TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë 1 Janar 2026, 20:05

Për kë do të trokasin prangat gjatë vitit 2026?

Shkruar nga Pamfleti
Për kë do të trokasin prangat gjatë vitit 2026?
SPAK vs Shteti paralel: Dosjet që pritet të shpërthejnë në 2026

Nga “21 Janari” dhe “Gërdeci”, te “Mcgonigal” , aferat me fondet e BE dhe pronat e ushtrisë, dosjet që pritet të kopsiten nga SPAK gjatë këtij viti...

Viti 2025 ishte padyshim viti i SPAK. Prokuroria e Posaçme tregoi vendosmëri në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke goditur emra të niveleve shumë të larta si të politikës ashtu edhe të krimit.

Sa i takon luftës antikorrupsion, zhvillimet më të bujshme ishin arrestimi i kryebashkiakut Erion Veliaj dhe ngritja e akuzave ndaj zv/kryeministres Belinda Balluku.

Sa i takon krimit, pati disa aksione, ku më i bujshmi ishte në Durrës, duke goditur grupin e troplinëve. Por edhe viti 2026 pritet të jetë vit i Prokurorisë së Posaçme. Këtë vit SPAK do të ketë një drejtues të ri dhe tani Klodian Braho do të shihet nëse do të ndjekë ritmin e Dumanit, apo do të jetë më i moderuar.

Por cilat janë dosjet e bujshme që ka në dorë SPAK dhe priten zhvillime?

Një nga dosjet më të mëdha është ajo e “21 Janarit”. Deri më tani SPAK ka marrë në pyetje figura të rëndësishme, duke përfshirë edhe ish-kryeministrin e asaj kohe Sali Berisha dhe ish-ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha. Po ashtu janë pyetur dëshmitarë, përfaqësues të Gardës apo policisë. Gjatë vitit 2026 pritet që SPAK të shkojë drejt mbylljes së hetimeve dhe do të duhet të shihet nëse do të ketë akuzë ndaj atyre që urdhëruan vrasjet në bulevard.

Një dosje tjetër që fle prej afro 4 vitesh është ajo e aferave në pikën e demontimit të armëve në Gërdec. Për shpërthimin që mori 26 jetë u mor i pandehur ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu dhe gjyqi për të vijon. Por SPAK hapi një hetim të ri lidhur me trafikun e fishekëve. Emri që është akuzuar shpesh si i përfshirë në këtë proces ka qenë Shkëlzen Berisha, djali i Sali Berishës. Por SPAK nuk e ka konkretizuar dot këtë dosje. Madje, në seancën e fundit për Mediun u përmend edhe faksi i famshëm ku përmendet emri i Shkëlzen Berishës. Të shohim nëse në 2026 do të ketë zhvillime në këtë aspekt.

Dosje tjetër shumë e bujshme është ajo e “McGonigal”. Në SHBA u vërtetua se ish-agjenti i FBI, Charles McGonigal, ka marrë para nga disa individë të lidhur me qeverinë. Po ashtu ka pasur takime të dyshimta me kryeministrin Edi Rama. SPAK ka nisur hetimet mbi këtë rast dhe dosja ka mbetur pezull, sepse priten përgjigjet nga SHBA. SPAK ka dërguar një letër-porosi, por përgjigjja nuk ka ardhur akoma.

Dosje tjetër që pritet të ketë shumë zhvillime është ajo e abuzimeve me fondet IPARD. Prej më shumë se 2 vitesh, në SPAK kanë nisur hetimet mbi abuzimet me fondet e BE për bujqësinë. Ishte OLAF që dorëzoi një dosje me prova në SPAK, ku e akuzuar kryesore është Frida Krifca, drejtoreshë e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural në kohën kur ndodhën abuzimet. Deri tani Krifcës nuk i ka hyrë gjemb në këmbë, por priten zhvillime.

Po ashtu priten akuza konkrete lidhur me abuzimin me privatizimin e pronave të ushtrisë dhe veçanërisht Portin e Limionit në Sarandë. Ish-ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, pak ditë më parë u mor në pyetje nga SPAK dhe me gjasë mbyllja e hetimeve është drejt fundit dhe padyshim e rrezikuara kryesore është Olta Xhaçka.

Po ashtu priten zhvillime edhe sa i takon koncesioneve në shëndetësi apo edhe abuzimeve në pushtetin vendor.

Gjatë vitit 2025, për herë të parë SPAK shkoi te oligarkët. Shumë biznesmenë me emër dalin në disa dosje abuzimesh dhe SPAK ka kryer kontrolle. Disa biznesmenë janë marrë të pandehur te rastet “Veliaj” apo “Malltezi”, por pritet që vitin që vjen të goditen emra “big”. Pra edhe në 2026 vëmendja e publikut do të jetë e fokusuar te Prokuroria e Posaçme, e cila shihet si opozita e vetme përballë kësaj qeverie. /Pamfleti

spak pranga arrestime

2 Komente

  1. E
    Edmond

    Per Ramaduron nuk do kete paqe ,do arrestohet me Ceremoni!

    1. Z
      Zeqine sallaksja bjondja

      Ik o Edmond trapi. Kjo pune eshte me rradhe, do shkojne para drejtesise vrasesit Sali Bersha dhe Fatmir Mediu! Pastaj ka per te gjithe

      Lini një Përgjigje