
Nga Vučić te klonet e tij; Evropa e re nuk duron më sundimtarë që bashkëpunojnë me mafien dhe flasin për reforma...
Nuk është thjesht një protestë. Nuk është thjesht një shpërthim i zemërimit qytetar për një tragjedi që mund të ishte shmangur.
Ajo që po ndodh sot në Serbi është paralajmërimi i parë serioz se epoka e autokratëve ballkanikë, perandorucëve të vegjël, që sundojnë me frikë, mashtrim dhe në aleancë me mafien, po i afrohet fundit. Aleksandar Vučić nuk është vetëm një figurë e izoluar; ai është simboli më i përkryer i një modeli qeverisjeje që ka e degraduar demokracinë në Ballkan në një farsë, ku pushteti trajtohet si pronë, shteti si biznes familjar dhe populli si një peng kolektiv.
Protestat që kanë shpërthyer në Serbi nuk janë një krizë politike, janë revoltë morale. Janë jehona e një populli që po thotë: mjaft! Dhe ajo që i jep kësaj lëvizjeje peshën historike që meriton, është fakti se nuk ka më frikë. Serbia po zgjohet. Dhe bashkë me të, po ndizet një sinjal alarmi për të gjithë Ballkanin: ajo që funksiononte dje, sot nuk pi më ujë.
Perëndimi nuk do të tolerojë më pseudodiktatorë që zbresin në Bruksel me buzëqeshje dhe kthehen në vendet e tyre duke denigruar opozitën, duke shtypur median dhe duke ndarë tenderët me bosët e drogës.
Aleksandar Vučić është duke e përjetuar këtë në kohë reale. Një president që dikur konsiderohej “stabilizator” rajonal, tani fshihet pas retorikës së konspiracionit, i frikësuar nga vetë populli i tij. E quan protestën “terrorizëm”, sepse nuk ka më gjuhë për të komunikuar me qytetarët përveç gjuhës së dhunës. Dhe ndërsa ai përpiqet të mbajë pushtetin me grusht të hekurt, bota po i sheh në sy mëkatet e tij.
Heshtja e deritanishme ndërkombëtare nuk do të zgjasë. Askush nuk do ta përqafojë një lider që ka humbur kontrollin, jo vetëm mbi mbi vendin e tij, por mbi realitetin.
Ky është fillimi i fundit jo vetëm për Vučić-in, por për të gjithë kastën politike ballkanike që ka ndërtuar karrierat mbi gërmadhat e institucioneve, mbi patronazhin, manipulimin dhe frikën. Ky sistem është konsumuar. Nuk është më as efektiv, as i justifikueshëm. Dhe as i dobishëm për aleancat strategjike perëndimore që kanë vendosur t’i thonë troç Ballkanit: Evropa nuk është më një klub ku hyhet me letra false dhe lidhje të errëta. Kush do integrim, duhet të pastrohet. Jo vetëm nga krimi, por nga mentaliteti feudal që e sheh pushtetin si çiflig dhe popullin si dele.
Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe çdo cep tjetër i këtij rajoni duhet ta lexojnë mirë këtë moment. Nuk ka më kohë për kalkulime politike. O je me qytetarët dhe demokracinë, o je me modelin që po vdes para syve tanë. Ky është momenti për të bërë ndarjen historike: me Ballkanin e vjetër, apo me një të ardhme të denjë për Evropë. Sepse Evropa nuk do t’i hapë më dyert atyre që sillen si padronë provincialë, që sundojnë përmes rrjeteve të nëntokës, që bashkëqeverisin me oligarkinë mafioze financiare.
Fundi ka filluar. Serbia është zjarri i parë. Këta janë muajt e fundit të një epoke. Dhe kush nuk e kupton, do të digjet bashkë me të./Pamfleti
Lini një Përgjigje