Mes heshtjes amerikane, ironive të Ramës dhe SPAK-ut të pafuqishëm, shqiptarët vazhdojnë të mbeten peng të nostalgjisë për "të fortët"…
Të gjithë pyesin pse Amerika nuk na do aq sa e duam ne, pse hesht për skandalet e shumta qeveritare, edhe kur kryeministri e ironizon duke deklaruar se SPAK-un e ka krijuar vetë?
Vërtet, ftohja në dy vitet e fundit ka ngrirë edhe ndjenjat për marrëdhëniet Shqipëri-Amerikë. Kur na afroheshin Charles McGonigal, Aleks Soros, agjencitë amerikane USAID, DEA, OPDAT, FBI apo administrata Biden, shumica e shqiptarëve qëndruan larg ngjarjeve dhe maleve ku Yuri Kim kishte lëshuar "tufën e deleve të Lulit", që tani e ka rimarrë Saliu.
Por prisni edhe pak, sepse ende nuk keni kuptuar asgjë.
Dy dinosaurët, Rama dhe Berisha, nuk kanë as shpirt të ndjeshëm, as ndjekës të zgjuar. Atyre u mjafton largësia me Perëndimin për t’u dërguar shqiptarëve mesazhin se SPAK nuk ka asnjë përgjegjësi që nuk arreston hajdutët dhe kriminelët. Heshtja e Amerikës nuk ka lidhje me shtetin ligjor, por me mungesën e vetëdijes sonë qytetare.
Kohët e arta të marrëdhënieve të privilegjuara me Uashingtonin, lobimet milionëshe me para të vjedhura, darkat në Shtëpinë e Bardhë, përqafimet me sekretarë shteti dhe lavdërimet publike të ambasadorëve rezultuan jo vetëm një dështim total dhe pengesë për ndërtimin e një shteti me parime, por edhe një dehje që vazhdon ende.
Një shumicë votuesish ende heziton të shkëputet nga e shkuara, nga nostalgjia për të fortët, nga dy dinosaurët e izoluar që e dinë mirë se Amerika do të na dojë vetëm kur ne të duam veten./Pamfleti
Lini një Përgjigje