TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë 3 Janar 2026, 17:55

Vëllezërit Efthimi dhe Edi Rama, historia e një aleance të errët mes përgjimeve të SPAK, tenderëve të ARRSH, kullave dhe pastrimit të parave

Shkruar nga Pamfleti

Emrat e tyre shfaqen në dosje hetimore, përgjime dhe vendimmarrje shtetërore, por mbeten të fshehur nga ekspozimi publik për shkak të lidhjeve direkte me pushtetin. Vazhdimi i dosjes që zbërthen mekanizmin e kapjes së shtetit përmes ndërtimit...

Vëllezërit Efthimi dhe Edi Rama, historia e një aleance të
Vëllezërit Efthimi

Pas artikullit të publikuar disa ditë më parë, ku u dokumentuan pagesat nga thesari i shtetit, lejet e ndërtimit të miratuara nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe prania e emrave të Alban dhe Olsi Efthimit në përgjime telefonike të administruara nga SPAK, tabloja e vërtetë e këtij rrjeti rezulton shumë më e gjerë dhe më e sofistikuar sesa ajo që shfaqet në fasadën e kullave dhe projekteve luksoze.

Në thelb të kësaj faze të re qëndron një ndryshim strategjik i mënyrës së operimit, ku përfitimi nga fondet publike dhe nga rritja artificiale e vlerës së territorit shoqërohet me ndarjen e qëllimshme të përgjegjësisë ligjore dhe fiskale përmes krijimit të një sërë kompanish të reja, të regjistruara me kapitale minimale, të pajisura me objekte veprimtarie të fryra artificialisht dhe të administruara nga individë pa peshë publike, pa histori biznesi dhe pa autonomi reale vendimmarrjeje.

Dokumentet tregtare tregojnë se pas vitit 2022, periudhë që përkon me intensifikimin e hetimeve ndaj sektorit të ndërtimit si mekanizëm kryesor i pastrimit të parave, në orbitën e vëllezërve Efthimi shfaqen subjekte si Futuris Gen, Comfort Development, ArtPlan dhe kompani të tjera të ngjashme, të cilat ndajnë të njëjtat adresa, të njëjtat kontakte elektronike, të njëjtat modele statutore dhe, mbi të gjitha, të njëjtin përfitues përfundimtar.

Futuris Gen, e themeluar në vitin 2023 me kapital 500 mijë lekë, paraqet një rast ilustrues të kësaj metode. Kompania regjistrohet me adresë në Rrugën e Kosovarëve, përdor e-mail të domenit të Atelier 4 dhe përfshin në strukturën e saj Zurich Investment Group, Olsi dhe Andi Efthimin, si dhe një administrator formal, kompetencat e të cilit kufizohen në mënyrë eksplicite nga statuti, duke kërkuar firmën e Alban Efthimit për çdo transaksion që tejkalon një prag minimal. Pa asnjë kontratë publike të dokumentuar dhe pa projekte të dukshme në terren, kjo kompani depoziton në nëntor 2025 një vendim për riemërim administratori, që në fakt korrigjon në mënyrë retroaktive afatet e mandatit, dhe vetëm tre ditë më pas, më 22 dhjetor 2025, aktiviteti pezullohet, duke e lënë pas një subjekt pa aktivitet, por me histori transaksionesh dhe marrëdhëniesh që kërkojnë verifikim të thelluar.

E njëjta logjikë shfaqet edhe te Comfort Development, një kompani e themeluar më herët, por që deri në shkurt 2024 kontrollohej drejtpërdrejt nga vëllezërit Efthimi, për t’u transferuar më pas në mënyrë të plotë te Texas Development dhe Daton, dy subjekte që në letër paraqiten si të pavarura, por që në praktikë lidhen drejtpërdrejt me të njëjtin qendër kontrolli. Ndërsa pronësia zhvendoset formalisht, administrimi mbetet në duart e Alban Efthimit, duke konfirmuar se transferimi nuk synon largimin nga kontrolli, por krijimin e një distance formale nga përgjegjësia direkte.

Oreo&Tony shfaqet si një kompani periferike, e regjistruar në vitin 2024 me kapital 500 mijë lekë dhe e prezantuar në letra si biznes për produkte kafshësh shtëpiake, por dokumentet tregtare tregojnë se ajo është e integruar në të njëjtën infrastrukturë administrative me kompanitë e kontrolluara nga vëllezërit Efthimi. Email-i, kontaktet dhe lidhjet operacionale përputhen me strukturat e Zurich Investment Group, duke e nxjerrë këtë subjekt nga profili i një dyqani të zakonshëm tregtie. Oreo&Tony nuk rezulton me aktivitet të dukshëm ekonomik proporcional me ekzistencën e saj dhe shfaqet si një kompani satelit, e përdorshme për lëvizje financiare, shpërndarje risku dhe fragmentim formal të rrjetit, larg sektorit të ndërtimit që ndodhet në fokusin e hetimeve.

King’s Garden është një rast edhe më domethënës. E themeluar në janar 2025 me kapital simbolik prej vetëm 10 mijë lekësh, kompania deklaron një objekt veprimtarie që shtrihet nga gjelbërimi dhe kopshtaria deri te ndërtimi, projektimi dhe inxhinieria mjedisore, një gamë që nuk justifikohet as nga kapitali dhe as nga struktura reale. Kontrolli i saj kalon përmes Zurich Investment Group dhe vëllezërve Efthimi, ndërsa në pronësi shfaqet edhe Artur Dojaka, biznesmen me origjinë çame, shtetësi izraelite dhe histori të dokumentuar përfshirjeje në koncesione bujqësore, kredi të mëdha bankare të pashlyera dhe përplasje të vazhdueshme gjyqësore me bankat e nivelit të dytë. Artur Dojaka është një figurë e njohur për manovra financiare, përdorim të lidhjeve politike dhe zhvendosje aktivitetesh mes kompanive të ndryshme, çka e bën përfshirjen e tij në King’s Garden jo rastësore. Kjo lidhje nuk i jep besueshmëri kompanisë, por e lidh atë drejtpërdrejt me një profil biznesi të shënuar nga borxhe, koncesione dhe skema shmangieje, duke e kthyer King’s Garden në një tjetër hallkë problematike në zinxhirin që rrethon pasurinë dhe interesat e vëllezërve Efthimi.

Art Plan shfaqet si kompani projektimi dhe konsulence, por dokumentet tregtare dhe lidhjet operacionale e vendosin qartë brenda boshtit Texas Development dhe Daton, dy subjekte që bashkohen në projektet më të ndjeshme të ndërtimit në Tiranë. Art Plan ndan lidhje funksionale me Texas Development të Alban Efthimit dhe me Daton sh.p.k të Orion Cenollarit, kompani që u përdorën si mjete formale në ndarjen e aksioneve dhe roleve pas miratimit të lejeve strategjike.

Vëllezërit Efthimi dhe Edi Rama, historia e një aleance të

Kulla 40 kate te Diga e Liqenit

Miratimi i kullës 40-katëshe te diga e Liqenit Artificial ekspozon mënyrën se si Këshilli Kombëtar i Territorit shërben prej vitesh si vulë formale për pazare të mbyllura, ku lejet e ndërtimit përdoren si instrument për ndarjen e pasurive publike dhe legalizimin e parave me origjinë të dyshimtë. Leja iu dha kompanisë Green Living Company, një subjekt pa aktivitet real dhe pa kapacitet financiar, i cili në momentin e vendimmarrjes kontrollohej me 65 për qind nga Natasha Xhai, një emër pa profil publik dhe pa burime të deklaruara. Lëvizjet financiare kryesore rezultojnë të kryera nga i biri, Klevens Toka, përfshirë një transfertë prej 450 mijë eurosh, ndërkohë që për një projekt ku vetëm taksa e ndërtimit kap vlerën mbi 8 milionë euro nuk ekziston asnjë shpjegim zyrtar për origjinën e fondeve.

Green Living Company, e themeluar në vitin 2008 nga Ed Manushi, qëndroi e pezulluar për më shumë se një dekadë, nga viti 2009 deri në vitin 2022, pa bilance, pa kapital dhe pa aktivitet. Në vitin 2023, e njëjta kompani u riaktivizua vetëm për të marrë lejen e kullës te Liqeni Artificial, ndërsa pas miratimit struktura aksionare u rikonfigurua menjëherë, duke futur në skemë Orion Cenallën përmes kompanisë DATON shpk dhe Texas Development të kontrolluar nga Alban Efthimi. Ky zinxhir lëvizjesh tregon një model të përsëritur, ku kompania guackë merr lejen, ndërsa përfitimi real dhe kontrolli i projektit shpërndahen më pas mes ndërtuesve si Alban Efthimi, i lidhur me pushtetin, duke e kthyer familjen Efthimi në një rast emblemë të pastrimit të parave përmes ndërtimit.

Lidhja e Alban Efthimit me Edi Ramën

Raporti mes Alban Efthimit dhe Edi Ramës nuk është episodik, por i ndërtuar ndër vite brenda strukturave të planifikimit urban. Alban Efthimi ka mbajtur detyrën e Drejtorit të Planifikimit Urban në Bashkinë e Tiranës gjatë kohës kur Edi Rama drejtonte bashkinë, një pozicion kyç nga i cili përcaktoheshin zonat e zhvillimit, intensiteti i ndërtimit dhe vlerat e tokës.

Emri i tij doli ndër më të përmendurit në Komisionin Hetimor Parlamentar të vitit 2012, si një nga përfituesit kryesorë të lejeve të ndërtimit në periudhën Rama-Bashki, ndërsa ky raport vijoi edhe pas shtatorit 2013, kur Rama mori drejtimin e qeverisë dhe vendimmarrja për territorin u përqendrua te Këshilli Kombëtar i Territorit.

Në këtë fazë, kompanitë e lidhura me Efthimin jo vetëm që vazhduan të hartonin plane urbane për shtetin, por njëkohësisht përfituan leje ndërtimi për kulla shumëkatëshe në të njëjtat zona, duke krijuar një konflikt interesi të hapur mes projektuesit të politikës urbane dhe përfituesit privat të saj, konflikt që asnjë institucion nuk e ka hetuar deri më sot.

Në dosjet e tenderëve të infrastrukturës, emrat e Alban dhe Olsi Efthimit shfaqen edhe në përgjimet që lidhen me procedurat e ARRSH, ku Atelier 4 dhe SEED Consulting dalin si përfitues të kontratave të hartuara përmes negociatave të mbyllura, kritereve të përshtatura dhe ofertave pranë fondit limit, por këto pjesë të dosjeve mbahen të izoluara dhe nuk janë bërë publike, sepse prekja e tyre do të çonte drejtpërdrejt te lidhjet politike me Edi Ramën, ndërsa përgjimet tregojnë komunikime për ndërhyrje në procedura, favorizime teknike dhe koordinim mes hartuesve të projekteve dhe vendimmarrësve.

Cfarë ekspozimi politik që do të sillte zbardhja e plotë e rolit të vëllezërve Efthimi në një skemë tenderash që funksionon vetëm me mbrojtje nga maja e pushtetit?

Sipas vlerësimeve të SPAK, SHISH, Drejtoria për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe sinjaleve të përfshira në raporte ndërkombëtare për pastrimin e parave, Alban dhe Olsi Efthimi së bashku me rrjetin e kompanive që kontrollojnë shfaqen si pjesë e një modeli të konsoliduar ku sektori i ndërtimit dhe planifikimit urban përdoret për të përthithur dhe ricikluar para me origjinë kriminale dhe korruptive, përmes tenderëve të orientuar, procedurave pa garë reale në ARRSH, vendimeve selektive të KKT dhe ndërhyrjeve që dalin edhe në përgjime të administruara nga organet hetimore, por që nuk janë bërë publike, duke krijuar një mburojë politike rreth përfituesve realë dhe duke e kthyer ndërtimin e kullave në instrumentin kryesor të pastrimit të parave të pushtetit./Pamfleti

Vijon me: 

rolin e secilës kompani, të ndërtuar në mënyrë zinxhir...

Atelier 4, si instrument planifikimi dhe hyrje në fondet publike...

SEED Consulting, si kanal konsulence dhe justifikim pagesash shtesë nga buxheti..

Emrat, datat, transaksionet dhe vendimet konkrete që lidhin Alban dhe Olsi Efthimin me lejet për kulla...

tenderët pa garë, kompanitë guackë dhe individët ndërmjetës...

 

alban efthimi olsi efthimi edi rama spak kulla

2 Komente

  1. A
    Astriti

    Kjo rshte e verteta. Por still bejme

    1. P
      Pse mos beje Babloku

      Te shohim Spakun e Brahos.

      Lini një Përgjigje