TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë 5 Janar 2026, 12:32

Faqja e Instagramit 'Irena’s Wardrobe', stoku i luksit që shmang doganën dhe tatimet

Shkruar nga Pamfleti

Investigimi i Vox News fakton se verëra ultra-premium shiten në Shqipëri pa u zhdoganuar. Mbi këtë bazë, Pamfleti ka verifikuar se Irena’s Wardrobe operon me stok mallrash luksi me vlerë qindra mijëra euro, të futura në vend pa deklarim doganor dhe pa faturë. Aktiviteti zhvillohet publikisht përmes rrjeteve sociale dhe shmang sistematikisht doganën dhe tatimet

Faqja e Instagramit 'Irena’s Wardrobe', stoku i luksit që
Foto ilustruese

Investigimi i Vox News i 4 janarit 2026 tregon se në Shqipëri shiten verëra ultra-premium si Romanée-Conti, Petrus, Masseto dhe Ornellaia, ndërkohë që këto produkte nuk rezultojnë të futura ligjërisht në vend. Për Romanée-Conti nuk ka asnjë shishe të zhdoganuar. Për Petrus, shifrat vjetore janë minimale dhe nuk përputhen me ofertën që qarkullon në treg. Këto të dhëna bazohen në burime doganore dhe në komunikime me negociantë ndërkombëtarë, të cilët konfirmojnë se tregu shqiptar nuk furnizohet me këto sasi.

Vox News dokumenton edhe faktin se këto verëra shiten nga subjekte që nuk kanë as licencë dhe as lidhje me tregtinë e pijeve alkoolike. Një nga rastet e evidentuara është Irena’s Wardrobe, e cila ofron shishe Petrus me çmim rreth 4.400 euro dhe deklaron disponueshmëri, ndonëse mallrat nuk figurojnë të zhdoganuara. Pra vera shitet, por hyrja e saj në Shqipëri nuk ekziston në asnjë regjistër zyrtar. Ky është konteksti faktik mbi të cilin Pamfleti ka verifikuar informacione shtesë për aktivitetin e Irena’s Wardrobe.

Pas publikimit të investigimit të Vox News, Irena’s Wardrobe ndryshoi emrin e profilit në Instagram në yourwardrobe.al.

Irena’s Wardrobe, stoku i luksit që nuk ekziston në doganë

Sipas informacioneve të ardhura në Pamfleti, Irena’s Wardrobe operon si kanal tregtimi informal për mallra luksi që hyjnë në Shqipëri pa u deklaruar në doganë. Nuk bëhet fjalë për blerje personale apo porosi të izoluara, por për mbajtje stoku dhe shitje të vazhdueshme. Mallrat ofrohen publikisht përmes rrjeteve sociale dhe komunikimeve private, pa faturë tatimore dhe pa dokumente doganore.

Verërat ultra-premium përbëjnë vetëm fazën e parë të këtij aktiviteti, pasi ato konsumohen shpejt dhe nuk krijojnë stok afatgjatë. Vëmendja kryesore sot përqendrohet te mallrat e tjera të luksit, të cilat mbahen në dispozicion dhe qarkullojnë si pasuri fizike me vlerë të lartë.

Sipas të njëjtave burime, Irena’s Wardrobe mban stok ora luksi dhe çanta me vlera të mëdha, të futura në Shqipëri pa deklarim doganor. Bëhet fjalë për ora Rolex, Audemars Piguet dhe Omega, si dhe çanta Hermès Birkin, Bvlgari dhe Louis Vuitton. Këto produkte nuk shoqërohen me certifikata doganore, fatura blerjeje apo dokumente origjine dhe ofrohen drejtpërdrejt përmes rrjeteve sociale dhe komunikimeve private.

Faqja e Instagramit 'Irena’s Wardrobe', stoku i luksit që
stok-u i Irena's Wardrobe

Duke u bazuar në çmimet minimale të tregut, vetëm stoku i disponueshëm kap një vlerë nga 340.000 deri në 540.000 euro. Kjo shifër nuk përfshin qarkullimin vjetor, por vetëm mallrat që mbahen gati për shitje. Çdo artikull i shitur në këtë mënyrë shmang pagesën e doganës, TVSH-së dhe tatimit mbi fitimin. Shmangia doganore përbën mënyrën kryesore të funksionimit të këtij aktiviteti.

Në këtë rast, problemi nuk qëndron te emri i një faqeje “personal shopper”. Problemi qëndron te fakti se mallra me vlerë qindra mijëra euro hyjnë, ruhen dhe shiten në Shqipëri pa ekzistuar për doganat dhe tatimet. Kur ky aktivitet zhvillohet hapur dhe pa pasoja, përgjegjësia nuk mbetet vetëm te subjekti që shet, por kalon drejtpërdrejt te institucionet që zgjedhin të mos shohin. 

Vijon me:

rruga konkrete e hyrjes së këtyre mallrave luksi në Shqipëri

mënyra se si maskohet aktiviteti tregtar si “personal shopping”...

 

 

irena’s wardrobe stok luksi dogana tatime

1 Komente

  1. E
    Eni

    Ehuu sa ka kshu, plot faqe online, shiko më të kërkuar perla magic style glamour me cmime te fryra sa kur mendon se me universitet e rropatesh per ate rrog e nuk i blen dot thua po I hyn edhe ti ksaj pune po do ti qe te thone mos u merr me kto se e kann n terezi me doganen e kan ndreq me koh

    Lini një Përgjigje