TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë 4 Tetor 2025, 13:00

Dosja e Bankers kalon në duart e SPAK, kinezët që zhvatën shtetin hetohen si grup kriminal

Shkruar nga Pamfleti

Dosja e “Bankers Petroleum” i ka kaluar për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Posaçme SPAK. Prokuroria e Fierit ka shpallur moskompetencën dhe ka kaluar çështjen në SPAK, pasi ka konstatuar se disa persona të arrestuar kanë vepruar si grup i strukturuar kriminal, me qëllim vjedhjen e shumave financiare nga “Bankers Petroleum”.

Dosja e Bankers kalon në duart e SPAK, kinezët që zhvatën
Dosja e Bankers Petroleum i ka kaluar SPAK-ut

Dosja e Bankers Petroleum i ka kaluar SPAK-ut. Prokuroria e Fierit ka shpallur moskompetencë për shkak se gjatë hetimeve kanë rezultuar të përfshirë edhe zyrtarë të lartë dhe për rrjedhojë dosja i ka kaluar Prokurporisë së Posaçme. 

Në burg për këtë çështje ndodhet CEO i Bankers Petroleum’, kinezi Hongping Xiao për skemë mashtruese me TVSH-në dhe evazion fiskal.

Aksioni në “Bankers Petrolium Albania” u krye nga Prokuroria e Fierit më 2 korrik, e cila ekzekutoi 10 masa sigurie ndërsa në kërkim mbeten ende 4 persona të huaj.

Hetimet u zhvilluan për 6 muaj nga organi i akuzës, në bashkëpunim me strukturat tatimore dhe policore, dhe lidhen me dyshime për deklarime të rreme tatimore dhe shmangie të detyrimeve financiare në një shkallë të mëdha. Sipas prokurorisë, për 20 vite me radhë, kompania më e madhe e nxjerrjes së naftës në Shqipëri ka shmangur tatimet duke i shkaktuar miliona euro dëm buxhetit të shtetit.

Gjatë periudhës 2004–2024 kompania kineze akuzohet se ka kryer shitje dhe eksporte nafte në vlerën totale prej 532 miliardë lekë, por pavarësisht kësaj shume, kompania ka deklaruar humbje për çdo vit, me një total prej 11.7 miliardë.

Sipas dosjes së Prokurorisë së Fierit që ka siguruar “Pamfleti”, shumë shtetas kinezë, por edhe kazakë, kanë krijuar kompani fiktive në Shqipëri dhe kanë marrë shuma të mëdha parash.

Megjithatë, ka një problem në lidhje me deklarimin e punonjësve, pasi të paktën dhjetë prej tyre janë regjistruar në listëpagesa si aktive 22 ditë, ndërkohë që nuk kanë qenë fizikisht në Shqipëri sipas të dhënave nga sistemi TIMS. Gjithashtu, administratori ka dalë nga Shqipëria në Korrik 2024 dhe nuk është kthyer më. Në lidhje me aktivitetin ekonomik, kompania ka pasur të ardhura dhe shpenzime të konsiderueshme gjatë vitit 2024, me një fitim neto mbi 135 milion lekë”, shprehet prokuroria në rastin e një kompanie.

Pjesë nga dosja

Nga hetimi ka rezultuar se dyshohet se një tjetër skemë me faturime fiktive vjen dhe në një fushë tjetër, konkretisht, disa shoqëri të themeluara në Shqipëri nga shtetas që vijnë nga Kina dhe Kazakistani, kryejnë faturime fiktive për shoqërinë "Bankers Petroleum Albania Ltd", transferojnë fonde jashtë Shqipërisë, etj, të analizuara si më poshtë vijon:

1. Shoqëria "Qinglong Petroleum Technology and Engineering Company LLP" – Dega Shqipëri, është regjistruar në datën 14 dhjetor 2023, e cila ka kompaninë mëmë në Kazakistan dhe me pronësi (pronar përfitues) shoqërinë kineze "China International Zoom Material Co Limited me adresë: Richmond Commercial Building, Argyle Street, Yau Tsim Mong, Koëloon, Hong Kong dhe me adresë në Fier. Përfaqësuesi ligjor i saj është shtetasi Jiang Yijun, ndërsa administratori është shtetasi Junlin Sheng.

Kompania operon në sektorin e naftës, kryesisht me shërbime si çimentim, shpim, punim pusesh dhe teste të vajit. Ajo ka dy njësi qiraje me sipërfaqe të vogla, dhe aktiviteti i saj është përqendruar në këto shërbime specifike. Në aspektin e punësimit, gjatë periudhës Dhjetor 2023- Mars 2024 ishte vetëm administratori i punësuar. Ndërsa gjatë vitit 2024 u shtuan punonjës rinj deri në 24 punonjës në Mars 2025, shumica dërrmuese e të cilëve janë shtetas kinezë.

Megjithatë, ka një problem në lidhje me deklarimin e punonjësve, pasi të paktën dhjetë prej tyre janë regjistruar në listëpagesa si aktive 22 ditë, ndërkohë që nuk kanë qenë fizikisht në Shqipëri sipas të dhënave nga sistemi TIMS. Gjithashtu, administratori ka dalë nga Shqipëria në Korrik 2024 dhe nuk është kthyer më.

Në lidhje me aktivitetin ekonomik, kompania ka pasur të ardhura dhe shpenzime të konsiderueshme gjatë vitit 2024, me një fitim neto mbi 135 milion lekë. Faturimi është kryesisht me shoqërinë "Bankers Petroleum Albania Ltd", ndërsa blerjet më të mëdha shërbimesh i bëhen fillimisht me shoqërinë "Albdrilling" sh.a dhe pastaj një shoqëri kineze në Kinë dhe kompani kizene me bazë në Abu Dhabi - BIN SHARRARA CHINA HORIZON DRILLING SERVICES LLC. Janë evidentuar anomali në faturim, përfshirë anulime masive të faturave dhe transaksione të mëdha blerjeje dhe shitjeje që nuk përputhen me vlera të shtuar reale, dyshohet se shërben për transferim fondesh jashtë vendit, shmangie tatimore dhe pastrim parash.

Ndërkohë, është konstatuar se shoqëria "Albdrilling" sh.a që ka qenë më parë nënkontraktore direkte e shoqërisë "Bankers Petroleum Albania Ltd", tani ndërmjetësohet nga shoqëria "Qinglong Albania Ltd" në mënyrë që, krijohet një zinxhir i dyshimtë ndërmjetësimi, i cili mund të përdoret për të fryrë artificialisht çmimet dhe për të transferuar fitime në mënyrë të fshehtë. Në thelb, shoqëria "Qinglong Albania Ltd", në Shqipëri, paraqitet si një entitet ndërmjetësimi i dyshuar fiktiv që shfrytëzohet për të justifikuar shpenzime dhe pagesa për persona që nuk janë në Shqipëri, por ne Kinë, për të faturuar shërbime me vlera të lartë, pa kryer realisht punën, dhe për të fshehur qarkullimin financiar, duke e kaluar atë nga shoqëria "Bankers Petroleum Albania Ltd", përmes saj dhe më tej tek shoqēri kineze. Kjo skemë krijon mundësi për transferim të paligjshëm të fondeve jashtë vendit, shmangie tatimore dhe pastrim parash. Në përfundim, shoqëria "Qinglong Petroleum Technology and Engineering Company LLP", në Shqipëri, është një kompani që dyshohet se është formuar me qëllim ndërmjetësimi fiktiv në kontratat e naftës, ka kryer blerje-shitje me fitime të mëdha pa krijuar vlerë reale.

Nga këqyrja e kësaj shoqërie konkludohet si vijon:

1- Krijohen dyshime për deklarime fiktive të marrëdhënieve të punës dhe pagesave.

Subjekti ka deklaruar në mënyrë sistematike punonjës (kryesisht shtetas kinez) si të punësuar me kohë të plotë dhe të pranishëm 22 ditë në muaj. Megjithatë, verifikimi në sistemin TIMS tregon se një numër i këtyre punonjësve nuk kanë qenë fizikisht në territorin e Shqipërisë, gjatë periudhës për të cilën deklarohen si të punësuar. Kjo situatë përbën shkelje të legjislacionit tatimor dhe të punësimit, me elementë të mundshëm të veprave penale si:

-Krijimi i skemave mashtruese.

-Pastrim parash përmes justifikimit të rremë të pagave dhe transferime fondesh.

-Deklarim i rremë në dokumente zyrtare.

2- Aktivitet ekonomik i dyshimtë - mungesë reale e kapaciteteve teknike dhe njerëzore.

Subjekti nuk kishte asnjë punonjës real ose pajisje në janar-shkurt 2024, megjithatë ka deklaruar të ardhura të konsiderueshme për shërbime që në mënyrë të natyrshme kërkojnë staf dhe pajisje fizike në terren (shpim pusesh, çimentim, etj). Nga kontrolli fiskal rezulton se të gjitha shërbimet janë blerë nga nënkontraktori "Albdrilling" sh.a dhe të njëjtat janë faturuar pa vlerë të shtuar më tej tek "Bankers Petroleum Albania Ltd". Shoqëria nuk zotëron asete, përveç një vlere minimale të deklaruar në fund të 2024 (rreth 36 milionë lekë),e papërputhshme me volumin e qarkullimit financiar dhe natyrën e veprimtarisë që deklaron.

3. Skemë e dyshimtë ndërmjetësimi mes "Bankers Petroleum Albania Ltd" dhe "Albdrilling" sh.a.

Më parë, shoqëria "Albdrilling" sh.a ka qenë nënkontraktore direkte e shoqërisë "Bankers Petroleum Albania Ltd", ndërsa tani faturon të njëjtat shërbime përmes shoqërisë "Qinglong Petroleum Technology Ltd", një shoqëri e sapo hapur pa kapacitet të dukshëm teknik ose njerëzor. Ky ndryshim ngre dyshime për ekzistencën e një strukture fiktive ndërmjetësimi, që mund të përdoret për:

-Të krijuar marzhe fiktive fitimi;

-Të transferuar fonde në mënyrë të pajustifikuar;

-Të justifikuar kontrata fiktive dhe punonjës joekzistentë.

4. Anomalitë në faturim dhe fiskalizim:

Gjatë muajit mars 2024 konstatohet një numër i madh anulimesh dhe korrigjimesh të faturave - veprim që në vēzhgim fiskal konsiderohet shenjë alarmi për manipulim dokumentacioni.

Faturat e shitjes mbartin përshkrime për shërbime që mund të realizohen vetëm përmes stafit të specializuar dhe pranisë fizike në terren, ç'ka bie ndesh me mungesën reale të punonjësve në Shqipëri sipas të dhënave të marra nga sistemi TIMS.

5. Mungesë e përfaqësuesit ligjor në territor:

Administratori ligjor Junlin Sheng nuk është i pranishëm në Shqipëri që nga korriku 2024, dhe ka rezultuar i punësuar njëkohësisht në një tjetër kompani që operon në të njëjtin sektor dhe është gjithashtu nënkontraktore e shoqërisë "Bankers Petroleum Albania Ltd".

Kjo është në kundërshtim me parimet e përfaqësimit ligjor të një dege të huaj që operon në një sektor strategjik siç është ai i hidrokarbureve.

6. Mospërputhje mes blerjeve dhe shitjeve - mungesë vlerë të shtuar:

Në periudhën janar-mars 2024, shoqëria "Qinglong Petroleum Technology LTD" ka realizuar shitje në vlerën 161 milionë lekë, ndërkohë që ka blerë shërbimet përkatëse nga shoqëria "Albdrilling" sh.a për rreth 109 milionë lekë me një marzh fitimi të pashpjegueshëm, duke qenë se nuk ka as staf e as pajisje vetjake që të justifikojnë këtë shtesë vlere.

7. Ndryshim i strukturës së furnitorëve në fund të vitit 2024:

Në fund të vitit 2024 dhe vazhdon në vitin 2025 subjekti fillon të bashkëpunojë me furnitorë të rinj të huaj (si "BIN SHARRARA CHINA HORIZON DRILLING SERVICES LLC" nga Abu Dhabi dhe "Beijing Top Energy Technology Co. Ltd"), duke shtuar më tej kompleksitetin dhe natyrën ndërkombëtare të qarkullimeve financiare.

Këto ndryshime, të shoqëruara me mungesën e transparences dhe strukturë të paqartë operacionale, mund të përdoren për të fshehur origjinën dhe destinacionin e fondeve - indikator i mundshëm i pastrimit të parave.

Nga verifikimi i detajuar, shoqëria "Qinglong Petroleum Technology and Engineering Company LLP" duket se nuk ka pasur aktivitet real ekonomik dhe teknik në Shqipëri në fillim të vitit 2024, dhe ka funksionuar kryesisht si ndërmjetës financiar në një strukturë të dyshimtë të faturimit dhe raportimit tatimor, ku përfshihet edhe shoqëria "Bankers Petroleum Albania Ltd" dhe nënkontraktori i saj shoqëria "Albdrilling" sh.p.k. Bazuar në të gjitha të dhënat e mësipërme, Qinglong Petroleum Technology and Engineering Company LLP-Dega Shqipëri: Nuk ka pasur aktivitet real teknik në fazën fillestare të regjistrimit. Ka shfaqur sjellje të përsëritura që ngjajnë me struktura të pastrimit të parave, mashtrimit tatimor dhe ndërmjetësimit fiktiv.

Eshtë e lidhur me një rjet kompanish (kryesisht kineze dhe nga Lindja e Mesme) që mund të jenë pjesë e një skeme të evazionit dhe transferimit ndërkombëtar të kapitalit. Pronari përfitues, China International Zoom Material Co. Limited, është një kompani me seli në Hong Kong - një juridiksion që shpesh përdoret për strukturim korporativ me qëllime të errëta fiskale ose ligjore. /Pamfleti

bankers

Lini një Përgjigje