TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë 6 Tetor 2025, 10:03

Komploti Rama–Berisha për nënshtrimin e drejtësisë: SPAK nën shënjestër, Komisioni “Xhafaj” maskohet me emër të ri

Shkruar nga Pamfleti
Komploti Rama–Berisha për nënshtrimin e drejtësisë:
Rama dhe Berisha /

Komisioni “Xhafaj”, i rikrijuar me emër të ri dhe mbështetje nga të dyja partitë, synon mbikëqyrjen dhe kontrollin e SPAK-ut, ndërsa SHBA paralajmëron hapur Tiranën për ndërhyrjet politike në sistemin e drejtësisë...

Pazari i fshehtë mes Edi Ramës dhe Sali Berishës ka bashkuar PS-në dhe PD-në në miratimin e ligjeve klienteliste me interesa të ndërsjella për familjet e tyre politike, oligarkët dhe klanet mafioze që i mbështesin. Të dyja palët kanë gjetur gjithashtu gjuhën e përbashkët në përpjekjet për të frenuar drejtësinë dhe për të vënë nën kontroll institucionet e pavarura.

Një shembull tipik i bashkëpunimit Rama–Berisha është krijimi i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Mirëqeverisjen, Antikorrupsionin dhe Sundimin e Ligjit, i njohur si Komisioni “Xhafaj”. Qëllimi i tij është të ushtrojë presion mbi SPAK-un dhe, nëse kjo nuk funksionon, të përgatisë terrenin për shkrirjen e tij.

Në maj të vitit 2024, kur u krijua komisioni anti-SPAK, Berisha deklaroi publikisht se PD nuk do të merrte pjesë, me justifikimin se “nuk mund të ulet në një tryezë me narko-shtetin” dhe se nuk do të bashkëpunonte me një komision që drejtohet nga Fatmir Xhafaj, një figurë e lidhur me skandale dhe me një vëlla të dënuar për trafik ndërkombëtar droge. Por ky qëndrim ishte vetëm fasadë.

Në korrik 2025, Fatmir Xhafaj deklaroi se komisioni e kishte përmbushur misionin dhe paraqiti një raport përfundimtar, i cili, sipas burimeve parlamentare, u miratua pa zhurmë edhe nga deputetët e PD-së, me miratim të heshtur nga Berisha.

Pas zgjedhjeve dhe betimit të parlamentit të ri, Berisha ndryshoi qëndrim dhe pranoi që PD të bëhej pjesë e komisionit të ri parlamentar, që formalisht quhet “Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale”. Në fakt, ky është i njëjti komision me të njëjtin kryetar, Fatmir Xhafaj, dhe me të njëjtin objektiv; ushtrimin e presionit mbi drejtësinë dhe mbi SPAK-un, por me një emër të ri për të maskuar qëllimin real.

Më 2 tetor 2025, Sali Berisha dërgoi në këtë komision përfaqësuesit e PD-së: Ivi Kaso, Belind Këlliçi, Elda Hoti dhe Gjin Gjoni, si dhe dy anëtarë zëvendësues, Fatmir Mediun dhe Gent Strazimirin. Ai u justifikua se bëhej fjalë për një komision me “objekt tjetër”, por në fakt struktura dhe qëllimi janë të njëjtat.

Pas ultimatumit të dhënë nga SHBA ndaj Edi Ramës dhe kupolës politike për të ndalur përpjekjet për kapjen e SPAK-ut dhe BKH-së, Rama dhe Berisha e “ribranduan” komisionin me një emër të ri. Megjithatë, platforma dhe qëllimi mbetën të pandryshuar: nënshtrimi i drejtësisë ndaj interesave politike.

Në mbledhjen e parë të këtij komisioni, deputetët e PS-së dhe PD-së vendosën unanimisht të nisin menjëherë “mbikëqyrjen” e institucioneve të pavarura të shtetit, t’u kërkojnë llogari dhe t’i “orientojnë” për mënyrën e ushtrimit të detyrave. Një vendim që, në fakt, përkthehet si një hap i drejtpërdrejtë drejt kontrollit politik të drejtësisë./Pamfleti

komploti rama berisha drejtësia spak komosioni xhafaj

Lini një Përgjigje