Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka miratuar disa vendime në mbledhjen e sotme që kanë të bëjnë me organizimin e strukturave drejtuese të Prokurorisë së rretheve.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka emëruar sot me një mandat 3-vjeçar drejtuesin e Prokurorisë së Tiranës. Bëhet fjalë për prokurorin Arens Çela, i cili do të ushtrojë funksionet si kryeprokuror i Tiranës deri në janar 2029-të.
Vendimi u mor pas miratimit të raportit të vlerësimit dhe verifikimit të pasurisë dhe figurës, duke i konfirmuar Tiranës drejtuesin e një prej prokurorive më të rëndësishme në vend.
Në mbledhjen e sotme, gjithashtu KLP vendosi nisjen e procedurave të verifikimit për drejtuesin e prokurorive në Fier, Elion Mustafaj
“Këshilli diskutoi dhe miratoi fillimin e procedurave të verifikimit të pasurisë dhe figurës për kandidatin për riemërim në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë Fier, z. Elion Mustafaj. Si relator për këtë procedurë verifikimi u caktua me short Moisi Duda”, thuhet në një njoftim të KLP.
“Pamfleti” ka publikuar një seri dokumentesh që zbulojnë mospërputhje flagrante në arsimimin dhe karrierën e Elion Mustafajt, i cili punonte me kohë të plotë në Prokurorinë e Durrësit, ndërsa studionte “me kohë të plotë” në Universitetin e Tiranës. Megjithë denoncimet dhe 7 kallëzimet penale, ai u emërua drejtues i Prokurorisë së Fierit në qershor 2023.
Dosja e re e publikuar nga “Pamfleti” konfirmon dyshimet për falsifikim dokumentesh dhe konflikt të pastër interesi në karrierën e Elion Mustafajt. Në moshën 24 vjeçare, ai filloi punë si kancelar në Prokurorinë e Durrësit, ndërkohë që deklaron se ndiqte studimet universitare “me kohë të plotë”. Përveç problemeve me diplomimin dhe aktivitetin profesional, Mustafaj ka 7 kallëzime penale në proces, ndërsa bashkëshortja e tij përfiton financiarisht nga një person i dënuar për grabitje në Angli.
Kjo procedurë verifikimi nga KLP mund të jetë edhe një test integriteti, por edhe profesional, për Këshillin, sa i takon verifikimit të pasurisë, por edhe figurës, një proces që përcakton edhe ecurinë në karrierën e prokurorëve.
Këshilli miratoi fillimin gjithashtu nisjen e verifikimit të pasurisë dhe figurës për kandidatin aplikues për emërim në pozicionin e drejtuesit në Prokurorinë e Lezhës, Arben Nika, si dhe hedhjen e shortit për caktimin e relatorit. Për zhvillimin e kësaj procedure verifikimi, u shortua relator Erind Mërkuri.
Pasi u njoh me relacionet e përgatitura nga Komisioni Disiplonr, Këshilli miratoi pezullimin e procedimit disiplinor të filluar ndaj magjistratit Dritan Gripshi, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat” dhe vijimin e shqyrtimit të procedimit disiplinor nr. 1259 prot., datë 28.04.2025, të Inspektorit. Po ashtu, u miratua vendimi për përfundimin e procedimit disiplinor pa vendim përfundimtar.
Në të njëjtën seancë, KLP ka miratuar edhe kërkesën e Altin Dumanit për t’u angazhuar si ekspert kryesor në një trajnim ndërkombëtar për prokurorë, hetues dhe gjyqtarë nga Kosova, të organizuar nga Ambasada Britanike në Prishtinë. Vendimi vjen pak ditë pasi Dumani përfundoi mandatin trevjeçar si drejtues i SPAK. Aktualisht Dumani ushtron funksionin e prokurorit dhe drejtuesit të sektorit të marrëdhënieve juridiksionale me jashtë.
Ky eshte nona. Eshte kthyer ne nje gjobaxhi ne fr.