Nga oborri në qiell të hapur; Ikarët e mitologjisë greke që nuk e kuptuan kurrë se krahët nuk ishin të tyre...
Ka një kategori të re “burrash shteti”, që nuk i gjen as në librat e historisë, as në filmat e mafias. Janë krijesat e reja të pushtetit modern: të paprekshmit, ata që kalojnë para kamerave me eskortë kryeministrore dhe dosje tenderash në dorë, ndërsa prapa tyre tërhiqet një karvan me qese parash tenderash, trafik droge, pengmarrje, vrasje dhe kafshime kriminale ndaj çdo shpirti që guxon të mos përkulet.
Këta kameleonë të korridorëve qeveritarë, sot janë të gjithë biznesmenë vizionarë, nesër inxhinierë të sigurisë kibernetike, pasnesër truproja hijesh të pushtetit, dhe natën… atë natë që nuk i shohim dot, shndërrohen në hijet e krimit që rreken të fshihen pas gardhit me trëndafila të kryeministrisë.
Ata mburren se janë afër diellit të pushtetit, por s’e kuptojnë se flatrat që ua ka ngjitur shefi i madh janë prej dylli. Dhe të gjithë e dimë fundin e Ikarit…
(Ky episod bën pjesë në mitin e Dedalit dhe Ikarit. Ky është një mit i Greqisë së lashtë dhe përmendet në veprat e Hesiodit dhe Ovidit. Dedali ndërton krahët që ai dhe i biri Ikar të arratisen nga Kreta. Ikar nuk respekton kufizimin që i vendos i ati, ngjitet shumë afër diellit dhe vdes pasi krahët shkrihen.)
Nuk kanë ide, nuk kanë profesion, nuk kanë as historik suksesi. Kanë vetëm aftësinë të puthin dorën që i ushqen dhe të kafshojnë këdo që shefi ua tregon me gisht. Aty fillon dhe mbaron karriera e tyre. Një jetë e tërë e ndërtuar mbi shërbimin ndaj një njeriu të vetëm: kryetarit të së keqes. Ata nuk pasurohen sepse vlejnë; pasurohen sepse janë të nevojshëm për punët që askush normal nuk i bën dot. Dhe kur bien, nuk bien nga drejtësia; bien nga shefi që nuk ka më nevojë për ta. Sepse këta nuk kanë vlera, nuk kanë besë, nuk kanë identitet. Janë thjesht mjetet e një regjimi, që kur thyehen, hidhen në kosh. Dhe më tragjikja është se ata e dinë shumë mirë këtë, prandaj vjedhin sa munden, sa më shpejt të munden, sa kohë që ura nuk është djegur ende.
Njerëz pa moral, pa bosht, pa identitet, që duan vetëm të jenë dikushi, edhe nëse për këtë duhet të jenë askushi.
Janë shërbëtorë të idealit: që shefi të mos shqetësohet kurrë nga ligji dhe ata që i dalin kundra. Për këtë, janë gati të zhdukin edhe ndonjë biznesmen të gabuar, t’i fusin thikën në shpinë edhe mikut që dje i hapi derën, të hapin gropa për t’i varrosur ata që nesër i quajnë “vëllezër”.
Por fati është hakmarrës.
Tre vite mbret,
gjithë jetën peng.
Peng i pushtetit, peng i trafikantëve që i kanë besuar, peng i mafies që investoi tek ta...
Sot mburren si “djemtë e fortë të shtetit”, nesër shndërrohen në dosje me kapëse të kuqe, dhe pasnesër; në një legjendë urbane që rrëfehet me zë të ulët nëpër kafene:
“E ke dëgjuar atë? Na ishte i paprekshëm… derisa e zbythën.”
Historia nuk i mban mend me emër, sepse emrin nuk e kanë pasur kurrë të tyrin. Atyre u ka takuar vetëm no name-i i shërbëtorit, etiketa e qenit roje të korrupsionit, që leh për shefin dhe kafshon popullin.
Ata e kanë ditur gjithmonë se nuk janë burra shteti, por ushqimi i llavës së pushtetit. Që djeg e flak çdo krimb që mendon se është dragua.
Në fund, gjithçka që mbetet nga ta është një listë me tenderë të sekuestruar, disa kamera të fshehta dhe një arrati qesharake pas pasqyrës së famës së rreme. /Pamfleti
Jane shume te tylle. Ata po e shqyejne sot Shqiperine.
Lali eri qe mbron pamfleti, eshte shembulli me i vertete per llojin e krimbave qe behen dragonj dhe djegin veten