Një marrëveshje e heshtur mes Beogradit dhe Budapestit po i jep MOL-it hungarez kontrollin e NIS-it serb, ndërsa Rusia fshihet pas flamurit të BE-së.
Shitja e industrisë strategjike të naftës NIS nga Gazpromi rus te kompania MOL e Hungarisë po paraqitet si bashkëpunim ekonomik “miqësor”, por në thelb është një riciklim i ndikimit rus në Ballkan përmes një aleati politik të Kremlinit. Në vend që të zgjidhë varësinë energjetike të Serbisë dhe rajonit, kjo marrëveshje e thellon atë, duke rrezikuar sigurinë energjetike dhe balancat gjeopolitike në gjithë Ballkanin Perëndimor. Shqipëria dhe fqinjët duhet të jenë vigjilentë për pasojat afatgjata që një operacion i tillë i “zbardhur” mund të sjellë në strukturën energjetike dhe politike të rajonit.
Në Ballkan, çdo kontratë nafte është më shumë se ekonomi, është gjeopolitikë e veshur me flakë, me hije të mëdha në prapaskenë dhe interesa që zgjasin shumë më tej se një fushë nafte. Kjo është pikërisht ajo që po ndodh me tentativën për shitjen e NIS-it, industrisë kombëtare të naftës së Serbisë, nga duart e Gazprom Neft-it rus drejt MOL-it hungarez; një skenar që po përshkruhet me metafora të ëmbla si „burek miqësor“ nga propaganda zyrtare në Beograd dhe Budapest, por që për publikun dhe për sigurinë energjetike të rajonit përfaqëson një minë të heshtur.
Kjo marrëveshje, ende jozyrtare, por gjithnjë e më e artikuluar nga burime politike dhe diplomatike, është një nga lëvizjet më të rafinuara në skenën ballkanike të pas-luftës në Ukrainë. Që prej vendosjes së sanksioneve ndaj kompanive ruse, përfshirë Gazprom-in, Serbia ndodhet në pozitë të vështirë; zyrtarisht pro-perëndimore, por praktikisht e lidhur me arterie jetike ekonomike e energjetike me Rusinë.
NIS është simboli më i qartë i kësaj lidhjeje. Krijuar nga shteti jugosllav, shitur më pas me çmim simbolik te rusët, NIS është sot një nga pikat më strategjike të kontrollit të energjisë në Ballkanin Perëndimor.
Në këtë kontekst, transferimi i pronësisë nga Gazpromi rus te MOL-i hungarez nuk është thjesht një veprim ekonomik. Është një operacion gjeopolitik i zgjuar, një formë „zbardhjeje“ e kapitalit rus përmes një shteti anëtar të BE-së, Hungarisë së Viktor Orbanit, i cili prej vitesh luan rolin e portës së pasme për interesat e Kremlinit në Evropë. Ky është thelbi i kësaj skeme: Rusia nuk largohet nga NIS, ajo thjesht ndryshon fytyrë, vesh një maskë evropiane dhe ruan ndikimin e saj në mënyrë indirekte, përmes partnerëve të besuar.
Presidenti Vuçiç, në mënyrë të kujdesshme, po e paraqet këtë si një fitore të diplomacisë ekonomike. Një bashkëpunim mes dy kombeve mike, me retorikë tradicionaliste që i shet qytetarëve „burek me miell të huaj“, por me përbërës të kontrolluar nga lart.
Në realitet, Serbia po humbet kontrollin mbi një nga pasuritë e saj strategjike më të mëdha, dhe po e dorëzon atë në një rreth të ngushtë interesash që i shërbejnë më shumë stabilitetit të regjimit të tij sesa interesit afatgjatë të vendit.
Për më tepër, kjo marrëveshje përbën një precedent të rrezikshëm për gjithë rajonin. Një kompani me lidhje të thella me qeverinë hungareze, e cila ka ndërtuar reputacionin e saj për interesa të përqendruara dhe mungesë transparence, mund të zëvendësojë një aktor rus në një prej tregjeve më të brishta të Evropës. Kjo e zhvendos kontrollin e energjisë nga lindja drejt një aleati të lindjes, por nuk e çliron atë. Përkundrazi, krijon një strukturë më të vështirë për t’u ndëshkuar dhe më të lehtë për t’u fshehur nga vëzhgimi perëndimor.
Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit duhet ta lexojnë me kujdes këtë zhvillim. Sepse çdo ristrukturim i tregut energjetik serb ndikon drejtpërdrejt në rrjetet rajonale, në kontratat ndër-shtetërore, në balancat e import-eksportit dhe, përfundimisht, në sigurinë kombëtare. Nëse Serbia vendos të bëhet platformë logjistike për interesat energjetike të Budapestit (dhe të Moskës pas perdes), atëherë projekti i pavarësisë energjetike rajonale rrezikon të bëhet një iluzion./Pamfleti
Ja politika ekonoimike vari ka... Ameriqene e Euroqene. Kush te zhvase sa me shume e kane shpikur stilin NDIQNI PARANE ku nje te varferi i kontrollojne edhe karrotat qe ble ne treg e ndersa miliardere e faqezinj pushter te tjere tallin bythen me popujt. Na doli pra edhe nje linje tjeter e "transportit" te naftes. Bote legenash e mashtruesish. Si duket i mesojne nga AI qe kane shpikurte sundojne boten. Urraaa!