TAGS-AT E JAVËS

Editorial 4 Tetor 2024, 15:58

Pse vjen Rexhep Taip Erdoan në Tiranë?

Shkruar nga Pamfleti

 

Pse vjen Rexhep Taip Erdoan në Tiranë?
Rexhep Taip Erdoan /

Ka një hile tipike otomane, që është sa romane aq edhe bizantine. “Divida ed impera- përça e sundo”

Ka ndodhur një zhvendosje e fortë e axhendës së Erdoganit në Tiranë, i cili kishte përgatitur një vizitë provokatore. Duke tentuar që më 7 tetor, ditën e masakrës së Hamasit në Izrael, të shpaloste nga një vend evropian, qëndrimet e tij kundër Izraelit e pro Hamasit.

Por siç mësohet, kanë ndërhyrë fort amerikanët dhe e kanë ndaluar një provokacion të tillë. Vizita është shtyrë më 10 e 11 tetor.

Gjithsesi kjo vizitë nuk është nga ato klasiket, të planifikuara nga axhendat diplomatike, as e nxitur nga një zhvillim momenti, siç janë përshembull ndërtimet e banesave për të dëmtuarit nga tërmeti i vitit 2019, apo inagurimi i xhamisë së madhe të Namazgjasë.

Edhe pse Erdogan, mësohet se do të hyjë në xhaminë e madhe të falë një namaz akshami, e të flasë për investimin që e ka bërë Turqia. Të cilin Ankaraja tashmë ka vendosur që të mos ja dorëzojë Komunitetit Musliman Shqiptar, por një fondacioni paralel, që i bie të jetë një urdhër sovran, i ngjashëm me atë të bektashinjve, edhe pse nuk është as sekt as tarikat.

Këtu, ka një hile tipike otomane, që është sa romane aq edhe bizantine. “Divida ed impera-përça e sundo”, pasi synohet që të lobohet për një drejtues të ri të KMSH-së, ku qarqe që sponsorizohen nga Turqia po pompojnë njërin nga imamët e Tiranës, atë më viralin, që këput broçkulla në rrjete sociale më shumë se hoxhë Shefqet Krasniqi.

Megjithatë, mësohet se synimi i vërtetë i vizitës së Erdogan në Tiranë, është që të vendosë ‘kavanozin’ e radhës, pra të bëjë ofertën e parë, madje nuk është çudi që të sjellë edhe kaparin, e investimeve në rindezjen e industrisë ushtarake shqiptare.

Me fjalë të tjera, në ish-uzinat ushtarake, që do të ringjallen me një plan të qeverisë shqiptare, Turqia kërkon të ketë primatin e investimeve.

Burime diplomatike i thanë ‘Pamfleti’-t, se bëhet fjalë për investime të mëdha që Ankaraja ka siguruar nga Katari dhe vendet e tjera islamike për të ngritur një industri prodhimi dronësh të lehtë, për t’i shitur kudo, por kryesisht në Lindjen e Mesme dhe zonat e tjera të Luftës që tashmë mund të përhapet si ‘vaji në lakra’.

Deri tani, ka një kërkesë që Ukraina të ndërtojë një industri municionesh për dronë, të cilët i prodhon me shumicë në vendin e saj. Por Zelenski deklaroi pak ditë më parë se Ukraina po prodhon miliona dronë e miliona ton eksplozivë për to. Që do të thotë se kemi një tërheqje të Ukrainës nga plani fillestar, edhe pse jo totalisht.

Nga ana tjetër, edhe izraelitët, përgjithësisht investitorë nga Perëndimi, e që zotërojnë një teknologji të lartë në industrinë luftarake, kanë vendosur të komercializojnë brendet e tyre. Prej kohësh po flitet që në Shqipëri do të përqëndrohen kompani të teknologjisë së lartë izraelite. Të cilat kanë blerë edhe zyra e troje në kryeqytetin shqiptar. Këtë e di mirë Erdogan, ndaj dhe kërkon të marrë pjesën e vet, duke hyrë si ‘pilaf’ në mes ‘qofteve e biftekut’./Pamfleti

rexhep taip erdoan tirana

Lini një Përgjigje

Editorial