, është paraqitur në SPAK. Dje z. Lam ka provuar për më shumë së 3 orë djersët e ftohta të marrjes në pyetje nga prokurorët dhe sipas informacioneve të dala, çështja ka qenë për historinë e legalizimeve në këmbim të votës për zgjedhjet lokale te vitit 2019.
Histori e njohur, në mos me dokumenta e vërtetuar me zë e figurë në filmimet e kësaj fushate elektorale. Lidhur me këtë rast, pak kohë më parë, u vunë në pranga një ish-punonjës i ALUIZNI-t dhe një ish kryeplak.
Pasi doli prej andej, z. Lam, edhe pse dukej i terrorizuar, u mundua të tregohej i qetë. “Jam thirrur, tha ai, si person në dijeni për një çështje që është nën hetim nga SPAK që ka lidhje me Kadastrën”.
Kështu tha ai, por Artan Lame nuk është një personazh që mund t'ia hedhë kaq lehtë. Krimet që ka bërë ai me pronat e shqiptarëve nuk mund të kalojnë me vetëm një, "jam në dijeni". Artan Lame ka qenë dirigjenti, Mon Kukaleshi dhe një nga ata që duhet të rrijë me javë duke dhënë llogari dhe në fund e ka vendin në burg.
Ekzistojnë prova të pakundërshtueshme se gjatë 10 viteve të pushtetit të tij absolut, Artan Lame ka bërë çfarë ka dashur me pronat. Ua ka vjedhur pronarëve dhe ua ka dhënë atyre që paguanin më shumë. Në filozofinë e z. Lam ka vend formula, "shko në gjykatë", për tokat e vjedhura prej tij. Në filozofinë e punës së tij, koordinatorët, mëkëmbësit e dhunimeve të pronarëve, me urdhër të drejtorit, ishin njerëzit që merrnim e ndanin zarfe, ditën për diell.
Z. Lam ka shumë për të paguar. E meqë e shkel më në fund pragun e SPAK, ne po ngremë sërish disa çështje për të cilat kemi folur, dhënë prova e denoncuar për vite. Po i risjellim si sugjerime tonat, për SPAK, me dëshirën që kryehajduti të shkojë aty ku e ka vendin
Meqë Artan Lame është në ato dyer, pasi të përgjigjet për çertifikatat e pronësisë që ka shpërndarë në këmbim të votave, le të përgjigjet edhe për 2000 regjistrat e zhdukur ose dëmtuar të pronave në Tiranë. Le t'i marrin edhe bashkëpunëtoret e tij, ato koordinatricat e ALUIZNI-t që i përdridheshin në zyrë e jashtë bënin ligjin.
Kur do të përgjigjet Artan Lame për lojën e 3 hartave që e shpiku vetë për ti mbivendosur sipas madhësisë së zarfit që i shkonte në zyrë? Kur do të përgjigjet për çertifikatat që i ka shpërndarë sipas hartës së interesit të çastit. SPAK e ka akoma ndër duar rastin e investitorit strategjik, Artan Gaçi, skandalet e Artan Dulakut e gaztorit Gaz Paja që kanë gëlltitur hektarë të tërë në breg të detit. Mbi cilën prej hartave që mbante në sirtar z. Lam kanë dalë dokumentet që i kanë hapur rrugë këtyre hajdutëve?
Le të përgjigjet Artan Lame për drejtorët e Durrësit e Vlorës që u nisën me urdhra prej tij, por ca dhanë dorëheqjen e ca përfunduan në burg. Pse? Pse eprori i tyre nuk ka dhënë akoma llogari?
Ku flinte lepuri deri tani? Pse shteti u dorëzua dhe kush duhej të përgjigjet para drejtësisë? Tani që mbaruan peshqit e vegjël a ka ardhur koha që kokat të shkojnë në burg?
Mbivendosja e pronave në bregdet është loja më e madhe që i është bërë ndonjëherë Shqipërisë. Ajo nuk krahasohet dot as me krimet e Enver Hoxhës.
SPAK e ka rastin në dorë. Le të japë llogari Artan Lame për letrat e firmosura gjatë fushatës së 2019. Qoftë ato të legalizimeve, qoftë ato të pronave. Edhe pse bëhet fjalë për një superskandal, drejtori i Kadastrës, Artan Lame, do të dënohej me burg përjetë edhe sikur të jepte llogari vetëm për administrimin e tokave të bregdetit gjatë viteve që ka qenë në drejtim.
Tokat janë aty. Pronarët, po. Hajdutët gjithashtu. Kjo është koha për të dhënë llogari dhe Artan Lame duhet të rrijë gjatë në karrigen e SPAK-ut./Pamfleti
Lini një Përgjigje