
Rusia ka arritur të pajiset me raketa ndërkontinentale moderne që lëshohen nga baza tokësore, nëndetëse strategjike të pajisura me armë bërthamore, si dhe nga avionët bombardues bërthamorë.
Për më shumë se 3 dekada që pas fundit të Luftës së Ftohtë, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj nuk u përballën me kërcënime bërthamore serioze. Mjerisht, sot nuk është më kështu. Presidenti rus Vladimir Putin ka kërcënuar shumë ashpër së fundmi me përdorimin e arsenalit të tij bërthamor, në një mënyrë që të kujton udhëheqësin e dikurshëm sovjetik Nikita Khrushchev.
Presidenti kinez Xi Jinping, po e zgjeron shumë arsenalin bërthamor të vendit të tij. Ndërkohë, udhëheqësit rusë dhe kinezë kanë nënshkruar midis tyre një traktat të “miqësisë së pakufishme”. Nga ana tjetër, udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un, po e furnizon me armë dhe trupa Rusinë për frontin e saj të luftës në Ukrainë.
Po ashtu, Pheniani po përmirëson aftësinë për të goditur fqinjët e saj por edhe territorin e SHBA-së me armë bërthamore, siç e tregoi me një test të fundit të raketës balistike ndërkontinentale (ICBM) më 31 tetor. Këto zhvillime, paraqesin sfida të mëdha për sigurinë kombëtare të SHBA-së.
Amerika nuk e ka më luksin të shpërfillë rreziqet bërthamore, duke u përqendruar vetëm në frenimin e një kundërshtari. Për ta adresuar këtë realitet të ri, administrata e Joe Biden ka modifikuar udhëzimet e SHBA-së për përdorimin e armëve bërthamore, që të jetë në gjendje ta frenojë njëkohësisht Kinën dhe Rusinë.
Po ashtu, po zhvillon sisteme të reja të lëshimit të këtyre armëve. Megjithatë, përpjekjet e Uashingtonit për të modernizuar mekanizmin e vjetër bërthamor të parandalimit, janë penguar nga kapaciteti i papërshtatshëm i bazës industriale, mungesa e materialeve dhe e fuqisë punëtore, si dhe boshllëqet e financimit.
Ajo që duhet bërë është shumë e qartë: administrata e ardhshme duhet të heqë dorë nga një rishikim i gjerë i politikës së parandalimit bërthamor apo i planeve të modernizimit. Përkundrazi, ka një nevojë e madhe për të vazhduar vetëm me punën e modernizimit të arsenalit dhe të ndreqjes së problemeve.
Rusia ka arritur të pajiset me raketa ndërkontinentale moderne që lëshohen nga baza tokësore, nëndetëse strategjike të pajisura me armë bërthamore, si dhe nga avionët bombardues bërthamorë.
Kina i ka modernizuar edhe më shpejt forcat e saj bërthamore. Duke filluar që nga viti 2020, Xi urdhëroi një zgjerim masiv dhe të shpejtë të arsenalit atomik të Kinës. Numri i armëve bërthamore strategjike do të dyfishohet nga 500 në 1000 deri në vitin 2030, dhe do të arrijë në të paktën 1550 deri në mesin e dekadës së ardhshme.
Bazat e arsenalit bërthamor amerikan dhe të infrastrukturës mbështetëse, janë ende të sigurta dhe të besueshme, por ato kanë funksionuar shumë përtej jetëgjatësisë së synuar në fillim.
Ndaj tani sfida është se si të zëvendësohen këto baza në të njëjtën kohë.
Raketat balistike ndërkontinentale, Minuteman III, u vendosën për herë të parë në gatishmëri në mesin e viteve 1970, dhe u përmirësuan gjatë viteve 1990. Por tani, pjesët përbërëse janë të vjetruara, dhe jetëgjatësia e tyre nuk mund të zgjatet edhe për shumë kohë përtej mesit të viteve 2030.
Nëndetëset e klasit Ohio u projektuan për të funksionuar për rreth 30 vjet. Por 11 nga 14 prej atyre, kanë shërbyer për më shumë se sa kaq. Madje po punojnë për më shumë se 35 vjetësh. Raketa lundruese e lëshuar nga ajri, e vendosur në gatishmëri në vitet 1980, kishte një jetëgjatësi prej 10 vjetësh, megjithatë është ende në shërbim.
Edhe pse shumë analistë të mbrojtjes, mendojnë se Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për të paktën 200 avionë të rinj bombardues B-21, për të qenë në gjendje të kryejnë misione konvencionale dhe bërthamore, programi është kufizuar në mënyrë të pashpjegueshme në vetëm 100 avionë. Ndërkohë është reduktuar financimi për raketën e re lundruese, LRSO. Kjo e ka detyruar ushtrinë amerikane të mbështetet ende tek një raketë lundruese e vjetruar, e cila ishte projektuar për të shmangur mbrojtjen ajrore sovjetike të epokës së viteve 1980, dhe jo sistemet më të përparuara që përdor sot Rusia.
Përveç sistemeve më efektive të lëshimit, Shtetet e Bashkuara duhet të përditësojnë vetë bombat bërthamore. Në periudhën shpresëdhënëse pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, Kina, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara, së bashku me të gjitha shtetet e tjera e pajisura me armë bërthamore, nënshkruan Traktatin Gjithëpërfshirës të Ndalimit të Testeve Bërthamore.
Edhe pse traktati nuk ka hyri asnjëherë në fuqi, Shtetet e Bashkuara e kanë respektuar atë në mënyrë të njëanshme. Detyra kryesore me të cilën përballen Departamenti i Mbrojtjes dhe ai i Energjisë, është ndërtimi i sistemeve të reja.
Uashingtoni duhet të vlerësojë mundësinë e vendosjes së një pjese të forcës së ardhshme të raketave balistike ndërkontinentale në një konfigurim të lëvizshëm. Po ashtu, duhet të shpejtojë përpjekjet për të zhvilluar kundërmasa të reja për t’iu kundërpërgjigjur mbrojtjeve të avancuara raketore të kundërshtarëve të saj, dhe të planifikojë që një pjesë e flotës së ardhshme të bombarduesve të jetë në gjendje gatishmërie të vazhdueshme.
Së fundi, administrata e re e Donald Trump duhet të merret seriozisht me rindërtimin e bazës industriale të mbrojtjes amerikane. Ai duhet të rishikojë me shpejtësi Strategjinë Industriale të Mbrojtjes të administratës Biden për vitin 2023, si dhe udhëzimet e zgjeruara të tetorit 2024, duke i përditësuar dhe rishikuar të dyja sipas nevojës.
Ajo duhet të shpallë këtë udhëzim, dhe të thërrasë menjëherë një takim me Sekretarin e Mbrojtjes dhe krerët e kompanive të mëdha të mbrojtjes (dhe ndoshta edhe furnizuesit kryesorë të tyre) me synim zgjerimin e bazës së tyre prodhuese, për ta zgjeruar kapacitet dhe përshpejtuar zbatimin e planit.
Nuk ka asnjë dyshim se administrata e ardhshme, do të përballet me thirrje për të bërë një Rishikim të plotë të Politikës Bërthamore, për të shqyrtuar dhe konfirmuar politikën ekzistuese. Çdo administratë amerikane që nga viti 1952, i ka rishikuar politikat e mbrojtjes bërthamore (dhe të tjera) të paraardhësit të saj.
Por vetëm që nga viti 1994, kjo qasje ka përfshirë edhe një rishikim të madh ndërinstitucional. Këto rishikime në shkallë të plotë, janë mandatuar nganjëherë me ligj, por që të gjitha kanë marrë shumë kohë, një vit ose më shumë për t’u përfunduar.
Duke pasur parasysh se udhëzimi aktual - me ndryshimet e fundit të Joe Biden - është plotësisht i përditësuar dhe më se i përshtatshëm për të udhëhequr planifikimin e komandës, nuk ka nevojë që administrata Trump të kryejë një rishikim të madh të kësaj politike.
Mund të mjaftojë një rishikim i shpejtë i nivelit të lartë brenda administratës. Kjo qasje do të ruajë jo vetëm një politikë që funksionon mirë, por do të shmangë gjithashtu humbjen e fokusit të nivelit të lartë, dhe do të sigurojë zbatimin më shpejt të planeve të përditësuara, të cilat janë shumë të nevojshme.
Është e sigurt se administrata e re, do të përballet me sfida të reja të rëndësishme për parandalimin bërthamor të SHBA-së. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre, nuk e kanë luksin të presin edhe 3 vjet të tjera që të përmbushen këto sfida./Përshtati "Pamfleti", nga “Foreign Affairs”
Shënim:Madelyn Creedon, kryetare e Komisionit të Qëndrimit Strategjik për vitin 2023. Franklin Miller anëtar i këtij komisioni. Ai ka qenë për 3 dekada një zyrtar i lartë i politikës bërthamore dhe kontrollit të armëve në Pentagon.
Lini një Përgjigje