
Si aktorët e korruptuar dhe ambasadorët në rreshtin e parë po bëjnë spektatorë shqiptarët në prag të zgjedhjeve të 11 majit...
Aktorët e drejtësisë shqiptare, të veshur me kostume të vjetëruara amerikane, të shqyera nga furtunat e pafundme të mafies politike, nuk po shfaqen më me bujë në fushatën elektorale si gladiatorët që premtojnë fundin e pandëshkueshmërisë. Pritshmëritë për arrestime masive të kandidatëve për deputetë, që shihen gjithnjë në listat e "sigurisë", po veniten nga ora në orë.
Megjithatë, pa këta kllounë dhe pa këtë skenë groteske, pasi teatrin e fshatit na e rrëzoi me bishtin e tij një peshk i madh, nuk do të kishim më për çfarë të flisnim. As për shfaqjen me zë, as për lodrat plastike dhe as për tingujt e dobët të një çekiçi mbi kudhrën e kohës.
Tradita e shfaqjeve politike në Shqipëri kërkon që në rreshtin e parë të spektatorëve të jenë diplomatët e huaj. Ndërkaq, vendin e ambasadorit amerikan prej kohësh e ruajmë të zbrazët. Këtë herë, perden për aktin e katërt të këtij cirku politik, e ka ngritur vetë Mbreti i Hajdutëve.
Në këtë shfaqje të improvizuar, aktorët kryejnë pirueta mbi telat e hollë të premtimeve boshe, duke maskuar fytyrat me grim buzëqeshjesh të sforcuara në pritje të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.
Nuk mund të heshtësh pa klithur: Arrestoni hajdutët, mjaft luajtët teatër!
Në të vërtetë, askujt nuk i shijon kjo lojë e lodhshme kllounësh, të cilët kërcejnë mbi iluzione etike dhe forcë, sidomos në sallën e lashtë të rendit juridik shqiptar. Spektakli mbi telat e padukshëm të drejtësisë është bërë i padurueshëm. Disa nga këta kllounë, favoritë të mafies, pas çdo shfaqjeje i gjen në Parlament, në qeveri apo në zyra shteti. Të tjerë, më pak të aftë për të mbajtur peshën e pasurive të tyre, rrëzohen nga skena dhe përfundojnë në ndonjë “vrimë” të ligjit për kurim, ose dalin në pension si aktorë kulisash të harruar.
Në anën tjetër të skenës, dera drejt mandatit të katërt është ndryshkur dhe ka një shul të rëndë prej çeliku amerikan. Nuk ka forcë që ta shtyjë më tej. Aktorëve politikë tashmë u janë ngjitur duart në plumbin e shkrirë pranë monumentit grotesk të korrupsionit që pritet të shfaqet si "surpriza e radhës".
Një rrëzim nga litari i këtyre marionetave politike mund të trondisë gjithë trupën që prej 34 vitesh po luan cirk kinez në "amfiteatrin amerikan" të demokracisë shqiptare./Pamfleti
Lini një Përgjigje