TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë12 Janar 2026, 12:23

Belkizja e Onkologjikut: Infermjerja që i nxiu jetën pacientëve transferohet tek pediatria

Shkruar nga Pamfleti

 Belkizja e Onkologjikut: Infermjerja që i nxiu jetën pacientëve

Si një kryeinfermiere e QSUT-së u bë simbol i abuzimit me pacientët...

Një skandal i radhës ka ndodhur te Onkologjiku, epiqendra e vuajtjeve njerëzore dhe strapacimeve pa fund, ku një kryeinfermiere stresonte pacientët, duke i thirrur përpara seancës së kimios për t’u marrë pazarin.

Një kalvar i gjatë që çoi në denoncimin e Belkize Gjedia-s, kryeinfermierja që ishte kthyer në “Tirja” numër 3 të QSUT-së.

Situata zgjati, sa pacientë dhe familjarë denoncuan në të gjitha portalet, por largimi nuk ndodhi kollaj. U desh të trashej shumë zullumi që ta largonin nga Onkologjiku. Dhe tmerrin e pacientëve terminalë e zhvendosën paralelisht, duke e çuar te Pediatria.

Siç mësohet, mjaft pacientë që e kanë marrë vesh kush është, i largohen si ‘djalli temjanit’ infermieres në fjalë, njësoj si xhuxhat e Borëbardhës shtrigës me mollën e helmuar.

Sërish kanë vërshuar denoncimet në portale, duke u ankuar se si ka mundësi që një njeri me precedent kaq të rëndë të dërgohet te fëmijët.

Infermierja në fjalë, në Onkologjik u çmend, pasi ofendonte pa asnjë drojë të gjithë pacientët e kimioterapisë, duke u kthyer në kujdestaren e frikës, që e kishte bërë repartin si pronë të saj. Ajo ofendonte dhe sulmonte të gjithë kolegët e tjerë, duke ndaluar vendosjen e një grafiku pa urdhrin dhe firmën e saj.

Çdo punonjës që e kundërshtonte, “Tirjen” numër tre, pra Kizen, merrte kërcënimin për largim nga puna. Pacientë dhe familjarë kanë denoncuar se ajo kërkonte zarfe me 50 mijë lekë nga punonjësit, ndryshe do t’i lëvizte nga kimioterapia.

Situata arriti e u bë mullar, sa, siç mësohet, shkuan edhe denoncime në organet e drejtësisë. Por përse nuk u shkarkua dhe nuk u dërgua për ndjekje penale nga prokuroria dhe nga kupola e QSUT-së? Për të shmangur një skandal, apo për të mos hapur një kanal të ri sulmi ndaj qeverisë?

Qoftë si të jetë, ama në Spitalin e Fëmijëve ka nisur paniku, pasi prej ditësh thonë se “na ka ardhur shtriga brenda” dhe personeli ka frikë se mos ripërsëritet historia e zarfeve kërcënuese edhe këtu.

Drejtoria e QSUT-së duhet të ndërhyjë menjëherë, pasi kemi të bëjmë me një situatë ku qytetarët kanë reaguar vetëm kur u ka ardhur shpirti në majë të hundës. Pa përmendur personelin e Onkologjikut, i cili i ka shprehur të gjitha pakënaqësitë me kohë, por nuk ia ka vënë kush veshin. Siç duket, si gjithmonë, presin të shpërthejë skandali./Pamfleti

belkize gjedia onkologjiku pediatria infermerja problematike

1 Komente

  1. P
    Populli

    E kane seksere mjeket dhe drejtoria, prandaj e mbajne

    Lini një Përgjigje