Problemi më i madh për Sali Berishën është afrimi i konsensusit politik, çka mund ta kthejë atë në një fuqi irilevante.
Problemi më i madh i Sali Berishës nuk janë proceset penale ndaj tij. Berisha, sapo u shpall Non- Grata nga SHBA dhe më pas nga Britania e Madhe, është përgatitur për hapjen e dosjeve ndaj tij. Madje është përgatitur që me botimin e librit “Çuna dhe armë” që më pas u bë film Hollivudi e që fliste për Gërdecin.
Doktori ka shpenzuar energji e asete pa fund që të bllokonte me sa mundej këto procese, ose më saktë t’i shtynte për të provokuar ndryshime politike por nuk ja arriti.
Qënia në arrest shtëpie, ku edhe nëse dënohet ka gjasa të jetë ashtu, nuk se i prish punë Sali Berishës, pasi doktori edhe pse ka një mungesë lirie, nuk ka qenë ndonjë libertin apo tip bohemi që shijonte jetën e rrugës.
Dreka apo darka jashtë për Sali Berishën ka qenë ndonjë eksepsion pune, pasi e gjithë jeta e tij ka qenë punë-shtëpi. Një regjim spartan, që të gjithë ja njohin. Ka pasur shumë rradhë drekë jashtë shtëpisë apo fundjava. Me fjalë të tjera, doktori në një farë mënyre, arrestin e shtëpisë e ka pasur një regjim të zgjedhur me dëshirë. E për këtë, ka marrë vlerësim elektoral nga ajo pjesë e njerëzve që e pëlqen një njeri spartan, të mos rrijë lokalesh e bëhet çakërqejf. Ndërkohë që të gjithë le ta themi bohemët, liberalët, njerëzit mendje hapur, e kanë anatemuar Berishën, jo se bën një jetë asketike, por kërkon që këtë mentalitet, kërkon ta imponojë në shoqëri.
Megjithatë, Berisha, siç ndodh me të gjithë hipokritët e jo liberalët, më shumë se një natë me shoqërinë, një dëfrim pa doganë e një kënaqësi miqsh e mikeshash, ka dashuruar pushtetin si qëllim në vetvete. Fuqinë absolute të të vendosurit për gjithçka. Një panoramë e ngjashme me Edi Ramën, i cili gjithashtu kërkon të duket si asket. Por Rama ndryshon nga Berisha, se kur ishte i ri faqepadirsur i ka ‘nxjerr ujin e zi’ jetës boheme, si një djalë i llastuar elite e jo një njeri i thjeshtë nga fshatrat e Tropojës, si doktori.
Kjo sa për parantezë, për të treguar se nuk ka fare lidhje dosja penale, rastet gjyqësore që ti kemi argument për radikalizimin deri në ekstrem të qasjes së PD-së.
Sali Berisha, i cili është një politikan që punon me strategji e plan të qartë, që në fillim e ka menduar, ta përdorë sulmin ndaj tij, si një avantazh, pra të përfitojë. Siç ndodhi nga shpallja Non- Grata, kur nisi revoltën për marrjen e PD. Të cilën nuk e mori dot as me sulm e as me vota, por vetëm në marrëveshje me Edi Ramën. Të cilit, i leverdis Sali Berisha për disa arsye, e jo vetëm që është i dobët, por në radhë të parë sepse është një armik i Perëndimit. E kështu, Rama përfiton që të konsiderohet një zgjidhje adekuate edhe pse jo e pëlqyeshme.
Ndërkaq, problemi më i madh për Sali Berishën është afrimi i konsensusit politik në mënyrë të vazhdueshme, çka si kolegun e tij Ilir Meta, mund ta kthejë në një fuqi irilevante. Fiks siç është Vojoslav Shesheli në Serbi.
Këtë rrezik Berisha po e shikon çdo ditë e më shumë, e në sondazhet e fundit që nuk janë publikuar, ka një të dhënë edhe më alarmante për doktorin.
Sipas sondazhit PD e tij merr jo më shumë se 16 përqind, ndërkohë që partitë e reja, shkojnë deri në 17%. Pra ka një tendencë të zgjedhësve për të votuar të rinjtë, e kjo e ka alarmuar Berishën. Ndaj do të kryejë manovrën e 1997-s për të krijuar një zgjidhje të detyruar, përndryshe vjen Rama. Dhe në fakt Ramën në pushtet nuk e mban kush përveç Sali Berishës./Pamfleti
Lini një Përgjigje