TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë 2 Janar 2026, 11:24

Alarm në BE për Prince Caffe të Devollit; produkti cilësohet rrezik serioz për shëndetin

Shkruar nga Pamfleti

Autoritetet kroate njoftuan Bashkimin Europian për një ngarkesë Prince Caffe të prodhuar nga Devolli Group, pasi analizat laboratorike zbuluan nivel akrilamidi mbi kufirin e lejuar. Sistemi RASFF i Komisioni Europian e regjistroi rastin si rrezik serioz për shëndetin publik...

Alarm në BE për Prince Caffe të Devollit; produkti cilësohet

Një ngarkesë kafeje Prince Caffe, prodhim i grupit Devolli me origjinë nga Kosova, u ndalua në kufirin kroat dhe u shkatërrua pas analizave laboratorike që zbuluan nivel të lartë akrilamidi, një substancë e lidhur drejtpërdrejt me rrezikun kancerogjen, duke detyruar autoritetet kroate të aktivizojnë mekanizmin e alarmit të Bashkimit Europian dhe ta regjistrojnë rastin në sistemin zyrtar RASFF si rrezik serioz për shëndetin publik.

Analizat e kryera më 11 dhjetor 2025 treguan 746.3 mikrogramë akrilamid për kilogram kafeje, gati dyfish mbi kufirin maksimal të lejuar nga legjislacioni europian, i cili vendos pragun në 400 mikrogramë për kilogram, çka për BE nuk përbën thjesht një shkelje teknike, por një sinjal për dështim të kontrollit industrial në procesin e pjekjes dhe prodhimit.

Alarm në BE për Prince Caffe të Devollit; produkti cilësohet
Faksimile e njoftimit zyrtar të publikuar në sistemin RASFF të Komisionit Europian për sigurinë ushqimore

Autoritetet nuk lejuan që produkti të hynte në treg, e mbajtën nën vulë doganore dhe urdhëruan asgjësimin e tij, duke e trajtuar si mall me rrezik për konsumatorët, ndërsa njoftimi i Komisionit Europian mbetet publik dhe i aksesueshëm si dokument zyrtar i një rasti që përfshin një nga markat më të njohura të kafesë në rajon.

Akrilamidi është një substancë kimike që formohet gjatë përpunimit termik të ushqimeve, kur produktet me përmbajtje natyrale sheqernash dhe aminoacide ekspozohen ndaj temperaturave mbi 120 gradë Celsius, veçanërisht gjatë pjekjes, skuqjes ose tostimit. Në kafe, akrilamidi krijohet gjatë procesit të pjekjes së kokrrës dhe niveli i tij varet drejtpërdrejt nga teknologjia e përdorur dhe kontrolli industrial. Autoritetet europiane të sigurisë ushqimore e klasifikojnë akrilamidin si substancë me potencial kancerogjen dhe për këtë arsye Bashkimi Europian ka vendosur kufij të qartë maksimalë, duke e trajtuar tejkalimin e tyre si rrezik serioz për shëndetin publik.

Prince Caffe ndërtohet prej vitesh si simbol cilësie, eksporti dhe suksesi industrial, por ky episod nxjerr në pah një kontrast të fortë mes imazhit tregtar dhe realitetit të verifikuar në laboratorët e BE, sepse akrilamidi nuk është ndotje aksidentale apo gabim paketimi, por produkt i drejtpërdrejtë i procesit të pjekjes në temperatura të larta, proces që kontrollohet plotësisht nga prodhuesi.

Pikërisht këtu nis pyetja që shtrihet përtej kufirit kroat dhe arrin drejtpërdrejt në Shqipëri, pasi Prince Caffe Tiranë furnizohet nga i njëjti burim prodhimi në Kosovë dhe shpërndan kafe në dhjetëra bare, restorante dhe pika tregtare, pa asnjë transparencë publike mbi seritë e prodhimit, analizat laboratorike apo mekanizmat e vetëkontrollit për një substancë që BE e konsideron me rrezik të lartë.

Devolli Group nuk ka sqaruar nëse ngarkesa e ndaluar në Kroaci i përket një serie të izoluar apo një cikli më të gjerë prodhimi, nuk ka njoftuar tërheqje produktesh nga tregjet ku Prince Caffe shitet lirshëm dhe nuk ka publikuar rezultate të analizave të brendshme për akrilamidin, duke zgjedhur heshtjen në një moment kur transparenca është detyrim dhe jo zgjedhje.

Në këtë kontekst, shqetësimi nuk lidhet më vetëm me një refuzim kufitar, por me një problem të mundshëm të shtrirë në treg, sepse nëse BE ndalon dhe shkatërron një produkt për rrezik shëndetësor, lind natyrshëm dyshimi se çfarë ka ndodhur me të njëjtin produkt që ka kaluar pa pengesa drejt Shqipërisë dhe ka përfunduar në filxhanët e konsumatorëve.

Institucionet shqiptare të sigurisë ushqimore deri tani nuk kanë reaguar publikisht, nuk kanë njoftuar kontrolle shtesë dhe nuk kanë sqaruar nëse kanë verifikuar seritë e Prince Caffe që qarkullojnë në Tiranë, ndërkohë që rasti i regjistruar në Bruksel është një fakt zyrtar dhe i dokumentuar.

Në fund, kontrasti mbetet i fortë dhe i pakëndshëm, sepse një produkt që në BE cilësohet rrezik serioz për shëndetin publik, në Shqipëri vazhdon të shitet normalisht, pa paralajmërim dhe pa llogaridhënie, duke e kthyer çështjen e Prince Caffe nga një problem teknik në një provë konkrete të mënyrës se si funksionon ose dështon mbrojtja e konsumatorit në rajon. /Pamfleti

prince caffe devolli be rrezik

4 Komente

  1. L
    Lajm i keq

    Mos! Sa lajm i keq! Jo për popullin, se ky popull është mësuar tashmë me perime e fruta me hormone e pesticide (si psh manderinat etj) dhe hesht. Por, dikush t'i thojë Arbana Osmanit që të heqë dorë nga publiciteti për Prince Caffe se do i prishet imazhi (nëse vërtet kjo kafe ka lëndë të dëmshme për shëndetin).

    1. T
      Tropoja

      Po mirë ju qe shkruani dhe vlerësohet kjo, por përse nuk shkruajnë mediat në Kosovë. Apo janë të shitura. Apo tjetra, a ka prokurorë të cilët e duan dhe janë betuar për të ruajtur popullin nga kriminelet dhe monopolistët kanceroz. Si duket duhet të shkruani edhe për gazetarët dhe prokurorët e Kosovës që kan shitur shpirtin djallit. Familja Devolli po shkatërron kosovaret

      1. P
        Panariti

        Pamfleti, a mund te gjurmoni se kush e sjell miellin sërb në Shqipëri? A është ky miellin brenda normave shqiptare e europiane? Faleminderit!

        1. R
          Roku

          Mielli eshte qe vjen ne Shqiperi me te gjithe treguesit sipas analizave.. Kjo do me thene qe produkti eshte i rregullt. Leji budallalliqet qe pllasin ne TV. Te gjithe hane tw paguar nga importuesit vendas. Te kujtohet sa ishte cmimi i miellit para se hynte nga kosova? Ta them une, jo me pak se 1000-1100 leke/kg .. Tani pyet veten perse propaganda ne tv kunder miellit qe hyn nga Kosova e Serbia.. Si puna e atyre qe denigrojne makaronat italiane dhe prodhojne ne Shqiperi cilesine me te qelbur

        Lini një Përgjigje