
Heshtja e Trump mbi masakrën e Gazës zbulon të vërtetën e ‘Parajsës’ së tij, biznes mbi varret e fëmijëve…
Izraeli ka intensifikuar bombardimet mbi Gaza City, duke mobilizuar dhjetëra mijëra rezervistë dhe duke e kthyer qytetin në një skenë të ferrit ku shifrat e viktimave, sidomos të fëmijëve, nuk janë më lajme por statistika të ftohta që përsëriten ditë pas dite.
Në Gaza, numrat janë kthyer në varre kolektive: mbi 19 mijë fëmijë të vrarë, qindra mijëra të zhvendosur, spitale që funksionojnë si morgje, e një qytet i tërë që digjet nën bombat e ushtrisë izraelite.
Ndërkohë, në Bregun Perëndimor, qeveria e Netanyahut ka miratuar ndërtimin e një kolonie të re masive, duke e prerë përfundimisht fijen e hollë të iluzionit për një shtet palestinez.
Europa mjaftohet me deklarata të zbehta për “shkelje të së drejtës ndërkombëtare”, ndërsa Shtetet e Bashkuara rrinë me njërën dorë mbi supin e Izraelit dhe me tjetrën mbi kontratat e armëve.
Në këtë skenë ferri, zëri i Donald Trumpit mungon. Hesht ai që para pak ditësh deklaronte me vetëbesimin e zakonshëm: “Dua të fitoj Parajsën.” Por kur shohim realitetin, bëhet e qartë se fjala “Parajsë” nuk ishte aspak një metaforë për paqen apo shpëtimin e njerëzimit. Trump nuk flet për parajsën e engjëjve të vegjël të vrarë në Gaza, as për parajsën e një bote pa luftë; ai flet për një parajsë tjetër, më tokësore, më cinike: për pastrimin e territoreve nga palestinezët dhe për projektet e tij të ardhshme në rivierën e Lindjes së Mesme.
Trump, biznesmeni që shndërroi politikën në show dhe diplomacinë në ankand, e sheh çdo tragjedi si një hapësirë ndërtimi. Çdo kamp refugjatësh është një parcelë për të ardhmen, çdo plazh i rrethuar me tel gjembaç është një resort i mundshëm, çdo det i kuq nga gjaku është një perspektivë për marina luksoze. Ky është kuptimi i heshtjes së tij. Nuk flet sepse pret. Pret të shuhet rezistenca, të dëbohen njerëzit, të zbrazen shtëpitë. Vetëm atëherë “Parajsa” e tij do të ketë tokë ku të ngrihet. Dhe nuk është rastësi që Budapesti i Orbánit është propozuar si skena e samitit Trump–Putin–Zelensky; është i njëjti stil: një teatër i rremë për “paqen”, ndërkohë që e vërteta luhet në terren me dhunë dhe gjak. Kjo është bota e autokratëve të sotëm.
Nëse e shohim me sy të kthjellët, “Parajsa” që kërkon Trump është thjesht një variant i sofistikuar i kolonializmit modern. Paqe për të fortët, dëbim për të dobëtit. Pushtet për ata që kanë avionë, ferr për ata që nuk kanë strehë. Ai e shpjegoi pa dashur: nuk do trupa amerikane në Ukrainë, por do avionë në qiell; nuk do diplomaci në Lindjen e Mesme, por do një shans për të futur në CV-në e tij një “marrëveshje historike”, ndërkohë që realiteti është një katastrofë humanitare. Dhe tek e fundit, nuk është i pari që hesht mbi Gazën. Heshtën Clintonët, heshti Bushi, heshti Obama, heshti Biden; por Trump ka aftësinë ta shesë këtë heshtje si një fitore, si një akt të mençurisë supreme./Pamfleti
Lini një Përgjigje