TAGS-AT E JAVËS

Editorial 2 Dhjetor 2025, 10:48

Iluzionet e paqes në emër të stabilitetit

Shkruar nga Gjergj Zefi

 Iluzionet e paqes në emër të stabilitetit

Si diplomacia perëndimore po ndërton një rend botëror që shpërfill të vërtetën, fal krimet dhe barazon viktimën me agresorin për të ruajtur “qetësinë”…

Në botën e sotme, ku imazhet e masakrave transmetohen në kohë reale dhe ku krimet kundër njerëzimit nuk janë më sekrete, por të dokumentuara në çdo detaj, diplomacia perëndimore vazhdon të përpiqet të imponojë një version “neutral” të paqes, ku të gjitha palët janë njësoj përgjegjëse, dhe e vërteta është vetëm një “perspektivë”.

Ky është iluzioni i madh i paqebërjes perëndimore: një arkitekturë diplomatike që në vend të drejtësisë, ofron barazi morale midis viktimës dhe agresorit. Dhe kjo po ndodh gjithandej; në Gaza, në Ukrainë, në Sudan, në Nagorno-Karabakh, në Etiopi apo edhe më herët, në Ballkan.

Modeli është i qartë: në momentin që një konflikt kalon në fazën e ndërkombëtarizimit, fillon edhe procesi i “rrafshimit” të së vërtetës. Krimet e luftës bëhen çështje “narrative”; genocidi relativizohet si “interpretim”; dhuna strukturore zhvishet nga konteksti historik; dhe ndërkombëtarët vijnë me terminologji sterile si “pjesëmarrje gjithëpërfshirëse”, “dialog ndërkomunitar”, apo “perspektiva të ndryshme”.

Në këtë skenar, palestinezët që masakrohen në Gaza trajtohen si palë që “duhet të dëgjojnë dhe të falin”, ukrainasit që luftojnë për të mbijetuar udhëzohen të tregojnë mirëkuptim për “shqetësimet e sigurisë ruse”, dhe popujt që përjetuan spastrime etnike; nga boshnjakët deri tek tigreanët, ftohen t’i përulen një paqeje që nuk i njeh vuajtjet e tyre.

Iluzioni funksionon përmes gjuhës. Përmes konferencave “ndërfetare”, trajnimeve për “mësim empatie” dhe projekteve për “dëgjim aktiv”. Ky është mekanizmi me të cilin fuqitë perëndimore, sidomos Bashkimi Europian dhe disa agjenci të OKB-së, e transformojnë krizën në një çështje menaxhimi Teknik dhe jo moral. Aty ku duhet një gjykatë ndërkombëtare, ofrohet një “dialog”. Aty ku nevojitet ndëshkim për agresorët, propozohen projekte artistike për “zhvillim narrativ”. Në vend të drejtësisë, ofrohet kujtesa selektive.

Kjo nuk është thjesht dështim etik, është strategji. Një strategji që i shërben ruajtjes së një rendi global ku aleancat politike dhe interesat ekonomike janë më të rëndësishme sesa e drejta ndërkombëtare.

Paqja, në këtë formulim, është një produkt në shitje. Dhe si çdo produkt, duhet të jetë e pranueshme për të gjithë: edhe për viktimën që ka humbur gjithçka, edhe për agresorin që gëzon imunitet diplomatik. Ky barazim absurd nuk prodhon qetësi, por heshtje të detyruar.

Shembulli më i fundit është Gaza. Ndërsa dhjetëra mijëra civilë janë vrarë, dhe infrastruktura e një populli shkatërrohet me qëllim, shumë qeveri perëndimore nuk arrijnë të përdorin fjalën “gjenocid”. Ato flasin për “situatë humanitare”, për “nevojë për de-përshkallëzim” dhe për “të drejtën për vetëmbrojtje”, për të dyja palët. Madje edhe kur dokumentet flasin vetë, diplomacia hesht ose ngre duart. Ky nuk është pasivitet, është zgjedhje.

Në të njëjtën kohë, paqebërja perëndimore e sheh dhunën si një fazë të kalueshme drejt stabilitetit, jo si një simptomë të një rendi global të sëmurë. Kjo filozofi ka për qëllim të mbyllë plagët, jo t’i shërojë ato. Dhe kur plagët mbyllen me dhunë, ato qelbëzojnë nën sipërfaqe, gati të shpërthejnë sërish. Historia e pasluftës në Bosnje, trauma e pazgjidhur në Etiopi, shpërthimi i papritur në Nagorno-Karabakh, janë dëshmi e këtij procesi: nuk ka paqe të qëndrueshme aty ku nuk ka të vërtetë dhe drejtësi.

Rrjedhimisht, ajo që po sheh bota sot është një riformulim i të vërtetës sipas nevojës politike, dhe një “paqebërje” që më shumë i ngjan amnistisë për krimet sesa ndërtimit të një bote më të drejtë. Kur paqja bëhet qëllim në vetëvete, ajo humbet funksionin e saj etik. Dhe kur diplomacia hesht përballë gjenocidit, ajo pushon së qenuri civilizuese dhe bëhet bashkëfajtore./Pamfleti

 

iluzionet e paqes në emër të stabilitetit gjergj zefi

1 Komente

  1. A
    A.K.

    Shume drejt e ke,po ketu po harxhohen miljarda,si te vresim njerez dhe te shkaterrojme,sa te mundemi.Ku do shkojne keto shpenzime,pervecse ta bejene te shpertheje kur te duan "ATA"ate qelbin,qe do mbulojne. Kjo do zgjidhet vetem atehere kur nje brez i ri,te kundershtoje te shkoje ne lufte,cila do qofte ajo,pasi te gjitha per mendimin tim jane te planifikuara dhe keta,qe drejojne ,jane vecse aktore te lojes madhe,Mjere ato nena,qe humbin femijet e tyre.

    Lini një Përgjigje

    Editorial