TAGS-AT E JAVËS

Editorial17 Gusht 2025, 15:38

Një tjetër pritë kundër Zelensky-t në Zyrën Ovale?

Shkruar nga Martha Kelner
Një tjetër pritë kundër Zelensky-t në Zyrën Ovale?
Trump-Zelensky

Ndryshe nga Putini që u prit si mbret, Zelensky rrezikon sërish të pritet si herën e kaluar...

Nuk do të ketë qilim të kuq, as avionë në qiell, as duartrokitje kur Volodymyr Zelenskyy të mbërrijë në Uashington DC të hënën.

Por kujtimi i hidhur i vizitës së tij të fundit në Shtëpinë e Bardhë do të zërë një vend të spikatur në mendimet e presidentit ukrainas.

Në shkurt, ai u tall nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, sepse nuk mbante veshur kostum, përpara se të nxirrej nga ‘lokali’ herët, si një klient i padisiplinuar.

Zelenskyy e di se po rrezikon një tjetër pritë në Zyrën Ovale, por duhet të paraqitet si një pjesëmarrës i gatshëm në bisedimet e paqes, nga frika se mos portretizohet si pengesë për një zgjidhje.

Fillimisht pati një optimizëm të matur në Kiev pas samitit të Trump me presidentin rus Vladimir Putin, sepse dukej se nuk ishte arritur asnjë marrëveshje midis Uashingtonit dhe Kremlinit pa praninë e Ukrainës, asaj që ata i trembeshin.

Por ai pozitivitet i përmbajtur u zhduk shpejt me publikimin e një deklarate nga Trump mëngjesin pas natës së kaluar.

Në kulmin e një takimi me njeriun e fortë Putin, ai dukej se kishte braktisur gjënë e vetme kyçe që udhëheqësit evropianë i kishin ngulitur në mendje, se duhej të kishte një armëpushim pa kushte në Ukrainë, si një pikënisje absolute për një zgjidhje të përhershme.

Trump me sa duket kishte arritur në përfundimin se nuk kërkohej armëpushim. “Mënyra më e mirë për t’i dhënë fund luftës së tmerrshme midis Rusisë dhe Ukrainës... është të shkojmë direkt në një marrëveshje paqeje”, shkroi ai në llogarinë e tij në rrjetet sociale Truth.

Kjo shkaktoi tronditje në Kiev.

Shumë njerëz atje dhe gjetkë besojnë se Rusia nuk ka ndërmend ta ndalë luftën ende dhe do të përdorë avantazhin e saj ushtarak në fushën e betejës për të ushtruar presion mbi Ukrainën në negociata të zgjatura, që të heqë dorë nga më shumë territor.

Ndërkohë, masakra e ukrainasve do të vazhdojë.

Ajo që e bën më dramatike është fakti se Trump para takimit tha se nuk do të ishte i lumtur nëse Putini nuk do të binte dakord për një armëpushim, dhe madje premtoi "pasoja të rënda".

Megjithatë, tani raportet sugjerojnë se Trump po i jep besim qëndrimit rus, në një telefonatë me Zelenskyy-n, ai i paraqiti propozimin e Putinit që Ukraina të heqë dorë nga edhe më shumë territor, në këmbim të përfundimit të luftës.

Presidenti ukrainas, pa dyshim, do të jetë shqetësuar kur ka parë fotot e Putinit duke u pritur si mbret në një bazë ushtarake amerikane në Alaska. Kjo është në kontrast të drejtpërdrejtë me mënyrën se si u prit ai në tokën amerikane.

Në orbitën e Trumpit gjithçka është një garë personalitetesh, dhe aty ku ai ka një respekt shumë të dukshëm për Putinin, ai ka përbuzje për Zelenskyn. Kjo e bën pozicionin e ukrainasit shumë të vështirë. /Përshtati “Pamfleti” nga “Sky News”

Lini një Përgjigje

Editorial