TAGS-AT E JAVËS

Editorial24 Nëntor 2024, 18:41

Bablok, të na rrojë 'Trattoria Meloni' e Gjergj Lucës!

Shkruar nga Pamfleti

Bablok, të na rrojë 'Trattoria Meloni' e Gjergj Lucës!

'Trattoria Meloni': Ironikisht, ky restorant është tashmë i vetmi “sukses” që  ka mbetur nga kjo marrëveshje e dështuar.

Plani madhështor i Edi Ramës dhe Giorgia Melonit për të ndërtuar një “model të ri bashkëpunimi” mes Shqipërisë dhe Italisë, u shndërrua në një komedi të hidhur. Qendrat për emigrantët, të ngritura me bujë në Shëngjin dhe Gjadër, sot janë bosh. Operatorët italianë u larguan, gjykatat në Romë e shpallën marrëveshjen të paligjshme, dhe emigrantët u kthyen në Itali. Dhe, çfarë mbeti? Vetëm “Trattoria Meloni”, një restorant në Shëngjin, hapur nga ''biznesmeni'' i njohur për ambiciet e tij servile, Gjergj Luca.

Gjykata e Romës u kujdes që kjo marrëveshje, aq shumë e reklamuar nga qeveria shqiptare, të shkatërrohej deri në themel. Italianët e quajtën një farsë juridike; shqiptarët, një turp kombëtar. Ndërkohë, në mes të kaosit dhe humbjes së çdo kuptimi për bashkëpunim, Gjergj Luca qëndron krenar me “dhuratën” e tij për Melonin, një restorant i dekoruar me portretet e saj, në shenjë “admirimi.” Po a është ky admirim i sinqertë? Sigurisht që jo. Kjo është përpjekja e radhës e një trafikanti droge për të siguruar ndonjë copë nga torta e tenderëve buxhetorë të marrëveshjes.

Me qendrat bosh dhe tenderë të humbur, Rama mund të ngushëllohet vetëm me “Trattoria Meloni.” Ironikisht, ky restorant është tashmë i vetmi “sukses” që i ka mbetur nga kjo marrëveshje e dështuar. Përtej fasadës së lavdishme të pjatave italiane, Luca mbetet një simbol i servilizmit të paskrupullt që 'lëpin' gjithçka për favore.

Pra, çfarë të themi? Na rroftë ‘Trattoria Meloni’ e Gjergj Lucës, sepse nga gjithë kjo marrëveshje e madhe nuk ka ngelur asgjë tjetër! Bravo Lucë dhe mos u merzit se nuk funksionoi. Babloku i mban mend mirë lëpirjet e tua. Ndërsa për Melonin nuk dimë c'të themi, ajo nuk i ka fort qejf lëpirjet dhe thonë se nuk i ka ardhur mirë kur pa se kush ja kishte përdorur emrin... /Pamfleti



\\\\\\\\\\\\\\\'trattoria meloni\\\\\\\\\\\\\\\' gjergj luca giorgia meloni restorant

Lini një Përgjigje