ILDKPKI, nga institucion antikorrupsioni në kasafortë të pushtetarëve
Si Evgjeni Bashari dhe vëllai i saj Knidi e kthyen kontrollin e pasurive në pazar politik, sekserësh dhe parash të pista
Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, në vend që të ishte një institucion pararojë në luftën kundër korrupsionit, është kthyer prej disa vitesh në mburojë të pasurive të paligjshme të pushtetarëve, produkte të parave të pista. Referimet në organin e akuzës kanë rënë me rreth 70%, rënie që reflektohet edhe në raportet vjetore të ILDKPKI-së në Kuvend. Nuk kemi të bëjmë thjesht me dështimin e një institucioni që paguhet nga taksapaguesit shqiptarë dhe për të cilin kanë investuar miliona euro SHBA dhe BE. ILDKPKI është kthyer vetë në një zgafellë korrupsioni dhe pazaresh, ku hetimet pasurore mbyllen përmes ndërhyrjeve, miqësive, sekserëve dhe pagesave.
Për degradimin e ILDKPKI-së ekziston një konsensus i heshtur dhe i qëndrueshëm mes grupeve partiake që përbëjnë kupolën politike të Tiranës. Ky degradim i është besuar zonjës Evgjeni Bashari, e cila më parë ka qenë sekretare e ish-kryetarit Shkëlqim Ganaj. Ky i fundit referoi mbi 500 dosje për fshehje pasurie dhe pastrim parash në prokurori, ndonëse mbi 90% e tyre u mbyllën, pasi ende nuk ishte ngritur SPAK-u.
Por Ganaj u zëvendësua me sekretaren e tij. Ishte një konsensus i Edi Ramës, Sali Berishës dhe Ilir Metës për ta kthyer ILDKPKI-në në paradhomë të tyre përmes Evgjeni Basharit. Dhe ashtu ndodhi. Prej pesë vitesh në krye të ILDKPKI-së, Bashari ka bllokuar hetimet dhe nuk ka referuar asnjë zyrtar të lartë në SPAK për fshehje pasurie dhe pastrim parash.
Nyja lidhëse mes zyrtarëve të korruptuar dhe zonjës Bashari për bllokimin dhe degradimin e ILDKPKI-së mësohet se është vëllai i saj, Knidi Bashari, në rolin e mentorit dhe sekserit. Pesha e tij u rrit në vitin 2020, pasi e motra u zgjodh në krye të ILDKPKI-së. Madje, Knidi Bashari konsiderohet edhe si kryetari real i ILDKPKI-së. Çdo zyrtar që ka ndonjë problem me fshehjen e pasurive, vihet në kontakt me Knidi Basharin, i cili ofron “zgjidhje” kundrejt tarifave të korrupsionit.
Knidi Bashari, ish-zyrtar i lartë në Ministrinë e Financave kur ministër ishte Arben Ahmetaj, paratë e përfituara nga kjo skemë korrupsioni me ILDKPKI-në që drejtohet nga e motra, i investon në pasuri të paluajtshme dhe në kompani të skeduara nga FBI-ja për krime kompjuterike.
Krahas kapjes së ILDKPKI-së dhe shndërrimit të saj në instrument fitimi, Knidi Bashari nisi të trokasë edhe në dyert e institucioneve publike, duke u vetëprezantuar si këshilltar në Kryeministri për dixhitalizimin, pozicion ky që i siguronte akses dhe marrëdhënie bashkëpunimi me drejtues e titullarë institucionesh, pasi dixhitalizimi i shërbimeve është prioritet i qeverisë.
Depërtimi dhe lëvizjet e tij nëpër zyrat e institucioneve, si “këshilltar i Ramës”, të kujtojnë historinë e famshme të Grigori Rasputinit. Duke u maskuar si këshilltar i kryeministrit dhe si njeriu që “të zgjidh hallet” me ILDKPKI-në, Bashari dyshohet se ka shtuar ndjeshëm të ardhurat, të cilat i ka qarkulluar përmes kompanive të tij.
Bashari rezulton bashkëpronar me 45% të aksioneve në kompaninë “KEMINET”, e cila ushtron veprimtari në ofrimin e shërbimeve të internetit, dizajnimin e rrjeteve private dhe publike të komunikimit, pra në një fushë që përkon drejtpërdrejt me dixhitalizimin.
Në vitin 2016, në Prokurorinë shqiptare mbërriti një kërkesë nga Byroja Federale e Hetimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila kërkonte bashkëpunim në funksion të një hetimi të nisur për një krim të dyshuar kompjuterik. E dyshuar për përfshirje në këtë aktivitet të paligjshëm ishte pikërisht kompania “KEMINET”, me administrator dhe bashkëpronar Knidi Basharin.
Në letërporosinë e mbërritur në Shqipëri, thuhej se Prokuroria e Distriktit Perëndimor të Nju Jorkut dhe Seksioni i Krimit Kompjuterik dhe Pronës Intelektuale i Departamentit Amerikan të Drejtësisë, së bashku me FBI-në, po hetonin shkelje të ligjeve penale të SHBA-së, përmes hyrjeve të paautorizuara në rrjete kompjuterike, interceptimit të kredencialeve të përdoruesve, sulmeve të koordinuara për bllokimin e shërbimeve dhe krijimit të mekanizmave infektues.
Nga hetimet paraprake kishte rezultuar se një nga adresat që lidhej me këtë aplikacion të dëmshëm çonte në një server që ndodhej në Shqipëri. Adresa figuronte e regjistruar me të dhënat: Knidi Bashari, Keminet LTD.
Ndërkohë që institucionet ligjzbatuese shqiptare iu përgjigjën pozitivisht kërkesës së FBI-së për bashkëpunim, Knidi Bashari ushtronte funksionin e këshilltarit të ministrit të Financave.
Në vijim, Bashari, krahas funksionit publik, rolit si sekser dhe këshilltar i rremë i Edi Ramës, shtoi aksionet në kompaninë “KEMINET”, e cila nisi të përfitonte edhe fonde publike përmes tenderëve, në konflikt të hapur interesi.
Aktualisht, Knidi Bashari mban pozicionin e kryetarit të Bordit të Administrimit Ekonomik-Financiar të Radio-Televizionit Shqiptar./Pamfleti
Lini një Përgjigje