TAGS-AT E JAVËS

Editorial18 Gusht 2025, 10:40

Deal über alles*!

Shkruar nga Gjergj Zefi

Deal über alles*!

Kur ‘paqja’ blihet me territore, historia përsëritet si farsë...

Donald Trump, me plot vetëbesim prej negociatori të “Artit të Marrëveshjes”, sapo shpiku një plan paqeje për Ukrainën që do ta bënte krenar çdo ambasador rus.

Duket se Donald Trump ka zbuluar formulën magjike për paqen: mjafton që Ukraina të dorëzojë Krimenë, të heqë dorë nga NATO, dhe ja ku e kemi “fitoren”! E gjitha, natyrisht, me bekimin e Vladimir Putinit dhe me Zelenskyy-n që duhet të falënderojë SHBA-në që i ofroi një fund lufte me “më pak” territor e më “shumë” kompromis. Kaq. Paqe në letër, luftë në ndërgjegje, dhe sovraniteti i Ukrainës në tregun e lirë të diplomacisë amerikane.

Sipas Trumpit, Zelenskyy “mund të ndalë luftën pothuajse menjëherë”, mjafton të pranojë se Rusia e ka fituar me dhunë atë që nuk e fitoi me diplomaci. Dhe këtë duhet ta shesë si arritje historike. Nga Alaskë dhe në Uashington, Trump po sillet më shumë si avokat i interesave ruse sesa si president i SHBA. “Nuk dua më luftë”, thotë ai, por harron se pa drejtësi, paqja është kapitullim.

Zelenskyy, ndërkohë, i veshur me ngjyrat e rezistencës, nuk shkon në Shtëpinë e Bardhë për pazare, por për garanci. Në një kohë kur Kharkivi digjet nga raketat ruse dhe fëmijët vriten në krevat, Trump e shet “paqen” si produkt televiziv, ndërsa Evropa përpiqet të mbajë barrën morale të një lufte që i afron prapë kufijve të saj.

Ironikisht, e vetmja gjë që po e mban të bashkuar Evropën këto ditë është... heshtja. Nuk ka asnjë qëndrim të vendosur dhe mospranues ndaj këtij “propozimi”. A thua se nuk bëhet fjalë për precedentin më të rrezikshëm që nga viti 1938, kur Chamberlaini i dha Hitlerit Çekosllovakinë për të evituar një luftë që gjithsesi, shpërtheu.

Ky nuk është vetëm test për Ukrainën. Është test për të gjithë ne: kush je ti në momentin kur të tjerët vendosin për ty duke i kthyer shpinën Drejtësisë? Dëshmitar i heshtur? Apo zë kritik që thotë: nuk shitet territori për një qetësi të stisur?

Kjo nuk është diplomacy, është pazari i një shitësi ambulant që ofron “paqe” me çmimin e sovranitetit. Nëse kjo është Amerika që “mbron demokracinë”, atëherë ndoshta Rusia e ka shkruar skenarin që nga fillimi./Pamfleti

 * "Deal"- obsesioni i Trump me marrëveshjet, edhe kur ato bien ndesh me moralin apo të drejtën ndërkombëtare.

*  "über alles" është një frazë gjermane historikisht e ngarkuar (nga fraza “Deutschland über alles”), që evokon një lloj arrogance supremacie për ta ofruar “marrëveshjen” si fetish absolut, mbi gjithçka: mbi ligjin, viktimat, territorin, sovranitetin.

deal uber alles trump zelensky

Lini një Përgjigje

Editorial