TAGS-AT E JAVËS

Editorial26 Qershor 2025, 16:35

‘Nobeli’ Trump, ‘Matrioshka’ Putin dhe ‘paqja’ si mall tregu

Shkruar nga Gjergj Zefi

‘Nobeli’ Trump, ‘Matrioshka’ Putin dhe

Pa paqe në Gaza, çdo marrëveshje është veç një tjetër kapitull në librin e hipokrizisë globale...

Kur Irani dhe Izraeli shkëmbyen raketa, bota ndjeu një ‘déjà vu’. Skenari ishte i njohur: paralajmërime, kërcënime, goditje kirurgjikale dhe një sërë deklaratash për “përmbajtje” nga fuqitë e mëdha.

Kjo ishte hera e parë që lufta nisi me dronë dhe përfundoi me ‘status’-e në Twitter.

Netanyahu, i cilësuar shpesh si mjeshtër i mbijetesës politike përmes krizave të inskenuara, e kishte paralajmëruar botën për dekada: “Irani është kërcënimi ekzistencial”. Ai madje vizatoi një bombë në podiumin e OKB-së, një simbol që i ngjante më shumë një loje ‘Lego’ sesa një analize të inteligjencës ushtarake.

Ndërkohë, Irani, mjeshtër në gjuhën e rezistencës dhe simbolikës islamike, reagoi siç pritej: me një goditje precize në një bazë amerikane në Katar, një bazë që ishte bosh, tashmë. Edhe Teherani, duket, preferon “të flasë fort, por të godasë lehtë”.

E gjithë kjo ndodhi, ndërsa në Gaza, mijëra civilë ende jetojnë nën strehim, pa ujë, pa energji, pa shpresë. Asnjë deklaratë e Netanyahut, asnjë rezolutë e OKB-së nuk i përmendi ata në lajmet e mbrëmjes.

Loja e madhe

Në prapaskenë, dy figura ndërkombëtare kanë ndërtuar kornizën e kësaj loje të re: Donald Trump dhe Vladimir Putin.

I pari, një orator i paepur përmes rrjeteve sociale, e prezanton veten si paqebërësin mes Lindjes së Mesme, njëfarë ‘Mesie’ bërthamore që shpërndan armë dhe mbledh ‘Nobel’-e.

I dyti, një strateg që nuk e lë asnjë krizë të shkojë dëm, e përdor tensionin për të çimentuar kontrollin mbi Ukrainën dhe për të ofruar “stabilitet alternativ” përmes OCS-së dhe BRICS-it.

Në fund, nëse ndodh ndonjë armëpushim, do të na shitet si një marrëveshje historike. Por të mos gënjehemi: kjo nuk është paqe, është pezullim i përkohshëm i agresionit për arsye taktike.

E kush fiton?

Trump, që do të lavdërohet për de-përshkallëzimin? Putin, që ruan imazhin e liderit të qetë përballë kaosit perëndimor? Apo Netanyahu, që e kthen frikën në vota?

Një gjë është e sigurt: humbësit janë të zakonshmit; fëmijët në Rafah, refugjatët në Hormuz, civilët në Tel Aviv dhe Teheran që jetojnë me frikën e sirenave.

Nëse kjo botë do të kishte një sens drejtësie strategjike, fjalët “armëpushim”, “mbrojtje civile”, “dialog” nuk do të ishin terma të përdorur vetëm pas një shpërthimi bërthamor. Pa paqe në Gaza, çdo marrëveshje është veç një tjetër kapitull në librin e hipokrizisë globale./Pamfleti

nobeli trump matrioshka putin paqja si mall tregu

Lini një Përgjigje

Editorial