Nga Veliaj te Karçanaj, nga Tahiri te Ahmetaj, kryeministri përdor lëvdata publike për vartësit që i shet te drejtësia, ndërsa vetë mbetet i paprekshëm...
Me hipokrizinë që e ka “ves” në qëndrimin ndaj miqve dhe vartësve, Edi Rama lëvdoi dhe mori në mbrojtje edhe Drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, pas masës “arrest në shtëpi”.
Aktualisht, Karçanaj ka deleguar kompetencat e ushtrimit të detyrës, dhe do të jetë gjykata ajo që do të vendosë nëse ka abuzuar apo jo me detyrën, në lidhje me akuzat që i ka bërë SPAK-u.
Por në rastin e saj, ka bërë përshtypje ky fakt: ata që i lëvdon dhe i mbron Babloku, para dhe pas akuzave të drejtësisë, shumë shpejt përfundojnë në burg, ndërsa atij nuk “i futet gjemb në këmbë”.
Dhe vazhdon të përdorë, të presë në besë, të lëvdojë, të çojë në pranga vartësin e radhës dhe të mendojë për “kurbanin” tjetër, ndërsa pas prangosjeve aktoron me lëvdata e mbrojtje sa për sy e faqe.
Ka shumë fakte nga pabesia, kurthet dhe hipokrizia e Edi Ramës ndaj vartësve që i përdor dhe i shet te SPAK-u, në këmbim të paprekshmërisë së tij, familjarëve dhe atyre që i tregojnë dhëmbët.
Këtë perversitet Edi Rama e manifestoi me kryebashkiakun Erion Veliaj, të cilin më 3 shkurt 2025 e falënderoi publikisht për punët e mira në modernizimin e Tiranës, ndërsa pas 3 ditësh, më 10 shkurt, ai përfundoi në pranga.
Dy ditë pas arrestimit, Edi Rama aktoroi përsëri me lëvdata dhe mbrojtje të Veliajt, por pas një jave e zëvendësoi, i largoi drejtorët e quajtur “besnikë” dhe shpalli zgjedhje, ndërsa pas zbythjes nga Gjykata Kushtetuese, me hipokrizinë e bërë ves, ka dalë dhe po mbron e lëvdon përsëri.
Kështu veproi me ish-ministrin Saimir Tahiri, të cilit kryeministri Edi Rama i doli në mbrojtje dhe e quajti “ministër kampion”, por pas lëvdatës ai përfundoi në proces gjyqësor dhe në burg.
Më 13 qershor 2016, Babloku mbrojti dhe lëvdoi kryebashkiakun e Kavajës, Ervis Roshi, duke e quajtur “model të qeverisjes lokale”, por pas 3 ditësh u arrestua, ndërsa Babloku bëri sikur e mbrojti në Facebook dhe më pas e braktisi.
Tre muaj pas zgjedhjeve të vitit 2021, Edi Rama lëvdoi për punë të shkëlqyer në fushatë dhe në drejtimin e bashkisë kryebashkiakun e Lushnjës, Fatos Tushe, ndërsa pas 10 ditësh ai u arrestua.
Një ditë para dorëzimit të mandatit dhe një javë para arrestimit të ish-ministrit Lefter Koka, Babloku e quajti “vëlla” dhe pinte verë me të, duke e konsideruar politikan të ndershëm që iku nga moçali i LSI-së dhe iu bashkua PS-së, siç veproi edhe me deputetin Alqi Bllako.
Më 12 mars 2023, katër ditë para arrestimit, Babloku lëvdoi në fushatë elektorale kryebashkiakun e Bulqizës, Lefter Alla, ndërsa tre ditë më pas ai u arrestua dhe përfundoi në burg.
Të njëjtën akrobaci bëri me Vangjush Dakon, të cilin deri mbrëmjen e datës 5 qershor e mbrojti dhe e lëvdoi, por një ditë më pas ai u arrestua, ndërsa Babloku heshti sikur të mos kishte ndodhur asgjë.
Kështu veproi edhe ndaj Arben Ahmetajt, të cilin e quante ministër që reformoi ekonominë dhe financat dhe përballoi rindërtimin e banesave pas tërmetit, por ndryshe nga të tjerët, Ahmetajn e shkarkoi dhe iu vërsul për ta futur në burg, madje me heqje imuniteti brenda ditës.
Deri një ditë para arrestimit, Edi Rama mbrojti ish-ministrin Ilir Beqja, duke e quajtur të ndershëm dhe shembull që reformoi shëndetësinë me standarde europiane, ndërsa tani e ka braktisur.
Me mbrojtje dhe lëvdata para prangosjes dhe braktisje pasi ngelen në burg, do të aktrojë Edi Rama për të gjithë ata që ka menduar t’i bëjë “kurban”, për paprekshmërinë e tij, të Olsit dhe të Lindës.
Të presim e të shohim cili do të jetë “kurbani” i parë nga lista e Bablokut, me të piketuarit Ëngjëll Agaçi, Kumbaro, Manastirliu, Xhaçka, Krifca, Gonxhe, Denaj, Dritan Agolli i FSHZH etj.
Ndërsa sipas lajmeve që vijnë nga përtej Oqeanit, Edi Rama do të jetë “dashi i kopesë” që do të çohet i fundit në portën e SPAK-ut, por për të nuk do të bëjë lëvdata e mbrojtje askush./Pamfleti
Hajduti thërret kapeni hajdutin.