TAGS-AT E JAVËS

Editorial19 Nëntor 2024, 10:29

Ç’do të bëhet me pushtetin anti- demokratik të oligarkëve?

Shkruar nga Alex Gourevitch

Ne duhet të gjejmë mënyra për të përcaktuar së bashku llojin e së ardhmes që duam, për ta parë krijimtarinë si një proces të vetëvendosjes kolektive, për të ushtruar kontroll mbi financat dhe investimet, si diçka në të cilën jemi të përfshirë që të gjithë. Përndryshe, sado të drejta dhe të pastra të jenë zgjedhjet tona, pushtetin e vërtetë e ka  dikush tjetër, dhe jo presidenti a kryeministri që shohim në ekran...

Ç’do të bëhet me pushtetin anti- demokratik të

Shumë njerëz e urrejnë Elon Musk, dhe arsyet nuk janë të vështira për t’u kuptuar. Ai është imponues, i bezdisshëm, sfidues dhe shumë i pasur. Përhap teori të çuditshme konspirative. Është po aq i llastuar sa një fëmijë 7-vjeçar, që dëshiron gjithmonë t’i dalë e tija dhe askush nuk mund ta bindë për të kundërtën.

Po ashtu, ka një ndikim të jashtëzakonshëm në shoqëri. Musk bleu një rrjet social të madh, ndryshoi mendimin e amerikanëve mbi makinat elektrike, dhe krijoi një kompani e cila vitin e fundit lëshoi treçerekun e objekteve që u dërguan gjithsej në hapësirë. Dhe e ka bërë gjithçka me përgjegjshmërinë e një 7-vjeçari, që luan me një tren lodër, të cilin ia kanë dhuruar për ditëlindje. Mund të mendojmë se antipatia ndaj Musk është një shpirtvogëlsi. Ndoshta kemi të bëjmë thjesht me mungesën e vetëvlerësimit, që shndërrohet në përbuzje për njerëzit e suksesshëm. Vdekatarët e thjeshtë, përpiqen gjithmonë që t’i ulin Zotat. Por qëndrimi mosbesues i opinionit publik, nuk ka të bëjë vetëm me pakënaqësinë. Musk është mishërimi më i spikatur i një problemi të veçantë të pushtetit dhe i dominimit në shoqëritë tona kapitaliste tejet të pasura: problemi i sipërmarrësit.

Sipërmarrësit janë një lloj elitë e veçantë. Ato nuk përcaktohen nga një klasë shoqërore dhe as nga një ndikim i veçantë në jetën politike, por nga disa cilësi dhe një mënyrë e caktuar e ushtrimit të pushtetit, e cila është tipike për botën e biznesit. Thuhet se virtytet e tyre sipërmarrëse se janë të rralla. 

Disa nga talentet e tyre, ngjajnë me cilësitë heroike të elitave të tjera përgjatë historisë: kalorësve, themeluesve, eksploruesve. Përpara se termi francez ‘entrepreneur’ të adoptohej gjerësisht në anglisht, ata quheshin zakonisht “aventurierë” ose “impresari”.

Por sipërmarrësit, i përziejnë këto cilësi me qëndrimet dhe zakonet e botës së biznesit, për të mishëruar në mënyrë unike parimet dhe karakteristikat e një shoqërie të tregut. Në këtë mënyrë, ata bëhen novatorë. Nuk kufizohen vetëm me shpikjen e diçkaje, por dinë të shohin më mirë dhe me në thellësi tek dëshirat e masës, se sa dinë të shohin brenda vetes konsumatorët e ardhshëm.

Ata jo vetëm që i përgjigjen një nevoje, por e krijojnë atë, dhe më pas shpikin produktin për ta kënaqur atë. Veprojnë bazuar tek oferta dhe kërkesa. Janë personifikimi i kapitalit. Për këtë arsye, thonë disa, sipërmarrësit vlerësohen pak nga ata që në përgjithësi nuk e vlerësojnë ose nuk e duan botën e biznesit.

Dhe kjo shpjegon edhe justifikimin, se përse ata duhet të kenë fuqitë dhe prerogativat e veçanta të sipërmarrjes: fitime të mëdha, një kontroll despotik mbi punëtorët dhe vendet e punës, prestigj dhe mbi të gjitha kontroll mbi investimet e ardhshme. Edhe kur përçmojmë disa raste të veçanta, shoqëria jonë i lavdëron këta lloj njerëzish.

Çdo kolegj dhe universitet, ka një qendër për studimin e sipërmarrjes; udhëzuesit për rritjen e fëmijëve u mësojnë prindërve metoda të përshtatshme për moshën për trajnimin e sipërmarrësve të rinj. Vdekja më e vajtuar e dekadave të fundit ishte ajo e Steve Jobs, ‘engjëllit të mirë’ të sipërmarrjes në krahasim me ‘princin e errët’ Musk.

Sipërmarrja është bërë praktikisht sinonim i vetë krijimtarisë njerëzore. Një pjesë e tij buron nga fakti që sipërmarrësit fitojnë një liri, e cila është në dukje të paarritshme për të tjerët. Shumica e njerëzve duhet të luajnë sipas rregullave, të veprojnë brenda kufizimeve normale të ekonomisë: t’i binden një lideri apo të ndjekin me zell një nga shtigjet e ngushta të përcaktuara për t’u bërë vetë të tillë; të respektojnë orientimet, të përmbushin pritshmëritë, dhe me pak më shumë fat të ngjitin dalëngadalë shkallaren shoqërore.

Pra rolet janë të përcaktuara, dhe aktivitetet e mundshme janë të kufizuara. Sipërmarrësit nuk kanë ose të paktën nuk duket se kanë të njëjtat kufizime: ata investojnë para që nuk i kanë fituar ende, dhe marrin kredi për të bërë gjëra që askush nuk i ka bërë ende. Shpeshherë, projektet e tyre nuk dallohen nga fantashkenca, kompanitë e tyre janë një zgjatim i personalitetit të tyre.

Ata nuk menaxhojnë vetëm punët e tyre, por duket se i shpikin rregullat, dhe projektojnë një imazh të lirisë së pastër, me thuajse asnjë kufizim. E kush nuk do të donte të ishte një i tillë?

Teksa ofrojnë një imitim të zbehtë të realitetit, platformat online kanë qenë të suksesshme, pjesërisht sepse e kanë kuptuar dhe shitur këtë hijeshi: ata që punojnë atje duan pavarësinë, të cilën shoqëria jonë e ofron për pak njerëz. Po ku qëndron problemi këtu? Ndërsa është e vërtetë që politika amerikane është gati një oligarki, fuqia që u jepet sipërmarrësve është problematike për arsye të ndryshme.

Sepse ata qeverisin pa kaluar nga politika, pra drejtpërdrejt përmes fuqisë së tyre ekonomike. Huatë që marrin, fondet që mbledhin dhe kapitali që menaxhojnë, ushtrojnë pushtet mbi drejtimin që do të marrë jeta e komunitetit në të ardhmen.

Pavarësisht nëse vendosin të investojnë miliarda dollarë në inteligjencën artificiale ose kriptomonedha, apo për udhëtimet në hapësirë, janë ata që e përcaktojnë të ardhmen e zhvillimit kolektiv kulturor dhe social. Në fund, janë pikërisht ata që vendosin se çfarë do të jemi në gjendje të konsumojmë dhe prodhojmë, cilat do të jenë format tona të argëtimit dhe si do të jenë ndërveprimet tona sociale.

Dhe këto vendime i marrin pa i dhënë llogari askujt. Për shkak se fuqia e tyre është ekonomike dhe varet nga mënyra se si shpenzojnë kapitalin e tyre të pamasë, ata vendosin për të gjithë, pa na lënë të kuptojmë qartë se çfarë janë duke bërë.

Ata janë maksimumi përgjegjës ndaj kreditorëve të tyre, të cilët duhet t’ua shlyejnë paratë, apo të cilëve duhet t’u shpjegojnë pse kanë nevojë për një kredi tjetër. Por falë kësaj varësie ekskluzive nga kreditorët, ata mund të shpërfillin opinionin publik. Është një lloj pushteti i veçantë.

Është pushteti anti-demokratik i elitës së biznesit, që nuk kërkon shndërrim të pasurisë në sundim oligarkik, asnjë modifikim të procedurave demokratike apo korruptim të autoriteteve publike. Ata mund të diktojnë të ardhmen e shoqërisë, trajektoren e kulturës, pa miratuar asnjë ligj.

Në disa aspekte, ky është një nga tiparet më tinëzare të kulturës sipërmarrëse. Në pamje të parë është plotësisht në përputhje me demokracinë. Përderisa ata i kryejnë aktivitetet e tyre në sferën ekonomike, dhe duket se nuk ushtrojnë një pushtet specifik mbi komunitetin.

Ne e vëmë re fuqinë e tyre kur ata investojnë pasurinë e tyre në komitete politike të errëta, në disa fondacione private dhe industri specifike, por rrallë e kuptojmë këtë përdorim të drejtpërdrejtë të fuqisë së tyre ekonomike për të formësuar shoqërinë. Pavarësisht frikës së përhapur për rikthimin  e fashizmit, mua më duket se po na shpëton kulti i vërtetë i personalitetit që e shtyp shoqërinë.

Nuk është gabim të dëshirojmë të krijojmë, shpikim apo të përpiqemi të çlirohemi nga kufizimet e kota. Një shoqëri shumë e pasur si Shtetet e Bashkuara, krijon mundësi të mëdha për rishpikje dhe vetë-transformim. Por për ta arritur këtë, duhet të gjejmë diçka që i reziston karakteristikave niçeane të ekonomisë dhe miraton një model alternativ ndaj sipërmarrjes.

Ne duhet të gjejmë mënyra për të përcaktuar së bashku llojin e së ardhmes që duam, për ta parë krijimtarinë si një proces të vetëvendosjes kolektive, për të ushtruar kontroll mbi financat dhe investimet, si diçka në të cilën jemi të përfshirë që të gjithë. Përndryshe, sado të drejta dhe të pastra të jenë zgjedhjet tona, pushtetin e vërtetë e ka  dikush tjetër, dhe jo presidenti që shohim në ekran./Përshtati Pamfleti nga “Internazionale”

Shënim: Alex Gourevitch, profesor i asociuar i shkencave politike në Universitetin Braun në SHBA.

pushteti anti-demokratik oligarkët

Lini një Përgjigje

Editorial