TAGS-AT E JAVËS

Editorial 2 Dhjetor 2024, 10:22

Dështimi i turpshëm dhe i kushtueshëm i ‘Gjadrit’

Shkruar nga Pamfleti

Kjo qendër është produkt i një modeli çnjerëzor dhe shpërdorues nga qeveria e të djathtës në Itali dhe e së majtës në Shqipëri...

Dështimi i turpshëm dhe i kushtueshëm i ‘Gjadrit’

Qendra e emigrantëve në fshatin Gjadër, është sot një përzierje midis një kantieri në ndërtim dhe një strukture të braktisur. E re dhe e vjetër në të njëjtën kohë. Qendra, 20 kilometra larg portit të Shëngjinit, edhe aty një qendër tjetër, u projektua për të pritur ata që kërkojnë azil në Itali.

Me 880 vende dhe një qendër paraburgimi dhe riatdhesimi (CPR) prej 144 vendesh. Dhe në të treja qendrat nuk ndodhet aktualisht asnjë emigrant. Më 11 tetor qeveria italiane njoftoi hapjen e qendrave. Por sot në Gjadër ka ende shumë punë për t’u përfunduar. Ose ndoshta, të paktën për momentin, s’ka thuajse asgjë për të bërë.

Një javë më parë, Francesca Romana D’Antuono, bashkë-drejtuese e Volt Europa dhe 4 deputetë të tjerë nga grupimi pan-evropian, vizituan qendrën e emigrantëve në Gjadër. Gjatë një interviste për Linkiesta, D’Antuono thotë se punimet atje ende nuk kanë përfunduar.

Qendra e parë e pritjes ka aktualisht vetëm 350 vende në dispozicion, ndërsa ajo e paraburgimit 24, dhe në disa zona janë ende të pranishme makineritë që punojnë. “Por kur ishim ne aty, ato ishin fikur dhe askush nuk po i përdorte. Nuk mund të them me siguri nëse puna ishte ndalur apo jo. Megjithatë në të gjithë strukturën ka një ndjenjë të fortë braktisje”- shpjegon bashkë-presidentja e Volt Europa.

Gjatë javës së fundit, punonjësit socialë të Medihospes, që menaxhonte qendrat, i paketuan valixhet për t’u rikthyer në Itali. Vendimi i Gjykatës së Romës i datës 11 nëntor, për të mos quajtur të ligjshëm ndalimin e 7 emigrantëve në qendër, e bëri të padobishme praninë e tyre në anën tjetër të Adriatikut.

Aq më tepër që punonjësit e Medihospes paguhen në bazë të numrit të njerëzve që vijnë në objekt. “Menaxhimi” i hapësirës së qendrës, i është lënë një grupi shqiptarësh të ngarkuar me shërbimin shëndetësor dhe pastrimin, 12 agjentëve italianë (kur funksionojnë tërësisht të treja qendrat duhet të jenë 295) dhe 7 zyrtarëve me një rol administrativ.

Ndër ta, askush nuk merret me emigrantët. Javët e fundit, në Gjadër kanë qëndruar gjithsej 18 emigrantë, dhe vetëm për disa orë përpara se të dërgoheshin në Itali. Struktura që duhet të strehojë emigrantët është ndërtuar në një ish-bazë të Forcave Ajrore Shqiptare, e cila ishte braktisur prej disa vitesh.

Brenda është qendra për pritjen e azilkërkuesve, CPR, një burg i vogël, qendra mjekësore me një sallë operacioni ende në ndërtim, qendra e analizave dhe dhomat me nga 4 shtretër secila. Është e madhe dhe e izoluar nga gjithçka. Rruga për të shkuar atje nga fshati më i afërt është e vështirë.

Një katedrale në shkretëtirë. “A nuk mërziteni këtu?”- pyeti Romana D’Antuono disa agjentë të ngarkuar për të ruajtur qelitë bosh. Si përgjigje mori një ngritje supesh, dhe batuta “Po, s’ka asgjë për të bërë, por duhet të qëndrojmë këtu pasi na e kërkuan”.

Shefi i logjistikës në atë qendër ishte më optimist, të paktën në dukje. Sipas tij nëse do të aktivizohen procedurat, riatdhesimet do të funksiononin dhe madje shumë shpejt. Ai shtoi se qendra mund të trajtojë deri 3.000 kërkesa për azil në muaj. Një vlerësim aspak jo realist, duke pasur parasysh se në Itali përpunohen pak a shumë 3.000 kërkesa gjatë gjithë vitit.

Por duke lënë mënjanë qëllimet e mira, është fakt që qendra për emigrantët e krijuar nga qeveria italiane na kushtoi 60 milionë euro vetëm për ndërtimin (të cilave u duhen shtuar 300 mijë euro në ditë për funksionimin e anijes përgjegjëse për transportin e emigrantëve të shpëtuar në ujërat ndërkombëtare deri në portin e Shëngjinit).

Në një kohë që shpenzimet gjatë 5 viteve të ardhshme vlerësohen në rreth 1 miliard euro. “Kjo qendër është produkt i një modeli çnjerëzor dhe shpërdorues nga qeveria e të djathtës. Ne si Volt jemi kundër kësaj qasjeje dhe propozojmë një model integrimi bazuar në solidaritetin midis vendeve evropiane. Një model, që lejon një mirëseardhje dinjitoze për ata që vijnë në territoret tona, dhe nga i cili mund të përfitojë ekonomia dhe shoqëria jonë.

Paratë publike të investuara në këtë strukturë, mund të kishin shkuar për projekte të tjera më të dobishme, si ndërtimi i banesave publike, mirëmbajtja e rrugëve apo përmirësimi i ambienteve të kujdesit në vendin tonë”- theksoi D’Antuono. Përtej çështjes së kostove, deri më tani nisma ka dështuar edhe nga pikëpamja e rezultateve të arritura.

Në më pak se dy muaj, në qendrat shqiptare u dërguan vetëm 18 persona, të cilët më pas u kthyen në Itali. Siç kërkohet nga protokolli, emigrantët që zbarkuan në Shqipëri ishin të gjithë meshkuj të rritur që vinin nga vende të konsideruara “të sigurta”, pra vende në të cilat sipas qeverisë italiane respektohen të drejtat e popullsisë dhe sistemi demokratik.

Megjithatë, ndalimi i tyre në këto qendra u pengua nga gjyqtarët e Gjykatës së Romës, të cilët në të dyja rastet iu referuan një vendimi të datës 4 tetor të Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian për çështjet e emigracionit. Në qendër të përplasjes midis qeverisë dhe gjyqësorit, është koncepti i sigurisë së një vendi.

Një direktivë e vitit 2013 nga Gjykata e Drejtësisë e BE, përcakton se një vend mund të konsiderohet “i sigurt”, nëse është i sigurt në çdo zonë të territorit të tij, dhe për të gjithë njerëzit që jetojnë atje. Sipas këtij interpretimi, Egjipti dhe Bangladeshi, vendet e origjinës së emigrantëve të dërguar nga qeveria italiane në Shqipëri, nuk mund të konsiderohen “të sigurta”, ndaj duhej të ktheheshin në Itali.

Për më tepër, epërsia e ligjit të Bashkimit Evropian mbi ligjin kombëtar, e ka penguar dekretin e nxjerrë nga qeveria italiane në kundërpërgjigje të vendimit të Gjykatës së Romës. Ditët e fundit, qeveria italiane ka marrë edhe kundërmasa të tjera.

Në fillim ajo u ankua në Gjykatën e Kasacionit, e cila më 4 dhjetor do të vendosë në lidhje me mos-ligjërimin e paraburgimeve në Shqipëri, por edhe ndaj vendimit të Gjykatës së Romës sa i përket kompetencave të gjyqësorit mbi vendet e konsideruara “të sigurta”.

Dhe më pas pati një ndryshim të Dekretit të Flukseve, ose i ashtuquajturi “Amendamenti Musk”, që transferoi kompetencat e vlefshmërisë ligjore të ndalimit të azilkërkuesve nga seksionet e migracionit në gjykatat e shkallës së parë tak ato të apelit, me shpresën që gjykatat e tjera do të vendosin në një linjë të kundërt me vendimin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Një lëvizje e dyfishtë, që edhe në këtë rast do të ishte i kotë, në rast se gjyqtarët e dy gjykatave do ta hidhnin topin në fushën e Luksemburgut, ku gjendet selia e Gjykatës Evropiane./Pamfleti nga “Linkiesta”

dështimi i turpshëm kampi i gjadrit i kushtueshëm

Lini një Përgjigje