TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë23 Nëntor 2024, 17:27

Mesazhet që dha Altin Dumani, dosjet që u shmangën dhe testi i vërtetë i SPAK!

Shkruar nga Pamfleti

Mesazhet që dha Altin Dumani, dosjet që u shmangën dhe testi i

Dumani foli në vija të përgjithshme, por ne nuk dëgjuam asgjë për dosje konkrete...

Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, për të parën herë u shfaq dje në media. Komunikimet e tij me gazetarët kanë qenë pa kamera thuajse gjithmonë, teksa studiove televizive ai u ishte shmangur gjithmonë, ndryshe nga paraardhësi. Por dje Dumani u shfaq në RTSH, në një intervistë mbi atë që ka arritur tani SPAK dhe ai si kreu i saj.

Padyshim mesazhet që ai dha ishin të shumta, por nga ana tjetër nuk foli për asnjë dosje konkrete, një “pakt” ky me moderatorin para se të bëhej emisioni. Me pak fjalë Dumani foli në vija të përgjithshme, por ne nuk dëgjuam asgjë për dosjen “McGonigal”, “Xibrakën”, abuzimin me fondet Ipard, abuzimin me pronat e ushtrisë, 21 Janarin, Gërdecin, etj,

Por cilat ishin mesazhet që dha Dumani? Së pari ai ua bëri të qartë të gjithëve se nuk trembet nga sulmet politike pavarësisht se nga bëhen ato. Meta dhe Berisha nuk kanë lënë gjë pa thënë dhe Dumani u ktheu përgjigjen që meritonin.

I dërgoi një mesazh Edi Ramës dhe Fatmir Xhafajt se komisioni që ata kanë ngritur nuk pëlqehet prej tyre. Ai e tha hapur se detyra e tij është të raportojë në KLP dhe Kuvend dhe jo nëpër komisione të posaçme. Po ashtu la të hapur dhe mundësinë që politika të tentojë të zhbëjë SPAK përmes atij komisioni.

Pati një mesazh dhe për ata që janë lumturuar me fitoren e Trump. Dumani tha se amerikanët nuk ndërhyjnë te hetimet e tyre. Patjetër asistojnë, por jo të ndikojnë në ecurinë e hetimit. Kjo do të thotë që administrata e Trump nuk i shpëton dot të korruptuarit.

Po ashtu u shpreh se falë Sky Ecc, SPAK ka një pasqyrë të qartë se si operon krimi i organizuar, ku shtrihet, çfarë financash ka dhe me cilët politikanë ka lidhje.

Pikërisht sfida më e madhe e SPAK tani do të jetë të ekspozojë lidhjet e politikës me krimin. Të mos ndalet vetëm te Jurgis Çyrbja, por të nxjerrë dhe emrat e tjerë të përdoruesve të SkyEcc që kanë pasur lidhje me botën e krimit.

Sa i takon asaj se çfarë nuk tha Dumani, janë çështjet konkrete:

1- Çfarë po ndodh me dosjen “McGonigal” dhe a ka pasur shkëmbime me SHBA për rolin e kryeministrit?

2- A po hetohet dosja “Xibraka” dhe vetë vëllai i kryeministrit.

3-Pse po zgjasin kaq shumë hetimet për aferën me fondet e Ipard dhe a ka procedim ndaj ish-ministres Frida Krifca?

4- Pse po zgjasin kaq shumë hetimet për aferat me pronat e ushtrisë dhe a po hetohet ish-ministrja Olta Xhaçka?

5-A i është kërkuar kryeministrit të merret në pyetje dhe ai ka refuzuar?

6- Çfarë po ndodh me disa kallëzime shumë të rënda të bëra ndaj Berishës, si për shembull nga Aishe Haklaj apo Izet Haxhia?

7-A po hetohet Shkëlzen Berisha për Gërdecin?

8- Po për vrasjen e Artan Santos ç’po bëhet?

9- Pse SPAK nuk donte ta hetonte “21 Janarin”, por u imponua nga gjykata?

10- A vepron SPAK me dy strandarde, pasi disa hetohen në burg dhe disa në qeli?

Ka edhe shumë çështje të tjera, që shumëkush nga ne priste një përgjigje. Padyshim, që ne nuk presim që Dumani të dekonspirojë hetimet, por nuk ka pse të ketë kompleks të flasë për raste konkrete edhe duke thënë që “hetimet vijojnë, kur te ketë zhvillime do t’i shihni”. Sikundër deklaronte paraardhësi i tij.

Megjithatë Dumani ka dhe një vit mandat në krye të SPAK dhe tani testi i tij, përveçse të zbulojë lidhjet e politikës me krimin, të tregojë se prokuroria nuk vepron me regji. Pra të shohim përveç Beqajt dhe Kokës më shumë ish-ministra socialistë në qeli, pse jo dhe emra në detyrë. /Pamfleti

 

Lini një Përgjigje