Të tre kanë vdekur, por nuk ka kush i varros...
E Ngarkuara me Punë Nancy Van Horn, ka disa ditë që ecën me “qiri” në dorë nëpër honet e kufomave të Qeverisë.
Pse nuk nderon edhe varrezat e opozitës, pëshpëritin ca shpirtra të këqij që kanë dalë nga varret e kanë rrethuar ca të vdekur të tjerë, që Shën Dumani i lë gropave të maleve të mallkimit, pa u hedhur nga dy lopata dhe..
Nëse ashtu u teket, të mos shohin se ambasadorja bëri fotografi edhe me Jorida Tabakun, ligjvënëse e opozitës, nuk e kanë dhe aq keq, pasi Tabaku nuk ka vdekur ende asnjë herë.
Po pse SPAK-u vetë, nuk po bën jetë Ferri nën dërrasat që ja gozhdojnë Sali dhe Shkëlzen Berisha, Ilir Meta, Engjëll Agaçi, Edi dhe Olsi Rama, Gjergj Luca, Geron e Agron Xhafaj, shoqëruar me ninulla nga Olta Xhaçka, Frida Krifca, Monika Kryemadhi dhe kori grave të kupolës së luksit?!
Kështu, edhe SPAK-u i bie të jetë kufomë.
Nuk mund të ndodhë ndryshe, sa kohë që vetë politika ngelet një varr i hapur.
Ajo që bën dallimin, është se thuajse tërë zyrtarët e 34 viteve të fundit, të vdekur janë.
Po pse i kemi nëpër këmbë e xhepa, mbi tokë e nën kokë?!
Se ose kemi prishur traditën, ose po shpikim një zakon të ri.
Të vdekurit nga ushqimi i tepërt nuk kanë zemër të fortë t’i varrosin fshatarët me barkun bosh.
Si ekspertë të ditarit diplomatik, do i luteshim Ambasadës Amerikane, t’i lëmë mënjanë llokmat e mëdha, se fshatarët kanë ngelur edhe pa stomak edhe pa dhëmbë.
Këta kur vdesin, vdesin prej vërteti e nuk ju hyjnë në punë as agjentët e FBI-së dhe DEA-s, as dërrasat e kalbura të urës Shqipëri- Amerikë, ku kalojnë vetëm banditët dhe patronazhistët.
Meqë jemi në vaktin e lutjeve dhe falënderimeve, do na nevojitej një varrmihës amerikan, nga ata që ka parë më shumë mëkate të groposura sesa skandale të suksesshme dhe pemë të mbjella.
Fshati ynë ka doke dakleate.
Asnjë prej fisit ilir, e kam fjalën për ata që nuk kanë aplikuar kurrë as për Lotarinë Amerikane, se duan të jetojnë këtu, por që pikërisht këta nuk i kualifikojnë patronazhistët e Bablokut as për të vizituar Amerikën, as nuk u shmangen detyrimeve ndaj shtetit, as nuk u besojnë syve të tjetrit më shumë se të vetëve.
Edhe 1 milion pemët që i kanë paguar për t’u mbjellë në Tiranë, i shikojnë si pyll i vdekur. Nuk ecën asnjëri nën hijen e tyre.
Fshatarët tanë, as varret nuk i hapin, ndaj po nuk erdhi një varrmihës amerikan, o Non- Grata, o Babloku do të ulen në tavolinat e temperaturës mes Shqipërisë dhe Amerikës, edhe pas zgjedhjeve parlamentare të pranverës.
Non Grata dhe Babloku e kanë nisur bashkë këtë lojë para 34 vitesh.
Ju që doni data nga kalendari otoman i fshatit tonë, në fillim të udhës, Saliu e anëtarësoi Shqipërinë në Konferencën Islamike dhe ca metra më afër nesh, Edi hodhi tutje tehu, poshtë këmbëve të veta, Flamurin Amerikan.
Të dy bëjnë lojë antiamerikane. Madje janë “vrarë” me njëri-tjetrin sa herë Amerika i ka kërcënuar me pranga.
Pra, këta që shohim nuk janë as opozita që duhet të ngjitet në Olimp e të betohet për ndershmëri, as Qeveria që po zbret në Mekë për të larë mëkatet e për të karikuar debulesën.
Të tre kanë vdekur, por nuk ka kush i varros.
Për dy lopata dhe që SPAK-u nuk ja hedh Ilir Metës, ka ngelur mbi dhe fantazma e floririt.
Për Liken, ka besueshmëri se nga brenda SPAK-ut e kanë njoftuar që këto ditë vjen një varrmihës amerikan e s’kanë ç’i bëjnë, do ja mbyllin gropën, prandaj figura nuk del askund rrugëve ku Saliu po vret Edi Ramën, nuk numërohet për të satën herë.
Kështu do të vazhdojnë këta, deri kur Amerika të na sjellë një varrmihës./Pamfleti
Lini një Përgjigje