Nga sot, me vendimin e GJKKO-së për Sali Berishën, mbrojtësit ligjorë të të gjithë zyrtarëve që ndodhen në arrest, e ku dosja e tyre ka shkuar për gjykim, do ta përdorin për ndryshimin e masës së sigurisë. Pasi ky vendim ka krijuar një precedent...
Rikthimi i çuditshëm i PD në Kuvend për buxhetin e shtetit, duket se ishte pikërisht sinjali i një zhvillimi të ri pas rrëmujës që përjashtoi mbi 20 deputetë nga seanca.
Ai kërcim pindarik ishte pjesë e një axhende, e cila u përqendrua tek një zhvillim i pritshëm, vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Sali Berishën.
Vendim, i cili siç doli, ishte kundër tij, pasi nuk kishte si shkonte ndryshe, ngaqë do të kthehej në një precedent regresiv, edhe për subjekte të tjera që mund të jenë pjesë e hetimeve të Prokurorisë Speciale.
Megjithatë, të gjithë antenat në Tiranë flisnin për një lirim të Sali Berishës, që duket se përdorën Gjykatën Kushtetuese si bllof.
Lirimi i Sali Berishës, ka ardhur si një artific ligjor, duke u mbështetur në fazën që tashmë ai nuk përbën një problem për prishje provash, ngaqë dosja ka shkuar në gjykim e loja është hapur.
Megjithatë, lirimi i tij ka krijuar një standard, një precedent, që ka shumë mundësi të shpërndahet, dhe të përdoret përkatësisht edhe me subjektet e tjerë nën hetim nga SPAK-u, pra zyrtarë dhe politikanë të lartë.
Nuk ka asnjë çudi që e njëjta gjë të ndodhë me Ilir Metën, sapo ish-Presidenti të moderojë pak gjuhën ndaj SPAK-ut, e dosja të plotësohet edhe më tej për t’ju afruar gjykimit.
Ndërkaq, alibia e përdorur nga Sali Berisha dhe avokatët e tij, se vendimi i Gjykatës ka ardhur nga frika se dosjen e kanë çuar në Strasburg, është e rrëzuar që në nisje.
Kjo pasi, dosja në Gjykatën e Strasburgut, ka shkuar pas vendimit të Kushtetueses për çështjen e masës së sigurisë. Strasburgu, sipas të gjitha gjasave nuk do të marrë vendim për çështjen e masës së sigurisë. Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut do të presë vendimin final të dosjes ‘Partizani’, e vetëm pas saj do të nisë një shqyrtim themeltar për të vendosur gjetjet e saj ligjore.
Nga sot, me vendimin e GJKKO-së për Sali Berishën, mbrojtësit ligjorë të të gjithë zyrtarëve që ndodhen në arrest, e ku dosja e tyre ka shkuar për gjykim, do ta përdorin për ndryshimin e masës së sigurisë. Pasi ky vendim ka krijuar një precedent.
Një precedent, që ka thyer, ka zbutur, ka braktisur të ashtuquajturin standard dragonian të SPAK në lidhje me arrestin me burg, si masë sigurie.
Nëse shihet me kujdes, ky standard që u vulos sot, ka kohë që ka nisur të zbatohet, e njeriu i rëndësishëm që e provoi ishte Vangjush Dako.
E ka shumë mundësi, që kjo metodë, pra hetimi në gjendje të lirë e zyrtarëve nën hetim apo në gjykim, të hapet si vaji në lakra.
E duhet pasur parasysh se akulli u thye pas amnistisë që miratoi Parlamenti ku u liruan një numër i konsiderueshëm zytarësh të arrestuar për shpërdorim detyre apo korrupsion.
Me thyerjen e këtij akulli, u krijua përshtypja se politika ndërhyn dhe i ka mekanizmat në kryqzatën e fortë të SPAK ndaj korrupsionit, së paku për ta bërë më të “qetë”. Nëse kjo i ndodh edhe Ilir Metës, pra lirohet si Sali Berisha, atëherë mund të thuhet me plot gojë, se jemi në një fazë të re të luftës ndaj korrupsionit. Ajo e ringritjes së të paprekshmëve, që edhe pse në hetim, apo në gjykim, janë të lirë dhe të mundshëm për të menaxhuar politikën dhe bizneset.
Por mund të jetë edhe një kurth, madje një kurth i madh, pasi çdo veprim që bëhet tani nga adrenalina e lartë, mund të ndikojë në procesin gjyqësor. Procese, të cilat, së paku për Sali Berishën kanë për të qenë më shumë se një./Pamfleti
Lini një Përgjigje