TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë 5 Maj 2025, 13:27

A don ti Tomë me e luftu korrupsionin? Po!

Shkruar nga Pamfleti
A don ti Tomë me e luftu korrupsionin? Po!
Tomë Doshi /

Kampionët e korrupsionit dhe krimit betohen me fytyrë serioze se do të luftojnë korrupsionin dhe krimin që vetë e krijuan...

Kryeministri Edi Rama, me gjysmën e qeverisë në burg dhe pjesën tjetër me një këmbë brenda qelisë, vazhdon të premtojë me pathos luftë heroike kundër korrupsionit dhe krimit që vetë e ushqen çdo ditë.

Po kështu, Sali Berisha, i cili u largua nga pushteti në vitin 2013 pikërisht prej korrupsionit dhe që tani i rëndon mbi kokë një damkë "non grata" nga SHBA e Britania për korrupsion, na flet nga podiumet si një kalorës i drejtësisë, duke harruar se akuzat ndaj tij janë më të gjata se lista e premtimeve elektorale.

Nga një qeli burgu, Ilir Meta, ish-president, ish-kryeministër, dhe ish-kryetar Kuvendi, akoma beson se shqiptarët do ta marrin seriozisht kur flet për luftë ndaj korrupsionit, megjithëse ai vetë është prangosur për korrupsion, lobime ilegale, pastrim parash dhe pasuri të fshehura.

Në këtë shfaqje cirku, kryetari i PSD-së, Tomë Doshi, "non grata" dhe sinonim i çdo lloj krimi në vend, ka vendosur të bëhet zëri i drejtësisë duke deklaruar se është babai i reformës në drejtësi dhe mbështetësi kryesor i SPAK-ut. Njësoj si një ujk që betohet për mbrojtjen e deleve.

Ky personazh, që ka një CV të pasur me trafik kokaine, kontrabandë ilaçesh, porositje vrasjesh, grabitje tokash dhe korrupsion tenderash, sot ka guximin t'u flasë shqiptarëve për ndershmëri dhe luftë ndaj krimit.

Ndërkohë, dosjet ndërkombëtare kundër Doshit flenë në zyrat e SPAK-ut, ndërsa drejtësia shqiptare, duke bërë rolin e të verbërit, e lejon atë të rikthehet në politikë, për të bërë atë që di më mirë: pazare dhe imunitet nga ligji. Në fund të fundit, si mund të luftojnë këta "heronj" korrupsionin e krimin, kur janë vetë krimi dhe korrupsioni?/Pamfleti

tomë doshi luftë kundër korrupsionit

Lini një Përgjigje