Këtë aferë duhet ta hetojë SPAK dhe të detyrojë mafiozët e “Bankers”, të paguajnë gjobën; madje të hetojë grabitjen e naftës dhe dhënien e koncesionit nga Ilir Meta, lënë në fuqi nga Nano, Berisha e prej 11 vitesh edhe nga Edi Rama, pa taksa e pa normë fitimi për arkën e shtetit...
Fuqia e kompanisë “Bankers”, për të marrë naftë në miliarda Euro dhe për të mos paguar asnjë takse e përqindje fitimi në shtet; përveç shumave që jep te bosët e politikës shqiptare, qëndron edhe te një aferë e madhe financiare, bërë me ta nga ish-Ministrja e Financave, Anila Denaj.
Bëhet fjalë për një gjobë të datës 31 maj 2019 me vlerë 84 milionë Euro, që Dogana i vendosi “Bankers”-it, por gjoba u fshi e nuk u pagua kurrë, sepse kupola e qeverisë bëri pazar me kinezët..
Ky pazar u realizua nga ish-Ministrja e Financave, Anila Denaj, e cila, më 17 korrik 2019, urdhëroi Drejtorinë e Doganave, të fshinte gjobën që iu vendos kompanisë “Bankers”, për mashtrim të sasive e veprimeve doganore, në eksport prodhimi e import lëndësh të para.
“Bankers” nuk kishte paguar akcizë dhe kishte hedhur në treg 15 mijë e 900 ton hollues nafte, ndërsa sasia gjendje në magazinën fiskale, pa pagesa doganore, ishte 83 mijë e 700 ton.
Detyrimi fiskal për këto ishte 27 milionë Euro, që duheshin paguar në llogari të Doganës të Qarkut Fier, ku “Bankers” ushtron aktivitetin e nxjerrjes së naftës, ndërsa kompania nuk e pagoi detyrimin doganor, as pas kontrollit të parë e të dytë dhe u gjobit me 84 milionë Euro.
Por pas 2 muajsh, më 17 korrik 2019, gjoba u hoq me urdhër të Ministres së Financave, Anila Denaj, fillimisht me pezullim e pas një jave me fshirje nga regjistri i kompanive koncesionare.
Në urdhrin e saj, drejtuar doganës, ministrja Anila Denaj, thotë se motivi i fshirjes së gjobës 84 milionë Euro të “Bankers”, lidhet me shifrën e madhe që dëmton kompaninë, por dhe ministria nuk ka kohë të mjaftueshme e ekspertizë, për trajtimin e kësaj gjobe në rrugë gjyqësore.
Por sipas skenarit, paralelisht me masën e pezullimit të gjobës dhe para fshirjes së saj, ministrja Anila Denaj, lejoji bosët e “Bankers”, të nxirrnin 270 milionë Euro jashtë Shqipërisë, duke lënë llogaritë bosh, si masë sigurie që çfarëdo të ndodhte, të mos i gjendeshin vlera financiare.
Por në një informacion që ka siguruar “Pamfleti”, thuhet se SHISH ka dorëzuar në SPAK dhe paralelisht në BKH, te përfaqësuesi i FBI pranë BKH-së e SPAK, një regjistrim audio të muajit qershor 2019, kryer nga kinezët e “Bankers” lidhur me pazarin për faljen e gjobës.
Në regjistrim, dëgjohet që kinezët i ka dhënë 15 milionë Euro ryshfet Ministres së Financave Anila Denaj, si shpërblim për faljen e gjobës 84 milionë Euro dhe penalitetet, ndërsa ministrja Anila Denaj, u thotë se këtë pazar e ka kërkuar ‘i gjati’ dhe se do t’ia çojë atij.
Për tu garantuar në faljen e gjobës, “Bankers” bëri gjyq në dy shkallët dhe i fitoi lehtësisht, mbështetur nga Ministria e Financave dhe Avokatura e Shtetit, të cilët pranuan faljen e gjobës.
Por pas plasjes së skandalit dhe raportit të KLSH, Drejtoria e Doganave bëri rekurs formal në Gjykatën e Lartë, ku më 21 mars 2022, u rrëzuan vendimet e dy shkallëve, duke urdhëruar kompaninë “Bankers”, të paguaj gjobën 84 milionë Euro dhe penalitetet sipas përllogaritjes ligjore.
Kanë kaluar mbi 2 vite nga vendimi i Gjykatës së Lartë, por kinezët e “Bankers” nuk po e paguajnë gjobën afro 100 milionë Euro, ndërsa qeveria nuk po u kërkon, sepse sipas pazarit që bëri Anila Denaj, ‘i gjati’ duhet t’i kthejë ryshfetin 15 milionë Euro.
E vetmja rrugë, është që këtë aferë ta hetojë SPAK dhe të detyrojë mafiozët e “Bankers”, të paguajnë gjobën, madje të hetojë grabitjen e naftës shqiptare dhe dhënien e koncesionit nga Ilir Meta, lënë në fuqi nga Fatos Nano, Sali Berisha e prej 11 vitesh edhe nga Edi Rama pa taksa e pa normë fitimi për arkën e shtetit./Pamfleti
Lini një Përgjigje