TAGS-AT E JAVËS

Editorial16 Gusht 2025, 09:24

Qeveria e re, Rama mban në ankth të tijtë; pse Babloku ruan me ‘fanatizëm’ listën?

Shkruar nga Pamfleti

Qeveria e re, Rama mban në ankth të tijtë; pse Babloku ruan me

Me një mazhorancë prej 83 mandatesh, në pamje të parë, Rama e ka të thjeshtë që të kalojë çdo kabinet qeveritar, aq më shumë që para tij, është e vështirë që të ngrenë kokë, klanet apo grupazhet…

Edi Rama, kryeministri që pret të nisë mandatin e katërt rradhazi duke vendosur një rekord jo thjesht në Shqipëri, duket se ka zgjedhur të mbajë në ankth të tijët, deri në sekondën e fundit përsa i takon kabinetit të ri qeveritar.

Takimin e fundit me drejtuesit e qarqeve dhe ministrat në detyrë Rama e zhvilloi më 24 korrik, ndërsa iu ka lënë 1 muaj afat për të paraqitur bilancet e punës së tyre, për të vijuar punën në terren, për t’u takuar me njerëzit dhe për të evidentuar problematikat në territor. 

Pas kësaj, një situatë emergjente me zjarret, nxorri në pah problematikën kryesore, atë që strukturat shtetërore janë pothuajse inekzistente lidhur me përballjen me situata të tilla, ku zjarrfikës e ushtarë vijojnë të përdorin mjete primitive për të luftuar flakët, ndërsa mungon një strategji jo vetëm për t'i parandaluar, por edhe për të vepruar në kohë.

Rama u mundua ta relativizojë çështjen duke thënë se zjarre, madje edhe më të mëdha, kanë përfshirë vende të tilla si Greqia, Turqia, Spanja, që kanë edhe flota ajrore kundër zjarreve, por sot nuk ka ende një bilanc të saktë se sa hektarë pyje, kullota, tokë u shkrumbuan nga flakët, sa janë dëmet që u shkaktuan te banorët e zonave rurale dhe sa përqind e territorit shqiptar, krahasuar me atë të vendeve që përmendi Kryeministri, ishte nën pushtetin e flakëve.

Me qetësimin e emergjencës nga zjarret, duket se e vetmja pikë për të cilën Kryeministri ka në agjendën e tij, të paktën për ta formalizuar është Qeveria e re. Pra, cilët do të jenë njerëzit që do të ulen në karriget e ministrave, kush do e drejtojë Grupin e PS-së dhe kush do të mbajë pozicionin e Kryetarit të Kuvendit, që praktikisht, është nr.2 i shtetit, bazuar në hierarkinë që përcakton Kushtetuta?

Flitet se pas datës 24 gusht, Kryeministri do të nisë lëvizjet, duke zhvilluar mbledhjen me ministrat në detyrë dhe drejtuesit e qarqeve, për të pasuar me një mbledhje të Asamblesë Kombëtare dhe Grupit të ri Parlamentar, ku do të shpalosë edhe emrat. Burimet bëjnë me dije se gjithçka pritet të mbyllet brenda 31 gushtit, ose në tre ditët e para të shtatorit. 

Deri më tani, ‘Babloku’ duket se po ruan me fanatizëm listën, edhe pse lart e poshtë, thuhet se mbi 50 % e ministrave aktualë nuk do të vijojnë funksionin e tyre. Me një mazhorancë prej 83 mandatesh, në pamje të parë, Rama e ka të thjeshtë që të kalojë çdo kabinet qeveritar, aq më shumë që para tij, është e vështirë që të ngrenë kokë, klanet apo grupazhet.

Pavarësisht ndonjë përplasjeje që mund të prodhohet mes tyre, përpara ‘Bablokut’ askush nuk ka guximin, që të ngrejë kokë. Dhe në këtë situatë Rama është komod, ai nuk ndjen presion, nuk ka pse të tentojë të ruajë ndonjë balancë apo të kujdeset për të përfaqësuar grupimet në Qeveri. Grupin Parlamentar pritet ta drejtojë një nga emrat me eksperincë apo siç konsiderohen ‘senatorët e PS’, ndërsa pjesa më e madhe e tij janë të rinj, që ndoshta do t’i duhen muaj për të mësuar procedurat parlamentare. Dhe gjithashtu, në krye të Kuvendit do të vendosë sërish një emër me eksperincë, ndoshta edhe për të menaxhuar supermacinë e numrave që ka në sallë.

Ajo çka Rama na ka treguar pas 11 majit është që ai synon të ketë nën kontroll territorin, policinë e organet e sigurisë, diplomacinë, ku vetes i ka dhënë atributet e një lideri global, si dhe procesin e anëtarësimit në BE, në të cilin bazoi edhe gjithë fushatën për zgjedhjet e fundit parlamentare.

Këtu Kryeministri pritet të emërojë ata që mund të konsiderohen në rradhët e PS-së si ‘yjet në ngritje’, edhe pse Babloku ka treguar ndër vite se nuk kanë një fund të mirë politik. Pozicionet e tjera në qeveri pritet të jenë një përfaqësim mes qarqeve, bazuar në peshën politike.

Flitet se të paktën dy emra do të jenë nga Diaspora, sikundër i pëlqen të konsiderojë shqiptarët që jetojnë prej vitesh jashtë vendit dhe që më 11 maj, i thelluan fitoren kundrejt opozitës. Dhe kjo mund të përbëjë risinë për mandatin e 4-t, edhe pse këto janë thjesht qarkullime idesh në rradhët e një partie, ku ‘Babloku’ zgjedh të suprizojë, pa u konsultuar.

Dhe nuk përjashtohet mundësia që në ndonjë rast, ai ose ajo që do të marrë portofolin ministror, të heqë dorë nga funksioni si drejtues qarku, apo qoftë edhe nga mandati i deputetit. /Pamfleti/

Lini një Përgjigje

Editorial