Çdo hap së prapthi të Edi Ramës dhe në çdo centimetër përpara të Sali Berishës, kangjellat e kohës vetëm ju shurdhojnë veshët si orkestra alarmi të dyve; hej piaratë, nuk ka më letra pa zarf, pra nuk ka kartolina...
Edi Rama nuk ka faj që po ecën së prapthi. Fajin e ka Saliu që u zgjua nga gjumi letargjik e po marshon drejt fatit të hollë sa një letër cigareje, për të lexuar mesazhin enigmatik të errësirës diplomatike në fshatin tonë.
Kartolina nga Amerika s’ka fare, as për Ramën as për Berishën.
Mësimin e sotëm e kemi të thjeshtë. Nëse errësira diplomatike ka mbuluar papritmas vendin tonë që shkëlqen nga korrupsioni, të gjithë hajdutët janë zënë në grackë.
Po të ishin hajdutë të vegjël do të luanin ende si fëmijët.
Nga fëmijëria, kujtoj se si një moshatar imi, shkonte dhe i postonte vetes kartolina për Vit të Ri dhe gjithë fshati habitej sa shumë shokë ka ai.
Edi Rama nuk ka më rrugë andej nga qytetërimi, që t’i nisë vetes kartolina. Edhe Soros e Blinken, nuk janë sot fëmijët e llastuar e të pa kontrolluar nga të mëdhenjtë, që të postojnë kartolina për t’i diskutuar fshati ynë, sa shumë shokë ka ky garipi ynë.
Janë prishur linjat e komunikimit me anë të kartolinave, ku nuk ka fare rëndësi lënda, por fotografia mbrapa dhe adresa nga vjen.
Do mjaftonte që Yuri kim të postonte një, edhe të tipit; Fryu era përjashta/ Tundi perdet e mëndafshta/ Mos mëndo se të harrova/ Kartolinën ta dërgova, dhe gjithë fshati do të diskutonte, po, është i madh, ky ka shok Amerikën.
Rama nuk ka as shokë, as pret kartolina.
E shihni besoj, se në çdo hap së prapthi të Edi Ramës dhe në çdo centimetër përpara të Sali Berishës, kangjellat e kohës vetëm ju shurdhojnë veshët si orkestra alarmi të dyve, hej piaratë, nuk ka më letra pa zarf, pra nuk ka kartolina.
Është zhveshur pra, deri në kockë, kontrata me krimin.
Redaksitë e lajmeve, edhe këto, këmbë krimbash të ekspozuara në ekspeditat urbane, nuk po e bluajnë dot informacionin e vetëtimave mbrapsht.
Rrufetë nuk po zbresin nga Qielli, por po ngrihen nga Toka!
SPAK-u s’ka fuqi për shkarkime elektrizuese. As drenushave Olta Xhaçka e Frida Krifca, nuk ua kreh dot “morrat” nën dritën e drejtësisë, larg qoftë të lëshojë vetëtima mbi luanë e tigra.
Perëndia i gjithë pushteteve të fshatit të izoluar është Edi Rama. Sa herë ja do nevoja, Babloku çan retë në horizontin e nxirë të lojës së madhe, pse jo, mbase me zarfa të mbyllur nga Aleks Soros, pasi e thamë, kartolinat ka kohë që nuk vijnë nga kontinenti i përtej Atlantikut.
Mbreti i errësirës politike, paçka se i vogël për lojën e madhe, është bërë edhe poet në krijimet për tmerrin e vet.
Çdo hije që e ndjek, e shkulë si aventurë shpirtërore e ja merr shpirtin me akuza artistike, pasi në këtë kohë ku nuk i zihet besë as të nesërmes, nuk është keq që Babloku të ketë frikë edhe vetveten.
Nga frika e një fitoreje të madhe, pra të një vjedhjeje të madhe të votave të 11 majit, nga 90 deputetë që betohej se do të marrë, ka futur marshin indietro e ka rënë në 71.
Dosjet plot pluhur dhe prangat që nuk i ndryshk koha, janë thesari që po ju qepet si qivur hajdutëve.
Ky mesazh, vjen në zarfin e mbyllur që duhet ta lexoni të gjithë ju që na pyseni për ditë e me të drejtë, pse nuk vijnë kartolinat nga Amerika?!/Pamfleti
Lini një Përgjigje