TAGS-AT E JAVËS

Editorial19 Nëntor 2024, 14:58

Kronikë e një vrasje të paralajmëruar

Shkruar nga Pamfleti

 Kronikë e një vrasje të paralajmëruar

Martini iku në amshim, por moshatarët e tij vazhdojnë të jenë në rrezik...

Martini ishte vetëm 14 vjeç. Nxënës në një nga shkollat 9-vjeçare më me reputacion në Tiranë. Për ata që nuk e dinë, prindërit përpiqen shumë për ti çuar fëmijët tek shkolla "Fan Noli". Mësues të përgatitur,  rezultate të larta. "Shkollë me nam të mirë". Prandaj duket si ironi e fatit ajo që ndodhi mesditën e së martës, kur bash në oborrin e pasmë, në prag të portës së hekurt, ndodhi një përleshje, dhe një nxënës, vetëm 14 vjeç humbi jetën nga një thikë në zemër.

Ajo çfarë ndodhi dje në mes të Tiranës është tronditëse përtej çdo lajmi tjetër ku humb jetën një njeri.

Ky nuk është vetëm një sherr adoleshentësh.

Kjo nuk është një nga atë drama që kalohen as me lot e as me ngushëllime.

Kjo nuk është një ngjarje sporadike që ndodhi sot dhe nuk ka gjasa të ndodhë më.

Kjo vrasje është një kujë qiell gërvishtëse për shoqërinë shqiptare. Është kronike vrasje e paralajmëruar. Është një krim që në mos sot do të ndodhte nesër dhe që duhet të na bëjë të ngrihemi në këmbë sa nuk është vonë.

Kjo vrasje është reflektimi i realitetit shqiptar.

Po vajtojnë një adoleshent që u vra nga një moshatar i tij? Po çfarë mund të ndodhë tjetër në një vend ku çdo ditë, pa përjashtim çdo ditë, ka një lajm vrasje. Vetëm pak orë pas Martinit është vrarë, pak kilometra më larg, një tjetër djalë i ri, vetëm 28 vjeç. Një ditë më parë është vrarë një burrë, prind fëmijë, në prag të shtëpisë të tij.

Vrasja dhe krimi është ulur këmbëkryq në këtë vend, prandaj çfarë mund të presësh tjetër nga një sherr mes adoleshentësh? Ku mund ta gjejnë modelin e sjelljes, moshatarët e Martinit?

Ku mund ta gjejnë modelin e jetës adoleshentët shqiptarë në një vend ku bullizmi është fenomeni që diskutohet më shumë dhe praktikohet më shumë? Në këtë vend ku të bullizon Kryeministri, ministri, polici, gjyqtari, mësuesi, shitësi i dyqanit. Një vend ku sjellja e keqe dhe dhuna psikologjike është rend. Një vend ku kërcënimi me bukën e gojës e pastaj me jetë është stil jetese? Ku mund ta marrin modelin e jetës së mirë dhe normale adoleshentët shqiptare në një vend ku rendin në rrugë e bën më i forti, në punë e bën i paafti ndërsa në shkollë e bën biri i pasanikut e trafikantit? Ku?

Martini iku në amshim! Zoti i dhëntë forcë prindërve të tij! Askush, përveç Zotit nuk ka të drejtë ti ngushëllojë ata.

Po ne, ne çfarë duhet të bëjmë? Ne që i nisim fëmijët çdo ditë në shkollë me tmerrin se mos ndodh diçka e keqe. Ne duhet të veprojmë, shpejt dhe me forcë. Përndryshe, shumë shpejt do të jemi banorë pa te drejta të një vendi-geto./Pamfleti

 

kronikë vrasje e paralajmëruar

Lini një Përgjigje

Editorial