Trump kërkon Parajsën, ndërsa 19 mijë engjëj të vegjël bien në ferrin e Gazës...
Donald Trump premtoi mbrëmë se nuk do të dërgojë trupa amerikane në Ukrainë, por do ta mbrojë nga qielli. E tha me bujë: “Dua të fitoj Parajsën”. Ironi më të madhe nuk mund të ketë. Ndërsa Donaldi e shet parajsën e tij të rreme, bota përditë rrokulliset në ferr.
“Dua të fitoj Parajsën.” Këtë e thotë një njeri që mendon se parajsa është një podium, një samit me kamera, një selfie me Putinin dhe ndonjë firmë që do ta quajë “marrëveshja e shekullit”.
E ndërsa Donaldi llogarit biletën e tij për në Parajsë, bota është zhytur në ferr. Në Gaza, mbi 19 mijë fëmijë janë vrarë; jo ushtarë, jo gjeneralë, por fëmijë që nuk dinin as ta shkruanin fjalën “luftë”. Engjëj të vegjël që u shuan pa zë, ndërsa superfuqitë bëjnë ‘show’ me “paqen” e tyre.
Në Ukrainë, qytetet janë rrafshuar dhe njerëzit jetojnë në bodrume, por Trump kërkon të luajë rolin e ndërmjetësuesit në Budapest, në skenën e preferuar të Orbánit, ku Putini hyn si perandor dhe Zelensky sillet si peng. Dhe krejt ky teatër shitet si “rruga drejt parajsës”.
Le ta themi hapur: kjo nuk është parajsa, por pazari i radhës. Pazar për territore, për influencë, për imazh. Parajsa e Trumpit është një sallon me drita dhe mikrofonë, ku ai ngjitet si aktor i madh dhe shpall “paqen” në një kohë që fëmijët e Gazës e Ukrainës vazhdojnë të dergjen në ferr. Nëse parajsa ka vërtet një portë, është e qartë se Donaldi do ta kërkojë hyrjen VIP, bashë me Putinin përkrah, Orbánin si prift dhe Zelenskyn si dekor. Por engjëjt e vegjël të Gazës nuk do ta presin aty. Ata janë në parajsën e vërtetë, ku nuk hyhet me avionë luftarakë, as me fjalime boshe.
Pra, a do të shkojë Donaldi në Parajsë?
Po, në parajsën e tij prej biznesmeni, prej aktori cirku, ku ferri i botës i shërben si skenografi. Dhe ky është fundi i madh i farsës: një president që shet parajsën, ndërsa njerëzimi jeton ferrin./Pamfleti
Lini një Përgjigje