TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë29 Shtator 2025, 10:30

Shqipëria nën zgjedhën e 1% të popullsisë: miliarderët kontrollojnë Kryeministrin

Shkruar nga Pamfleti

 Shqipëria nën zgjedhën e 1% të popullsisë:

Nga rrugët dhe tunelët te turizmi, ndërtimet, shëndetësia, arsimi e deri tek mediat, një grusht miliarderësh ka marrë peng shtetin dhe jetën e qytetarëve, ndërsa politika u është kthyer në shërbëtore...

Prej më shumë se dy muajsh, një nga mediat kryesore televizive në vend ka nisur një sulm të përditshëm ndaj UKT-së, ndërmarrjes së ujësjellësit të Tiranës. Ky refren nuk është më gazetaresk apo informues, por sulmues dhe i përsëritur. Arsyeja ka një prapaskenë të qartë: UKT ka prej vitesh selinë në një pronë që i përket njërit prej miliarderëve të vendit.

Pak ditë më parë, qeveria miratoi fondet për zgjerimin e autostradës Tiranë–Durrës. Investimi do të përfundojë në xhepat e një tjetër miliarderi, i cili do të përfitojë edhe nga taksa e rrugës për një periudhë të gjatë, siç ndodhi me segmentin Thumanë–Kashar. Po kështu, Tuneli i Llogarasë do të sjellë përfitime për një tjetër miliarder, ndërsa rruga pas tij u ndërtua që të çonte njerëzit drejt resorteve të miliarderëve të tjerë.

Kryebashkiaku i Tiranës u ndëshkua realisht sepse nuk kishte mbështetjen e miliarderëve. Për arsye të ndryshme, dhe sidomos sepse nuk shihej i pranueshëm nga njeriu që ata kanë si referencë në pushtet, u vendosën kundër tij. Veliaj nuk bëri betejë kundër tyre, por as nuk ishte ndonjëherë i preferuar i tyre. Në të kundërt, ata kanë një referencë të palëkundur: kryeministrin Edi Rama, i cili e ka mbështetur qeverisjen e tij duke pasur si kontraktorë të buxhetit të shtetit një klasë të ngushtë oligarkësh. Ata janë angazhuar në punë publike, leje ndërtimi, turizëm, catering, diplomaci e media.

E keqja është se edhe opozita e Sali Berishës është po aq e varur nga kjo pjesë e shoqërisë që kontrollon buxhetin e shtetit. Ata e financojnë, e mbështesin dhe i sigurojnë marrëveshjet për kompromiset e nevojshme.

Në realitet, Shqipëria i ka dorëzuar fatet e saj tek miliarderët, ose siç quhen rëndom, oligarkët. Janë njerëz që kontrollojnë gjithçka në këtë vend; madje edhe ndërtimin e partive të reja apo financimin e figurave publike që shfaqen si “fantazma”. Do të ishte më e ndershme që këta miliarderë të pranonin hapur se janë pushteti real i vendit dhe të përballeshin me kërkesat e njerëzve. Por këtë nuk e bëjnë, sepse nuk janë qytetarët më shembullorë të Republikës. Ata janë evazorë fiskalë, kanë lidhje me krimin e organizuar dhe nuk kontribuojnë në mbrojtjen sociale, as për të punësuarit e tyre.

Për një zhvillim normal në vend, duhet një politikë e qartë që t’i thotë “ndal” kësaj klike, e cila nuk pranon të negociojë me shoqërinë, por vetëm komandon kushtet dhe favoret e veta. Ligjet nuk i bëjnë qytetarët përmes përfaqësuesve, por miliarderët: ata vendosin ku do të shpenzohen paratë e taksave, si do të zhvillohet arsimi, shëndetësia, punësimet, administrata, madje edhe mediat.

Një politikë e re duhet të heqë nga duart e oligarkëve monopolin mbi gjithçka, siç ndodh në vendet europiane. Nuk mund të kenë të gjithë sektorët: ndërtimin e rrugëve, rrjetin e hoteleve, ushqimin, shëndetësinë private, shkollat, universitetet dhe tashmë edhe industrinë e mbrojtjes.

Së paku gjysma e shërbimeve duhet t’u kthehet qytetarëve dhe shtetit. Sepse këta miliarderë mendojnë vetëm për përfitimin personal dhe, ndryshe nga miliarderët në vendet e zhvilluara, nuk investojnë për shkencën, shëndetësinë, arsimin apo punësimin. Sot ata, të frikësuar nga largimi i fuqisë punëtore, po e zëvendësojnë me punëtorë aziatikë, duke krijuar tensione të reja sociale.

Një lider opozite që do të sfidonte këtë oligarki do të sillte frymë të re, një marrëveshje të re shoqërore, natyrisht jo duke përsëritur metodat e Enver Hoxhës që i shkatërroi e grabiti të pasurit. Por nëse kjo pakicë vazhdon të punojë kundër qytetarëve dhe të mbështesë vetëm pushtetarët e radhës, atëherë mbi ta mund të rëndojë mallkimi i shoqërisë. Dhe nuk është çudi që një ditë të humbasin gjithçka, sepse në këtë vend, të gjithë e dinë se ku i ke fshehur paratë./Pamfleti

shqpëria nën zgjedhën e 1% miliarderët kontrollojnë kryeministrin

2 Komente

  1. E
    Elez Isufi

    Populli shqiptar e mbajti dhe e perkrahu ne nje fare menyre me indeferencen e tij qe e karakterizon si popull diktaturen per 40 e kusur vjet dhe kur erdhi demokracia apo pluralizmi erdhi nga jashte jo nga populli trim kuq e zi

    1. A
      Amerika do llokmen e vet

      Ore jepini Shkruani nje artikull te bejn baterdi haptazi ta shohim deri ku do shkojnn Midas te ghith

      Lini një Përgjigje