
Kreu i SPAK ka treguar se nuk ka frikë të marrë vendime që trondisin themelet e pushtetit. Ky është një sinjal për Ramën dhe për gjithë kastën politike që është mbështetur tek lidhjet me krimin për të ruajtur status quo-në...
Prej vitesh, Edi Rama ka qenë aktori kryesor i skenës politike shqiptare, një artist i sofistikuar i cili dinte si të luante rolin e udhëheqësit absolut në një vend të mbërthyer nga krimi dhe korrupsioni. Por çdo aktor, sado mjeshtër të jetë, duhet të dijë kur të dalë nga skena. Në Shqipëri, duket se kreu i SPAK po merr rolin e regjisorit të ri, duke shkruar skenarin e fundit për Bablokun.
Në një zhvillim që askush nuk e priste, SPAK ka goditur bandën famëkeqe të Elbasanit të drejtuar nga Suel Çela, një figurë që deri dje ecte i qetë në bulevardet e qytetit, me një imunitet që vetëm lidhjet e forta me prokurorë, gjykatës dhe politikanë të lartë të pushtetit mund ta garantonin. Banda e Elbasanit ishte më shumë se një strukturë kriminale, ajo ishte një simbol i një sistemi që funksiononte si një “republikë brenda republikës.” Por Dumani, në mënyrë të papritur dhe pa bërë asnjë zhurmë të panevojshme, e çmontoi këtë simbol, duke treguar se për të nuk ka të paprekshëm.
A është Altin Dumani më shumë se një prokuror? Për shumëkënd, ai tashmë po shihet si një figurë që reflekton autoritetin dhe besimin që dikur Rama pretendonte ta zotëronte. Ndërsa Edi Rama humb popullaritet, mbështetja që Dumani merr nga SHBA tregon se Shqipëria po hyn në një epokë të re. Një epokë ku Babloku, nuk është më i paprekshëm dhe ku aleancat me botën e krimit nuk garantojnë më mbijetesë politike.
Operacionet e fundit të SPAK kanë treguar se strukturat kriminale, përfshirë ato më të lidhura me pushtetin, nuk janë më të sigurta. Suel Çela, me akses të pakufizuar në media, politikë dhe drejtësi, ndoshta mendonte se ishte një ‘mbret i vogël’ në Elbasan. Ndërsa Edi Rama zhytej në artet e tij të PR-it për të krijuar spektakël me investime imagjinare dhe propagandë të hollë, Dumani po bën atë që Rama ka premtuar por kurrë nuk e ka realizuar: çmontimin e strukturave kriminale dhe ndërtimin e një sistemi drejtësie funksional.
Nuk është Edi Rama që krijoi SPAK-un apo drejtësinë e re. Kjo është një propagandë e lodhur që shqiptarët nuk e besojnë më. Drejtësia e re në Shqipëri u projektua dhe u vu në zbatim vetem nga faktorët ndërkombëtarë, të cilët përveç investimeve monetare u kujdesën për mbarëvajtjen e këtij procesi deri në detaje. Qeveria dhe opozita e asaj kohe nuk kishte zgjidhje tjetër veçse ta votonte reformën në drejtësi. Sot, i trembur deri në palcë, Edi Rama kujdeset ta shesë këtë si një sukses të tij dhe të Partisë Socialiste.
Kreu i SPAK ka treguar se nuk ka frikë të marrë vendime që trondisin themelet e pushtetit. Ky është një sinjal për Ramën dhe për gjithë kastën politike që është mbështetur tek lidhjet me krimin për të ruajtur status quo-në. Mbështetja amerikane për Dumanin nuk është thjesht një shenjë e mirë për drejtësinë shqiptare, por edhe një paralajmërim për ata që e shohin politikën si mburojë nga ligji.
Rama mund të jetë ende në pushtet, por mbështetja ndaj tij po venitet. Pyesim veten: kur një njeri si kreu i SPAK fiton besimin e qytetarëve dhe të aleatëve ndërkombëtarë, çfarë ndodh me një kryeministër që mbështetet gjithnjë e më pak nga populli dhe gjithnjë e më shumë nga klientët e tij politiko- ekonomikë dhe bandat kriminale?
A po kalon Shqipëria drejt një republike federale të drejtësisë? Kjo është herët për t'u thënë, por goditjet e fundit të SPAK tregojnë një zhvendosje të balancës së pushtetit. Ndoshta ky nuk është fundi i Edi Ramës, por është me siguri fillimi i fundit. Shqipëria, e ndarë mes pushtetit të politikës dhe drejtësisë, po i afrohet një federate të re: një federatë ku ligji mund të jetë më i fortë se pazaret. /Pamfleti
Lini një Përgjigje