TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë30 Prill 2025, 10:54

Në kërkim ndërkombëtar nga SPAK për trafik droge, Ervin Mata merr tender 81 milionë lekë nga QSUT-ja

Shkruar nga Pamfleti

 

Në kërkim ndërkombëtar nga SPAK për trafik droge, Ervin
Ervin Mata /

Në kërkim ndërkombëtar nga SPAK-u për trafik droge dhe krim të organizuar, Ervin Mata vazhdon të fitojë miliona lekë nga institucionet shtetërore. QSUT-ja i jep trafikantit të kërkuar një tender 81 milionë lekë, duke sfiduar hapur drejtësinë dhe duke dëshmuar kapjen e institucioneve nga mafia...

Ervin Luan Mata, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK-u që prej muajit nëntor 2023 në kuadër të dosjes “Metamorfoza SKY-ECC”, vijon të fitojë miliona nga fondet publike në Shqipëri. I akuzuar për trafik droge, pastrim parash dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal me aktivitet në organizimin dhe financimin e vrasjeve, Mata jo vetëm që mbetet i lirë, por vazhdon aktivitetet ekonomike në vend.

Në një akt të paprecedentë sfide ndaj drejtësisë, institucionet shtetërore vazhdojnë t’i japin fonde publike trafikantit të kërkuar nga SPAK-u nëpërmjet tenderëve të dyshimtë.

Më 28 prill 2025, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) në Tiranë ka njoftuar në Buletinin e Prokurimeve Publike se ka zhvilluar një procedurë tenderi për shërbime hoteliere në vlerën 81 milionë lekë.

Në kërkim ndërkombëtar nga SPAK për trafik droge, Ervin

Ky tender është fituar nga hoteli “Victoria” në pronësi të Ervin Matës, biznes i regjistruar formalisht në emër të babait të tij, Luan Matës. Procedura e tenderit ka qenë e paracaktuar, pasi subjekti i Matës ishte pjesëmarrësi i vetëm dhe është shpallur fitues me ofertë identike sa 100% e fondit limit.

Sipas dokumentacionit zyrtar, shërbimi që do të ofrojë hoteli “Victoria” për QSUT-në, është catering-u për stafin drejtues të administratës së spitalit, një shërbim që prej vitit 2023 vazhdon t’i jepet në mënyrë të përsëritur biznesit të Ervin Matës.

Në kontrata dhe fatura shënohet në mënyrë fiktive “shërbim hotelerie”, sikur zyrtarët e QSUT-së flenë në hotelin e trafikantit në qendër të Tiranës. Në realitet, hoteli është përdorur vazhdimisht nga qeveria, ministritë dhe institucionet e larta të shtetit për konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe për çështje të sigurisë kombëtare. Madje aty janë zhvilluar edhe takime pune të strukturave të SHISH-it, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Policisë së Shtetit.

Ndërkohë, drejtësia shqiptare nuk po merr asnjë masë konkrete për t’i sekuestruar pasuritë miliona euro që Ervin Mata zotëron në Tiranë dhe në bregdet. Edhe pse këto prona janë ngritur në mënyrë të dokumentuar mbi paratë e trafikut ndërkombëtar të drogës, SPAK-u nuk ka vepruar ende për konfiskimin e tyre.

Ky skandal është tregues i qartë i kapjes së institucioneve të shtetit nga mafia dhe krimi i organizuar, duke u kthyer në një sfidë të hapur ndaj sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Heshtja e institucioneve përgjegjëse në këtë rast është një bashkëfajësi e qartë që duhet të marrë fund menjëherë./Pamfleti

ervin mata tenderë spak kërkim ndërkombëtar

Lini një Përgjigje