Deklarata e Edi Ramës se “Shqipëria është si mjaltë për Kinën” ka shkaktuar irritim në Uashington; ambasada amerikane në Tiranë ka reaguar me tre mesazhe të forta publike, që godasin qeverinë për lirinë e medias, investitorët strategjikë dhe luftën ndaj narkotrafikut.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë filluar të ngushtojnë rrethin për Edi Ramën. Edhe pse drejton qeverinë e një vendi për të cilin Trump nuk ka asnjë ide se ku bie, Rama i ka dhënë kompetenca vetes të tallet dhe të bëjë shaka, duke menduar se ka përballë grupin e PS.
Deklarata e pak ditëve më parë se “Shqipëria është si mjaltë për Kinën” po i sjell pasoja shumë të mëdha. Ambasada Amerikane i ka dërguar Bablokut 3 mesazhe përvëluese brenda 24 orëve, pa përmendur vizat, pezullimi i të cilave ishte goditja më e madhe.
Qeveria tentoi ta relativizojë duke u kapur pas faktit se ka të bëjë vetëm me vizat emigruese. Po, e vërtetë është se ka të bëjë me vizat emigruese, por janë një numër i madh shqiptarësh që preken, pasi nuk ka më lotari amerikane apo bashkime familjare.
Qeveria e hoqi përgjegjësinë nga vetja, por në fakt, sipas “Reuters”, ka shumë shtete që i kanë zgjidhur problemet me marrëveshje. Një shembull që përmendet aty është Meksika. Meksika është një ndër vendet më problematike sa i takon emigracionit, por dy vendet e kanë zgjidhur problemin. Shqipëria ndërkohë shihet si vend i botës së tretë, edhe pse Rama na mburret për miqësi me Jared Kushnerin apo Ivanka Trump.
Por përveç kësaj, ka pasur 3 postime në rrjetet sociale nga ambasada e SHBA, ku duket qartë se janë mesazhe për kreun e qeverisë. Dje ambasada kërkoi të bëhet kujdes me investitorët që merren, dhe dukej qartë se ishte mesazh për deklaratat e Ramës për Kinën, por edhe për "Smart City".
“Siç ka thënë Presidenti Trump, ‘siguria ekonomike është siguri kombëtare.’ Ky parim është veçanërisht i rëndësishëm në sigurinë publike dhe infrastrukturën kritike, ku teknologjia që zgjedhin vendet ndikon drejtpërdrejt në qëndrueshmërinë, sovranitetin dhe sigurinë e qytetarëve", u shpreh e ngarkuara me punë Nancy VanHorn.
Mesazhi i dytë erdhi sot në mëngjes, duke u bazuar te një deklaratë e Sekretarit Rubio se “liria e shprehjes në Europë” po gërryhet. Fakti që ky mesazh u theksua nga ambasada, duket se është mesazh për qeverinë, pasi në shumë raporte ka pasur kritika mbi lirinë e medias në Shqipëri. Për më tepër, Rama këto ditë ka nisur të sulmojë gazetarët që i dalin kundër.
Mesazhi përvëlues erdhi në mesditë nga VanHorn, në ceremoninë e mbylljes së trajnimit të udhëhequr nga FBI për hetuesit e SPAK dhe BKH në Akademinë e Sigurisë, ku e tha qartë se krimi po detyron shqiptarët të largohen nga vendi: "Dhe siç tha Sekretari Rubio, organizatat ndërkombëtare kriminale dhe terroriste, veçanërisht ato të angazhuara në trafikimin e narkotikëve, janë kërcënimi më i madh për sigurinë e Shteteve të Bashkuara në Hemisferën Perëndimore, ku këto grupe po destabilizojnë shtet-kombet dhe po i çojnë në emigrim masiv. Ne do të ndjekim me këmbëngulje prioritetet e Presidentit Trump në Shqipëri, duke forcuar institucionet që luftojnë krimin e organizuar dhe trafikun e narkotikëve si SPAK, BKH dhe Akademia e Sigurisë".
Po ashtu ajo shtoi: "Rrjetet kriminale, përfshirë grupet shqiptare që bashkëpunojnë me kartelet e Amerikës Latine të përmendura nga Sekretari Rubio, përbëjnë kërcënime të konsiderueshme për sigurinë dhe përparimin ekonomik të Shqipërisë përmes aktiviteteve si trafiku i drogës dhe pastrimi i parave. Sikurse e keni parë përmes këtij kursi, këto krime po mundësohen nga teknologjitë moderne".
Pra, duket qartë se Rama nuk i ka aspak mirë punët me administratën e Trump. Mesazhi i parë u dha që kur fitoi zgjedhjet, pasi nuk e uroi askush. Po ashtu, që kur erdhi në pushtet Trump, Rama nuk ka kryer asnjë vizitë zyrtare në SHBA dhe nuk është takuar nga personalitete të larta. Madje edhe i dërguari i Ballkanit, kur erdhi në Tiranë, e shmangu. Por deklaratat e pak ditëve më parë për Kinën duket se i kanë acaruar ndjeshëm amerikanët, të cilët po i tregojnë vendin “liderit global”. /Pamfleti
Rama ka mbaru. Mos harxhoni me kohe me te. Ka kush merrret tani. Lerjani ustallareve ne dore.