TAGS-AT E JAVËS

Editorial27 Nëntor 2025, 12:46

Viktor Orbán në Suboticë: Kufijtë nuk lëvizin vetëm me tanke

Shkruar nga Gjergj Zefi
Viktor Orbán në Suboticë: Kufijtë nuk lëvizin
Viktor Orban dhe Aleksandar Vuçiç /

Në hijen e një ceremonie memoriale, Hungaria dhe Serbia nënshkruajnë pa zhurmë një aleancë të re politike në Ballkan, ndërsa shqiptarët heshtin...

Vizita e befasishme e Viktor Orbán në Suboticë, nën arsyetimin zyrtar të marrjes së një çmimi memorial, është një akt politik me peshë që shkon përtej ceremonialit lokal.

Në skenën e një qyteti të përzier etnikisht, ku komuniteti hungarez ruan ende peshë politike dhe simbolike, Orbán nuk erdhi vetëm për të nderuar të ndjerin Ištvan Pastor, por për të dërguar një mesazh gjeopolitik që prek edhe interesat shqiptare në rajon.

Orbán dhe Vuçiç shfaqen si dy liderë që po hartojnë një aleancë rajonale të mbështetur mbi nacionalizëm të kontrolluar, integrime të përzgjedhura dhe një Evropë “të filtruar”, ku lojaliteti ndaj Brukselit është gjithnjë relativ.

Serbisë i duhet një mburojë e brendshme europiane, Hungarisë i duhet një aleat besnik në jug që e ndihmon të zgjerojë ndikimin. Të dyja palët e përdorin çështjen e minoriteteve për të ndërtuar ura ndikimi; Vuçiç me serbët jashtë, Orbán me hungarezët në Vojvodinë, Sllovaki, Rumani e përtej.

Ky “çmim miqësie” është në fakt një trofe i heshtur për doktrinën Orbániste: një Ballkan që përkrah autokracitë e kontrolluara, ku lojtarët lokalë e shohin demokracinë si një mjet, jo si një qëllim. Orbán e njeh mirë terrenin ku ndodhet, një periferi e lëkundur e BE-së, ku çmimet dhe ceremoni të tilla përkthehen në pushtet simbolik. Në këtë kuptim, Subotica nuk ishte një stacion i rastësishëm. Ishte një pikë sinjali.

Për shqiptarët në rajon, ky zhvillim duhet lexuar me kujdes. Nuk është çështje serbo‑hungareze, por pjesë e një harte të re ndikimi, ku aleancat ndërtohen mbi baza historike, etnike dhe energjetike, jo gjithmonë në përputhje me interesat perëndimore dhe me integrimin e vërtetë europian. Një Hungari që rrit ndikimin në Serbi, është edhe një BE më e ndarë për Ballkanin. Një Serbi që përqafon Orbánin, është një fqinj më i paparashikueshëm.

Për shqiptarët në Luginën e Preshevës, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, ky afrimitet serbo‑hungarez duhet të ngrejë alarmin diplomatik. Aleancat që zyrtarisht promovojnë “bashkëjetesën ndëretnike”, në realitet janë platforma të kontrollit të minoriteteve për qëllime të brendshme politike.

Ashtu si Orbán përdor hungarezët e diasporës për të forcuar pushtetin në Budapest, Vuçiç ka ndërtuar një rrjet paralel institucional me serbët në veri të Kosovës dhe në pjesë të Maqedonisë së Veriut. Ndaj, çdo akt i tillë, sado ceremonial të duket, është pjesë e një strategjie të ngadaltë për të vendosur kontroll mbi rajonin përmes “miqësive të zgjuara”. Heshtja e Tiranës dhe mungesa e reagimit nga Prishtina e Shkupi e bën këtë edhe më shqetësuese. Në një Ballkan ku ndikimet po rindahen, kush hesht, humb./Pamfleti

viktor orban subotiva aleksandar vuçiç

1 Komente

  1. T
    Tony

    Si te ushqehesh me ushqim serbi cfare mund te presesh.

    Lini një Përgjigje

    Editorial