Në fshatin tonë politik, shteti është kthyer në një lopë që ushqen vetëm viçat e pushtetit dhe korrupsionit. Më 11 maj, kjo lopë mund të pjellë ndryshe: një viç amerikan e një evropian. A do sjellë ky binjakëzim politik më shumë qumësht për popullin?

Në kantonin e korrupsionit, aty ku politika bëhet si zanat barinjsh e ku qeverisja është katandisur si kullotë alpine për pushtetarët, shteti ynë është kthyer prej vitesh në një lopë të bindur që e mjelin të gjithë. E mjelin jo vetëm viçat e saj të butë, por edhe çdo “viç” tjetër që zbret nga pyjet e krimit dhe korrupsionit.
Kjo lopë e bindur që quhet shtet, më 11 maj do të pjellë sërish. Dhe si zakonisht, pritshmëritë janë të mëdha. Këtë herë, njerëzia e ka fytin edhe më të tharë nga mungesa e qumështit, djathit, mishit dhe gjithë produkteve të tjera shtetërore që nuk i provojnë kurrë. Të mësuar prej 34 vitesh me një viç të vetëm, me pasaportë blu, që e njohin mirë në të gjitha fermat politike, njerëzit janë lodhur me të njëjtën fytyrë që s’ka mësuar ende alfabetin e parë të së drejtës dhe mirëqenies.
Por tani, ndërsa në horizont duket presidenti amerikan Donald Trump që firmosi urdhrin ekzekutiv se "viçi amerikan është më i mirë se ai evropian", populli ynë pyet me shpresë dhe habi: Po sikur Lopa jonë të pjellë këtë herë dy viça?
Një viç amerikan dhe një evropian! Nuk është fantazi, por një dëshirë e sinqertë, që do të sillte një ndryshim në skenën politike ku prej dekadash vetëm një viç gëzon çdo privilegj, duke e lënë popullin të vështrojë i uritur nga jashtë gardhit.
Imagjinoni pak: dy viça, një amerikan dhe një evropian, që pasi të zihen e shtyhen pak mes tyre, në fund bëhen bashkë për të mbrojtur lopën e shtetit. Dy viça të fortë, me brirë dragonjsh, që e mbajnë larg korrupsionin dhe që për herë të parë pas kaq shumë viteve i japin pak qumësht e drejtësi edhe fshatarit që ushqen lopën.
Një viç amerikan dhe një evropian do t’i jepnin fund një epoke ku viçat lokalë të politikës vetëm e mjelin e kurrë nuk e ushqejnë lopën. Ky çift viçash modernë do të mundësonte të paktën alternimin e mjeljes, dhe sigurisht një drejtësi e mirëqenie më të pranueshme për të gjithë.
Për këtë arsye, më 11 maj, fshatarët nuk do të presin më një viç të vetëm të butë e me fytyrë të vjetër, që tërë jetën vetëm pin qumësht dhe i fton edhe “viçat” e fermave fqinje për t'i ndarë plaçkën. Në vend të kësaj, ata kërkojnë një lindje binjake që sjell dy viça me mendësi të re e me guxim të ri politik.
Një lopë, dy viça: njëri amerikan, tjetri evropian. Vetëm kështu do të kishte kuptim 12 maji dhe do të kishte shpresë për një të ardhme më të mirë./Pamfleti
Lini një Përgjigje