
Pa u mbyllur çështja në SPAK dhe GJKKO, qeveria hap tender të ri për Fierin dhe Elbasanin, edhe pse inceneratorët nuk funksionojnë dhe pajisjet janë skrap...
Ndërkohë që SPAK dhe GJKKO vijojnë hetimin për aferën e mbetjeve, qeveria ka autorizuar një tjetër financim prej 710 milionë lekësh për projektimin e infrastrukturës së inceneratorëve në Fier dhe Elbasan. Dokumentet e 26 janarit 2026 tregojnë se fondet shtesë po jepen për dy impiante që janë jashtë funksionit, megjithëse për ndërtimin e tyre janë shpenzuar dhjetëra miliona euro. Në Fier, inceneratori nuk është marrë në dorëzim për shkak të arratisjes së pronarëve të kompanisë ndërtuese, ndërsa në Elbasan mbetjet vetëm depozitohen dhe digjen në mënyrë të pakontrolluar. Tenderi i ri sinjalizon se pas projektimit do të pasojnë pagesa të tjera shtesë, duke e thelluar një skandal financiar që ende nuk ka marrë përgjigje penale.
Ndërkohë që SPAK dhe GJKKO nuk e kanë mbyllur ende çështjen e aferës së mbetjeve, qeveria nuk ka mbyllur llogaritë me investimet për to, duke financuar miliona lekë shtesë.
Megjithëse kryeministri Edi Rama i ka inauguruar qendrat e grumbullim-djegies me bujë dhe vijon të deklarojë se ato janë në funksionim sipas projekteve të investimit, këtë javë është zhvilluar një tender për projektimin e infrastrukturës së tyre në Fier dhe Elbasan.

Dokumenti i datës 26 janar 2026, që po publikon “Pamfleti”, dëshmon se qeveria, përmes Agjencisë Kombëtare të Ekonomisë së Mbetjeve si ent financues dhe Operatorit të Blerjeve të Përqendruara si ent prokurues, ka finalizuar fonde shtesë për mbetjet.
Procedura e prokurimit ka si objekt: “Projektimi i infrastrukturës së menaxhimit të mbetjeve në zonat e mbetjeve në Fier dhe Elbasan”, e ndarë në dy lote, me vlerë totale kontrate 710 milionë lekë, dhënë kompanisë “Gjeokonsult&Co” sh.p.k.
Për projektimin e infrastrukturës së mbetjeve në Fier, financimi shtesë është 344 milionë lekë me TVSH, ndërsa për zonën e mbetjeve në Elbasan investimi është 366 milionë lekë me TVSH.
Zonat e menaxhimit dhe përpunimit të mbetjeve në Fier dhe Elbasan janë landfillet dhe inceneratorët, për infrastrukturën e venddepozitimit dhe teknologjinë e djegies së të cilëve janë shpenzuar rreth 35 milionë euro në Elbasan dhe 30 milionë euro në Fier, por inceneratorët rezultojnë jashtë funksionit.
Në Fier, zona e depozitimit të mbetjeve dhe inceneratori nuk janë marrë ende në dorëzim nga qeveria dhe bashkia, pasi Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, pronarët e kompanisë që mori tenderin e ndërtimit, prej katër vitesh janë në arrati pas procedimit penal nga SPAK.
Në Elbasan, venddepozitimi dhe inceneratori janë marrë në dorëzim nga qeveria dhe shtatë bashkitë e qarkut, të cilat krijuan shoqërinë “ECO-ELB”, por inceneratori nuk funksionon. Ndërkohë, po shpenzohen miliona lekë të tjera, por ai nuk mund të vihet në punë, pasi pajisjet janë në gjendje skrapi.
Mbetjet në Elbasan vetëm depozitohen dhe shtohen përditë, aq sa drejtuesit e “ECO-ELB”, në bashkëpunim me kryetarin e Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, shpesh u vënë zjarrin mbetjeve.
Ndërsa tani, qeveria ka financuar çekun e radhës prej 710 milionë lekësh për projektimin e infrastrukturës së zonave të mbetjeve në Fier dhe Elbasan.
Kjo do të thotë se, pas projektimit, do të ketë financime të tjera shtesë për investimet e projekteve, vlera e të cilave nuk dihet se sa do të përcaktohen nga Babloku./Pamfleti
Lini një Përgjigje