Edhe sikur Ilir Meta e Monika Kryemadhi, mos të kenë kryer asnjë nga veprat penale për të cilat janë marrë të pandehur; ish- Presidenti, duhet të arrestohet për denigrimin dhe kërcënimin publik që vazhdon i bën drejtuesit të SPAK-ut, Altin Dumani...
Prej afro 2 vitesh, Ilir Meta e Monika Kryemadhi janë proceduar penalisht, ndërsa prej 5 muajsh janë të pandehur me 6 akuza, për vepra penale që i kanë kryer në bashkëpunim dhe veç e veç.
Akuzat ndaj tyre janë për korrupsion, vjedhje të fondeve e pasurive publike, pastrim parash në ndërtime, shit-blerje fiktive dhe fshehje e mos deklarim të pasurive, transferta financiare ilegale jashtë Shqipërisë, lobime me qarqe të huaja mafioze dhe ortakëri të fshehta me oligarkë rusë.
SPAK e ka përfunduar hetimin ndaj Metës e Kryemadhit; u ka njoftuar akuzat për veprat penale dhe sipas Kodit të Procedurës Penale e Kodit Penal, ata duheshin arrestuar e dërguar për gjykim.
Madje BKH dhe SPAK kanë provuar dhe përdorjen e Fatime e Drini Kryemadhit, Elona Gurit, Muharrem Berishës, Bes Kallakut, Dod Doçit të kompanisë “Lura-Lalz” e Gentian Sulajt të vilave “Kodra e Diellit”, në fshehjen e pasurive dhe pastrimin e parave të çiftit Meta-Kryemadhi.
Por megjithëse kanë përfunduar hetimet, janë tejkaluar afatet ligjore të krejt procedurës penale për Ilir Metën e Monika Kryemadhin dhe ata janë të pandehur, nuk po çohen për gjykim.
Për veprat penale që akuzohen, Ilir Meta e Monika Kryemadhi; prokurori i çështjes ka detyrim t’i çojë për gjykim me masat “Arrest në burg”, siç është vepruar me zyrtarë të tjerë të lartë, për të njëjtat vepra penale e më me pak pasoja.
Por prokurori i çështjes, Sotir Kllapi, nuk po kërkon masat “Arrest me burg” ndaj Ilir Metës që është pa mandat e pa imunitet, dhe as për Monika Kryemadhin që është deputete, nuk po i kërkon leje Kuvendit për ta arrestuar e për t’i cuar të dy në gjykim.
Përse prokurori i SPAK-ut, Sotir Kllapi, nuk po mbyll “kllapat” për arrestimin dhe çuarjen para Gjykatës së Posaçme, të çiftit mafioz Ilir Meta e Monika Kryemadhi?!
Prej 4 muajsh, nga burime brenda SPAK ka dalë informacioni, se prokurori Sotir Kllapi, ka çuar në Gjykatë, kërkesën për arrestimin e Ilir Metës e Monika Kryemadhit, por gjykata nuk pranon.
Edhe mund të jetë kështu, sepse Ilir Meta, ashtu si brenda SPAK-ut, ka lidhjet e tij të zeza edhe brenda Gjykatës së Posaçme; por për çfarë sikleti po heshtin, prokurori Sotir Kllapi dhe drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, që nuk reagojnë e nuk këmbëngulin në arrestimin e tyre?!
Ose siç thuhet, nuk është çuar fare në gjykatë, apo është tërhequr kërkesa për urdhër-arrest dhe po bëhen pazare e lojëra, për mos t’i arrestuar e madje për mos t’i çuar fare për gjykim, duke zvarritur çështjen, ndoshta me qëllim pushimin e saj.
Edhe sikur Ilir Meta e Monika Kryemadhi, mos të kenë kryer asnjë nga veprat penale për të cilat janë marrë të pandehur; ish-Presidenti duhet të arrestohet për denigrimin dhe kërcënimin publik që vazhdon i bën drejtuesit të SPAK-ut, Altin Dumani.
Ai vazhdon ta kërcënojë Altin Dumanin, për shkak se është marrë i pandehur e nëpërmjet kërcënimeve, synon të mos arrestohet për krimet ekonomiko- financiare; madje mos të hetohet as për vrasjen e dëshmitarëve e bashkëpunëtorëve të tij në afera, konkretisht të ndjerët Zamir Stefani, Qazim Tepshi, Eduard Belegu etj.
Për të arrestuar Ilir Metën, mjaftojnë këto deklarime kundër SPAK e drejtuesit Altin Dumani:
- “Altin Dumani dum-dumani dhe laraskat e tij prokurorë spurdhjakë, të gjejnë vend ku të futen, nëse do guxojnë të kërkojnë arrestimin tim e familjarëve të mi. SPAK është një organizatë e neveritshme dhe unë Ilir Meta nuk tërhiqem, por do t’i godasë pa mëshirë e në çdo gjë edhe personale, si një organizatë kriminale e terroriste”./Pamfleti
Lini një Përgjigje